Lobimi rus i PD, Rama-Bashës:
Shko në prokurori dhe rrëfehu

Lobimi rus i PD, Rama-Bashës:<br />Shko në prokurori dhe rrëfehu<br /><br>
Kryeministri Edi Rama ka replikuar me liderin demokrat Lulzim Basha në rrjetin social Facebook pas investigimit të gazetës amerikane “Mother Jones” që zbuloi se pas lobimit për Partinë Demokratike në SHBA deri te Presidenti Donald Trump qëndron Rusia. Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë duke deklaruar se kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund.

Ai thekson se duhet të zbardhet nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë. E ndërsa akuzon se e gjitha është mishmash fundekrye korruptiv xhepash të errët, Rama shton se Shqipëria nuk mund të merret dot peng nga askush dhe shqiptarët pa dallim partie, nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare.

Që është një mishmash fundekrye korruptiv xhepash të errët, kjo nuk diskutohet sepse vetë mishmashi provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit; Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore; Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysëm milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht!

Por që kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme! Shqipëria nuk mund të merret dot peng nga askush dhe shqiptarët pa dallim partie, nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare’ u shpreh Rama.

Kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi menjëherë duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama. Basha deklaron se Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkte dhe indirekte me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus. Ai thekson se akuzat e kryeministrit janë qesharake, ndërsa shton se janë në vazhdën e qëndrimeve anti-Trump dhe anti-administratës Trump nga Edi Rama.

Duke u ndalur te lobimi, ai thotë se për kontratat, PD i ka kërkuar prokurorisë shqiptare të kryejë cdo verifikim, ndërsa fton prokurorinë të fillojë hetimin e burimit dhe mënyrës si Edi Rama, “në konspiracion me të tjerë, shkeli ligjet amerikane duke futur para të huaj në fushatën presidenciale Obama”.  Pak minuta pas deklaratave të Bashës, Rama ka vijuar replikën po në Facebook, duke i kërkuar Bashës që të shkojë në prokurori dhe të rrëfehet para organit të akuzës. “Lulëzim boll me retë në pantallona, shko vetë në prokurori e rrëfehu para organit të akuzës se jorgani i kundërakuzave nuk të mbulon dot më” deklaron Rama.

Tre ditë më parë gazeta amerikane ‘Mother Jones’ pas një investigimi zbuloi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e Shqipërisë dhe financimin nga kompani ruse të lobimit të Lulzim Bashës në SHBA pranë republikanëve dhe Donald Trumpit. Pas sulmeve nga PD, dje prestigjiozja amerikane ka reaguar sërish duke sjellë faktet që sipas saj janë të pa kontestueshme. “Mother Jones” tregon se si Basha ra në kontakt me kompaninë ruse për të paguar lobistin Nick Muzin i cili do ta  reklamonte në Uashington.

Ndërkohë që sot ka dëshmuar në prokurorinë e Tiranës Arben Ristani për lobimin e PD në SHBA me vlerë 675 mijë dollarë nëpërmjet kompanive offshore. Hetimi ka nisur disa muaj më parë, ndërsa Ristani dëshmoi për kontratat me kompanitë lobuese në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm që ka dijeni për këtë çështje. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Arben Ristani deklaroi në një prononcim për Report Tv se PD nuk ka asgjë për të fshehur në këtë histori.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja