Llambi Blido, ja si u jep dritë
pikturave nga errësira 

Llambi Blido, ja si u jep dritë<br />pikturave nga errësira 
Pikturat e para viteve ’90 të Llambi Blidos e kanë bërë jetën e tyre artistike dhe mbeten një histori më vete e artit shqiptar, por pas humbjes së shikimit, të tjera vepra vijnë nga errësira, ku ngjyrat i japin një tjetër forcë, e duke u ndriçuar megjithatë nga ngjyrat dhe detajet impresionuese.
 
Llambi Blido e ka sfiduar tashmë errësirën me vepra. Këto vepra dhe pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij në vite do të ekspozohet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artisti Llambi Blido kthehet pas 24 vitesh me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Krijimtaria e tij prezantohet përpara publikut e ndarë në cikle. Pjesa më e madhe e veprave që janë ekspozuar janë realizuar mbas viteve ’90, ku nuk mungojnë ato të realizuara mbas vitit 2001, kur piktori humbi shikimin. Janë 100 punë përmes të cilave Llambi Blido përpiqet të hedhë dritë mbi karakteristikat kryesore dhe origjinalitetin e pikturës së tij.

Në konferencën për median drejtori GKA, Artan Shabani  e vlerësoi artistin si një emrat më të rëndësishëm të artit figurativ shqiptar:

 “Llambi Blido është pjesë e brezit të parë të studentëve që u diplomuan në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë në mesin e viteve ’60. Megjithëse me një krijimtari jo të shumtë në numër, dhe një numër të pakët ekspozitash, ai është një nga piktorët e shquar dhe të rëndësishëm shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX dhe në vazhdim.
Ekspozita që hapim sot nuk ka karakter retrospektiv. Ajo paraqet një  koleksion të zgjedhur nga krijimet e artistit sidomos pas viteve 1990-të, e akoma me shume nga ciklet e krijuara pak para, dhe pasi artisti humbi plotësisht shikimin ne vitin 2001 nga glaukoma. Me këtë kondicion fizik të tanishëm mjeshtri Blido hyn ne një panteon te rrallë artistësh si Degas, Manet, Xhorxhia O Kif, dhe Sigmar Polke te cilet krijuan edhe pasi e humbën shikim plotësisht, apo pjesërisht
”, tha Shabani

Ylli Drishti, kurator i ekspozitës bëri një përmbledhje të jetës dhe krijimtarisë së Llambi Blidos. Ndër të tjera ai theksoi:

Ekspozita e Llambi Blidos  në Tiranë, në GKA është një udhëtim ndërmjet ngjyrave delikate por edhe potente të një artisti origjinal, me një stil të veçantë të krijuar në vitet ’70 të shekullit XX”.

Vetë artisti Llambi Blido shpjegoi në mënyrë të përmbledhur faktorët dhe kushtet që kanë ndikuar në artin e tij, në mënyrën e tij të të krijuarit, përfshirë edhe periudhën e viteve të fundit pasi ai ka humbur shikimin. Piktori pranon se është një admirues i vazhdueshëm i pikturës franceze dhe se kanë qenë artistë si Matis, që e kanë frymëzuar atë në vijimësi. Blido falënderoi Galerinë Kombëtare që bëri të mundur këtë ekspozitë.

Kur vjen në Galerinë Kombëtare një autor me artin e tij, me krijimtarinë e tij, hyn në garë edhe me historinë e artit shqiptar, me historinë e pikturës, skulpturës,të vizatimit, hyn në garë me mjeshtrit tanë të vjetër dhe me mjeshtrit e disa prurjeve të mëdha në artin shqiptar, sikurse hyn në garë edhe me bashkëkohësit, me të vjetrit dhe të rinjtë. Kjo është shumë interesante për autorin, për artistin, por është interesante edhe për publikun. Nga ana tjetër frymëmarrja e plotë që i ka dhënë Galeria Kombëtare të gjitha zhvillimeve, nganjëherë edhe të kundërta, të ndryshme, gjë  e cila është normale për kohën tonë, është meritë e Galerisë dhe e drejtorit Shabani, ashtu si edhe e gjithë stafit të GKA.”, tha Blido.

Në një bisedë të lirë me gazetarët, historia më e bukur që rrëfeu Llambi Blido ka qenë ndalimi i një pikture me trëndafila. Trëndafilat dhe ngjyrat impresionuese të Llambi Blidos kanë ngjallur reagime negative tek censorët e kulturës në vitet e diktaturës. Tregon se i thanë, kjo nuk vlen për ekspozitë, nuk është pikturë, është tekstil.

Po mirë thotë Blido, le ta ekspozojmë dhe t’i vëmë emrin tekstil. Piktori kishte shprehur gjithë dashurinë për lulet dhe natyrën në këtë telajo. Vepra edhe sot ka vlera të rralla. “Jo kjo është punuar si tekstil, por nuk është tekstil, është pikturë”, i thoshin ata, duke mos e gjetur dot justifikimin pse një pikturë e bukur nuk duhej të ishte në ekspozitë.   

foto
Foto të tjera


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)  
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden synon të zbusë tensionet në Lindjen e Mesme

Presidenti Biden synon të zbusë tensionet në Lindjen e Mesme