Ylli Pata: 'Llastim dhe sulme, kur epoka e SPAK mund të jetë e pakthyeshme

Ylli Pata: 'Llastim dhe sulme, kur epoka e SPAK mund të jetë e pakthyeshme

Altin Dumani

Përpara se të krijohet Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit-SPAK, agjencitë e huaja antikrim, veçanërisht DIA italiane(Direzione Investigative Antimafia), komunikonin me pikatore me prokurorët shqiptarë.

Kjo pasi kishte ndodhur shpesh në të shkuarën, që ose ka rrjedhur informacioni, ose kanë dështuar hetimet e nisura mbi grupe mafioze shqiptare që veprojnë jashtë vendit dhe këtu.

Në priudhën e parë të krijimit të SPAK, kur atë e drejtonte Arben Kraja, ky institucion pati një sprovë të rëndësishme me disa nga policitë gjyqësore më të rëndësishme të Europës. Ku natyrisht marrëdhënia me DIA-n italiane ishte me volum më të madh.

Thuajse të gjitha operacionet e nisura nga italianët apo edhe prokuroritë e Spanjës, Gjermanisë apo Holandës shkuan vaj. Rrjedhja e informacionit ishte zero, e pati një operativitet pozitiv të realizimit operacional të hetimeve që kishin si bazë të tyre Shqipërinë.

Ndaj në deklarata publike, më shumë se një herë krerët e DIA-s italiane apo prokurorive antimafia të Barit, apo qyteteteve të tjera, kanë komplementuar punën e SPAK.

Gazetarët italianë që ndjekin narkotrafikun shqiptar, tashmë nuk vijnë e hyjnë në qerthullin vicioz të hipotezave e retorikave mediatike kur vijnë në Shqipëri për të ndjekur historitë e tyre.

Disa grupe reporterësh të njohur nga mediat më prestigjoze matanë detit, por edhe vende të tjera europiane, kanë marrë adresimin direkt nga prokuroritë e tyre për të takuar prokurorët shqiptar të SPAK, e nga ku kanë marrë gjithçka për historitë e tyre, që më pas janë kthyer në dokumentarë të plotë për narkotrafikun pa spekulime.

Është pikërisht ky rezultat, që i dha Shqipërisë një notë të lartë në raportet ndërkombëtare e kryesisht progress raporti i Komisionit Europian.

SPAK, për herë të parë është konsideruar partner nga të gjithë agjencitë europiane të luftës ndaj krimit të organizuar. Kjo është sprovë e rëndësishme, të cilin SPAK e ka kaluar, e tashmë, hetimi i grupeve kriminale ka marrë një rrjedhë, që ka krijuar një përvojë. E cila ka hyrë në rrjedhën e vet normale, edhe pas mbarimit të mandatit të prokurorëve aktualë. Kjo pjesë është përgjithësisht e pakthyeshme.

Ndërkaq, pjesa tjetër e sprovës së prokurorëve të SPAK është rrëzimi i pandëshkueshmërisë 30 vjeçare të klasës politike. Prokurorët kanë nisur një grup të madh dosjesh, duke kryer në fillim operacione e arrestime të bujshme në radhët e mazhorancës, për të ardhur më pas tek rasti i klubit Partizani.

Ku SPAK po përballet me një valë të egër sulmesh, i cili do të vijojë edhe do të rritet në të ardhmen. Një taktikë e njohur kjo, për të ndalur apo frenuar sadopak dosjet e tjera të bujshme.

Gjithsesi pritshmëria e publikut ndaj SPAK është shumë e lartë. Siç e kanë treguar sondazhet, drejtuesi i prokurorisë Altin Dumani por edhe institucioni gëzojnë një popullaritet të lartë në publik.

Megjithatë, ky popullaritet apo kjo pritshmëri është sepse njerëzit presin një goditje reale të asaj kupole që konsideroheshin deri tani të pandëshkueshëm, e po e tregojnë çdo ditë gjatë rezistencës për të qenë të barabartë para ligjit.

Deri tani kemi parë më shumë një takticitet të hetimeve të nivelit të lartë, duke përdorur një lloj peshoreje të politikës penale. Në fakt njerëzit presin diçka krejt tjetër: hetimin e të gjitha dosjeve të tmerrshme të këtij vendi të cilat ulërijnë prej kohësh nga mungesa e drejtësisë. E kotë të renditen që nga 21 janari, Gërdeci, apo edhe dosje të tjera të frikshme privatizimesh e koncensionesh që e çuan pasurinë publike në duar të dyshimta që kishin lidhje familjare e klienteliste me krerët e politikës.

Asnjëherë “balancimi politik” nuk i ndalon sulmet nga palët e prekura nga hetimi i SPAK. Në Itali, Di Pietro apo prokurorët e tjerë të “Mani Pulite” janë sulmuar gjatë gjithë kohës, madje edhe nga qeveria e Silvio berlusconit, për të bërë të mundur lodhjen e mërzitjen e tyre me dosjet e nxehta. Por ata e vijuan punën, deri sa hapën e çuan në gjykatë disa nga dosjet më të mëdha që priste publiku. Më pas me ikjen e tyre, procesi u bë i pakthyeshëm, e sot të gjitha prokuroritë e kanë kthyer në normë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Në Rumani, politikanët e lartë arritën të shkarkojnë kreun e prokurorisë antikorrupsion Laura Corvesi, por nuk ndaluan dot rrjedhën e vijimit të hetimet. Pasi dosjet e mëdha që kishte hapur sot kryeprokurorja antikorrupsion e BE-së, e bënë procesin e pakthyeshëm.

Edhe në Shqipëri, nëse nuk do të ketë një process të hapjes së dosjeve më të rëndësishme të krimeve e korrupsionit të lartë, si dhe sekuestrimin e të gjithë aseteve të krijuara nga korrupsioni; vila, pallate, llogari bankare etj, ky proces mund të bllokohet në fillimin e rrugës./ Gazeta Tema

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite