Sot, një nga problemet më shqetësuese për shëndetin është ekspozimi i vazhdueshëm ndaj toksinave dhe metaleve të rënda, të cilat hyjnë në organizëm në mënyrë të padukshme përmes ushqimit, ujit, ajrit apo produkteve të përditshme që përdorim. Me kalimin e kohës, grumbullimi i tyre në trup mund të ndikojë në funksionimin normal të organizmit dhe të bëhet shkaktar i shumë problematikave shëndetësore, si lodhja kronike, dobësimi i imunitetit, problemet me mëlçinë, sistemin nervor apo çrregullime të tjera.
Por cilat janë shkaqet kryesore të toksifikimit? Cilat janë shenjat që tregojnë se organizmi është i ngarkuar me toksina dhe metale të rënda? Dhe si mund ta ndihmojmë trupin të pastrohet në mënyrë natyrale përmes bimëve mjekësore dhe kombinimeve të duhura bimore? Për këtë temë në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, foli specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja.
“Toksifikimi i trupit ndodh kur organizmi merr më shumë substanca të dëmshme sesa arrin të largojë. Është si një lumë që mbushet me baltë, apo si një pemë që mbulohet nga pluhuri”, shprehet Merja, duke renditur edhe faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë proces.
Sipas tij, ndër shkaktarët kryesorë janë ushqimet e përpunuara që rëndojnë mëlçinë dhe metabolizmin, metalet e rënda që merren nga ajri, uji, peshku, cigaret apo produktet kozmetike, si dhe stresi kronik, i cili çrregullon kortizolin dhe shton inflamacionin në organizëm. Po ashtu ndikojnë edhe ndotja e ajrit, kapsllëku, moskonsumimi i mjaftueshëm i ujit, përdorimi i barnave dhe kimikateve, mungesa e gjumit dhe inflamacioni kronik.
Po cilat janë shenjat e toksifikimit?
“Shenjat janë të ndryshme dhe secili duhet të dëgjojë me vëmendje trupin e tij. Nga lodhja dhe ulja e përqendrimit, pagjumësia, fryrja e barkut, kapsllëku, enjtja e këmbëve dhe duarve, irritimet e lëkurës, djersa me erë të rëndë, rëndesa në trup, intolerancat ushqimore apo rënia e flokëve”, thotë biofarmacisti Merja.
Si largohen toksinat dhe metalet e rënda nga trupi?
Specialisti shpjegon se procesi i detoksifikimit kontrollohet nga disa sisteme kryesore të organizmit, ku rolin më të rëndësishëm e ka mëlçia, e cila neutralizon substancat toksike dhe i shndërron ato në forma që mund të eliminohen nga trupi. Një rol të rëndësishëm luajnë edhe veshkat, që filtrojnë gjakun dhe largojnë toksinat përmes urinës, zorrët e trasha që eleminojnë mbetjet dhe pengojnë riabsorbimin e tyre, mushkëritë që largojnë substancat e panevojshme përmes frymëmarrjes dhe lëkura që përmes djersës ndihmon në nxjerrjen e kriprave dhe disa metaleve të rënda.
“Toksifikimi nuk vjen si stuhi, ai futet ngadalë si pluhur i imët që hyn nga dritaret e trupit. Pak nga ajri, pak nga ushqimet, pak nga lodhja e mendjes, derisa organet fillojnë të ngarkohen”, thekson Merja.
Sipas tij, disa nga mënyrat më të rëndësishme për të ndihmuar organizmin në pastrim janë:
- Pirja e mjaftueshme e ujit
- Ushqimi i pasur me fibra
- Gjumi cilësor
- Aktiviteti fizik
- Funksioni i mirë i zorrëve
- Konsumimi i perimeve të gjelbra, limonit, hudhrës, lakrës dhe panxharit
Ndër bimët më të rekomanduara për detoksifikim, Ylli Merja veçon hithrën, e cila ndihmon në pastrimin e gjakut dhe largimin e acidit urik, rradhiqen për mbështetjen e mëlçisë dhe tretjes, gjembin e gomarit për rigjenerimin e qelizave hepatike, mështeknën për pastrimin e veshkave dhe stimulimin e limfës, gjineshtrën që nxit urinimin, si dhe bishtin e kalit që ndihmon në eliminimin e mbetjeve nga organizmi.
Po ashtu, ai rekomandon koriandrën për mobilizimin e metaleve të rënda, spirulinën dhe klorelën për lidhjen e toksinave, angjinaren për shëndetin e mëlçisë dhe tëmthit, si edhe bimë si bari i bletës dhe mendra që qetësojnë sistemin nervor dhe ndihmojnë tretjen.
Sipas Merjas, dy nga çajrat më të mirë detoks janë kombinimi me hithër, rradhiqe, mendër, angjinare dhe finok, si edhe çaji me majat e lastareve të ferrës, këputje, bishta qershie, mështeknë dhe lëvore vidhi.
Komente











