Loja e ‘çiplomacisë’

Loja e ‘çiplomacisë’

Gjatë presidencës së Donald Trump, shumë njerëz u shqetësuan nga aftësia teknologjike e Kinës. Disa arritën në përfundimin se ajo përbënte një kërcënim për ekonomitë perëndimore, dhe ndoshta edhe për sigurinë globale.

Gazetat perëndimore e paraqisnin kompaninë Huawei, një prodhues i pajisjeve të telekomunikacionit, si shembull i këtij kërcënimi. Amerika e akuzoi kompaninë se po vepronte si një kanal për mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë kineze.

Në vitin 2018, Amerika goditi kompaninë Huawei. Ajo ndaloi eksportin e mikroçipave amerikanë drejt firmës, të cilat janë me rëndësi thelbësore për produktet e saj. Kjo duket se ka pasur efektin e dëshiruar. Vitin e kaluar, të ardhurat e Huawei u tkurrën, për herë të parë në një dekadë, me pothuajse një të tretën.

Ishte një ngjarje e papritur që një shtet të pengonte një kompani kaq të madhe teknologjike. Të ardhurat e kompanisë Huawei ishin po aq të mëdha sa ato të Microsoft. Por ky veprim i Amerikës pati kostot e veta. Për shkak se administrata Trump veproi pa bashkëpunuar ngushtë me aleatët e Amerikës, ky veprim i nxiti investitorët e largët që të shtonin lidhjet dhe hallkat që mungonin në pjesë të ndryshme të zinxhirit të furnizimit të gjysmëpërçuesve, të cilët shkojnë përtej shtrirjes së ligjit amerikan.

Ndërkohë, kompanitë japoneze, kanë filluar të tregtojnë në heshtje produktet e tyre në mënyrë që të shmangin Rregulloret e Administratës së Eksporteve të Amerikës. Kompanitë amerikane, shumë prej të cilave shesin çdo vit pajisje me vlerë disa miliarda dollarë në Kinë, filluan të kërkojnë një territor neutral nga i cili të mund të eksportonin furnizime. Singapori dhe Malajzia ishin kandidatët kryesorë. “Cilat do të regjistroheshin me dëshirë për t’u kufizuar nga qeveria amerikane?” nënqesh një avokat në Uashington.

Kompanitë kineze, të nxitura nga miliarda dollarë investime nga shteti, kanë dyfishuar përpjekjet për të zhvilluar versionet e reja të çipave që më parë i importonin përgjatë zinxhirëve të furnizimit të lidhura me kompanitë amerikane.

Kështu, dukej sikur qeveria amerikane po humbiste vazhdimisht kontrollin mbi zinxhirin e furnizimit të çipave. Për të shmangur këtë rezultat dhe për të mbajtur një kontroll sado të vogël mbi teknologjinë që furnizon Kinën, Amerika duhet të ndërtojë një konsensus me vendet aleate.

SHBA dhe kontrolli i çipave

Që kur Joe Biden mori detyrën një vit më parë, zyrtarët e tij e kanë përmendur çështjen e kontrollit të çipave sa herë që diskutojnë me aleatët e huaj. Një lobist në Uashington thotë se në 25 vjet, ai nuk ka vënë re asnjë qeveri amerikane që të vërë në krye të axhendës diplomatike çipat teknologjikë. Qeveritë dhe kompanitë kanë krijuar forume për të harmonizuar politikat mbi tregtinë e çipave dhe pajisjeve dhe materialit të përdorur për t’i prodhuar ato.

Disa ekspertë shohin këtu një paralele me Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës, e njohur si OPEC. Për dekada të tëra, anëtarët e saj, të gjithë eksportues të naftës, janë bashkuar në përpjekjen për të kontrolluar sasinë e naftës që arrin në tregun botëror, në mënyrë që të ndikojnë mbi çmimet.

Forumet e reja të sotme shënojnë hapat e parë drejt krijimit të një organizimi të ngjashëm për të kontrolluar eksportin e gjysmëpërçuesve, me shpresën për të ruajtur një avantazh teknologjik mbi Kinën. Kjo mund të quhet Organizata e Vendeve Eksportuese të Gjysmëpërçuesve, Organisation of the Semiconductor Exporting Countries, ose OSEC.

Tashmë ekzistojnë organe diplomatike të posaçme për lidhjen e marrëveshjeve shumëpalëshe për eksportin e teknologjisë. Por ato janë të dobëta në qeverisjen e tregtisë së gjysmëpërçuesve. Në vitin 1996, u krijua Marrëveshja Wassenaar, për të mbikëqyrur tregtinë me përdorim ushtarak.

Ajo është pasardhësja e Komitetit Koordinues për Kontrollet Shumëpalëshe të Eksportit, i njohur si COCOM. Zyrtarët i kushtojnë vëmendje idesë së përditësimit të Wassenaar-it në mënyrë që ajo të mund të ndihmojë në kontrollin e tregtisë së gjysmëpërçuesve. Por pak presin që të luajë një rol vendimtar, sepse aty është anëtare edhe Rusia.

Prandaj po shfaqen forume të reja. I tillë është Këshilli i Tregtisë dhe i Teknologjisë i BE-së, i krijuar qershorin e kaluar me qëllim për të kontrolluar eksportet. Gjysmëpërçuesit janë gjithashtu në rendin e ditës. Një deklaratë e përbashkët pas takimit të parë të këshillit në Pittsburgh në shtator, deklaroi synimin e tij për të bashkëpunuar në “ribalancimin” e zinxhirëve globalë të furnizimit me çipa.

Kjo ishte një gjuhë diplomatike që nënkuptonte se ato duhen mbajtur larg Kinës. Industria e çipave në Perëndim dhe në disa pjesë të Azisë që janë të kujdesshme ndaj Kinës, e ka mirëpritur këtë diskutim, të paktën nga ana zyrtare. Ajo shpreson se rregulla më të qarta të eksportit, të zbatuara globalisht, do të zvogëlojnë pasigurinë.

Por diplomacia globale e çipave është ende e dobët. Kur diskutohet tregtia e gjysmëpërçuesve, ajo zakonisht përfshihet në axhendën e forumeve të tjera botërore. Çipat janë përmendur gjithashtu në takimet ku diskutohen sanksionet që mund të vendosen ndaj Rusisë, nëse ajo do të pushtonte Ukrainën.

Administrata amerikane ka informuar Shoqatën e Industrisë së Gjysmëpërçuesve se lloji i kontrolleve të eksportit të përdorur kundër Huawei-t, mund të jetë pjesë e një pakete sanksionesh kundër Rusisë, për të ndërprerë aksesin në teknologjinë perëndimore. Ndryshe nga Kina, Rusia nuk ka asnjë industri elektronike të vetën, kështu që kontrolle të tilla nuk do ta dëmtonin aq keq. Por mund ta bëjë më të vështirë kryerjen e sulmeve kibernetike ndaj armiqve të saj.

Marrëveshjet e lidhura midis qeverive të vendeve kryesore në zinxhirin e furnizimit me çipa – Amerika, Japonia dhe Holanda – janë më të rëndësishme se çdo diskutim dhe debat. Këto tre vende prodhojnë pjesën më të madhe të makinerive të përdorura për të prodhuar çipa. Një konsensus mes tyre për tregtinë e çipave, shënoi hapin e parë për kufizimin e Kinës, që u arrit nga fundi i presidencës së zotit Trump.

Një kompani e madhe holandeze, ASML (e quajtur Litografia e Avancuar e Materialeve Gjysmëpërçuese), ishte gati që të shiste mjetet e saj më të sofistikuara tek SMIC, që është prodhuesi më i madh çipave në Kinë. Zyrtarët japonezë dhe amerikanë e bindën qeverinë holandeze, dhe ajo nuk pranoi t’i jepte ASML-së një licencë për të eksportuar makineritë e saj më të avancuara tek SMIC.

Zyrtarët amerikanë me një qëndrim më të rreptë ndaj Kinës, të cilët duan një shkëputje të pastër në zinxhirët e furnizimit, favorizojnë këtë qasje më të ngushtë. Falë një numri të vogël anëtarësh që planifikojnë në mënyrë diskrete, është më e lehtë lëvizja e shpejtë kundër kërcënimeve të perceptuara kineze.

Kjo gjithashtu i jep Amerikës peshën kryesore, në vend që të shpenzojë kohë, duke bindur partnerët dhe duke gjetur mënyra për të shkruar një libër me rregullore të qarta për tregtimin e çipave. Ndërsa europianët dhe japonezët dëshirojnë një qasje shumëpalëshe më formale. Por Amerika mendon se aftësia e saj për të reaguar shpejt ndaj një kërcënimi kinez, do të frenohej në mënyrë të pashmangshme.

Dilema

Amerika është në një dilemë midis zgjedhjes së një grupi më të butë kontrollesh që mund të funksionojnë më mirë në një plan afatgjatë, ose një grupi më të ashpër që mund të dëmtojë më tepër teknologjinë kineze në një plan afatshkurtër, por mund të dëmtojë edhe industrinë amerikane në përgjithësi

Pa aksione, pa çipa

Siç argumenton një ish-zyrtar në ekipin e eksporteve të ish -presidentit Barack Obama, pengesa është se sa më fuqishëm që Amerika dëshiron t’i përgjigjet Kinës, aq më të vështirë e ka ajo që t’i bindë aleatët perëndimorë dhe aziatikë.

Por pa pasur mbështetjen e aleatëve, një qëndrim i ashpër amerikan ndaj eksporteve, vetëm sa do të dobësonte kompanitë amerikane. Kjo për shkak se do t’i drejtonte investimet në vende jashtë kontrollit të Amerikës, që u përshtaten prodhuesve kinezë të çipave.

Kështu, Amerika është në një dilemë midis zgjedhjes së një grupi më të butë kontrollesh që mund të funksionojnë më mirë në një plan afatgjatë, ose një grupi më të ashpër që mund të dëmtojë më tepër teknologjinë kineze në një plan afatshkurtër, por mund të dëmtojë edhe industrinë amerikane në përgjithësi. Edhe më keq, mund të shkatërrojë perspektivën e tregtisë amerikano-kineze të çipave, që mund të ringjallet në rast se ndërtohen në të ardhmen marrëdhënie më të mira.

Për momentin, administrata amerikane po kërkon një kompromis për të bllokuar aksesin kinez ndaj çipave dhe mjetet e prodhimit të çipave, deri në një nivel të caktuar.

Për shembull, ajo e bllokoi plotësisht Huawei-n nga marrja e çipave që përdorin pajisje të rrjetit 5G, por e lejoi që të përdorte teknologji më të vjetra.

Po kështu, kompanisë SMIC i lejohet që të blejë mjete më të vjetra për prodhimin e çipave, por jo versionet më të fundit që përdoren për çipat që futen në celularët iPhone dhe makinat me auto-pilot. Megjithatë, aleatët e Amerikës, nuk kanë rënë ende dakord për këtë kompromis, i cili ende po imponohet në mënyrë të njëanshme përmes rregullave të kontrollit të eksporteve të qeverisë amerikane.

Administrata e zotit Biden gjithsesi pengohet nga politika në vend, pavarësisht nga drejtimi i ri që Amerika mund të përpiqet të hartojë me Kinën. “Shumë janë skeptikë sepse nuk janë të sigurt nëse Biden do të vazhdojë të jetë në pushtet për një mandat të dytë”, thotë Richard Thurston. Ai shton se administrata mund të jetë duke e humbur oreksin për “çiplomaci” nga frika se çdo marrëveshje që bën, mund të hidhet poshtë më vonë, nëse republikanët marrin shumicën në Kongres.

Zoti Thurston mendon se kontrolli i eksporteve të makinerive dhe komponentëve të veçantë, gjithsesi nuk është një veprim i mençur, sepse asnjë rrjet kontrollesh nuk mund të shtrihet aq gjerë sa të ndalojë një vend të vendosur dhe të fuqishëm si Kina. Por gjithsesi do të jetë e ndërlikuar për Kinën që të fitojë njohuri për përdorimin e këtyre mjeteve për prodhimin e çipave në vëllime komercialisht të qëndrueshme.

Zoti Thurston sugjeron se qeveritë, në vend që të kufizojnë zinxhirët e furnizimit me gjysmëpërçues, duhet të përqendrohen në mbrojtjen e sekreteve tregtare. Kompanitë amerikane të gjysmëpërçuesve dhe ato në vendet aleate, mund të shesin shërbimet e tyre më të avancuara të prodhimit të çipave në tregun kinez, por megjithatë të jenë në gjendje të parandalojnë firmat kineze që të zhvillojnë vetë kapacitete më të sofistikuara të prodhimit.

Kjo nuk është një pikëpamje shumë popullore në Uashington, ku Biden po sulmohet nga mediat që ankohen për fluksin e çipave dhe mjeteve teknologjike drejt Kinës. Megjithatë, prodhuesit e mjeteve gjysmëpërçuese të Amerikës, ende e konsiderojnë Kinën si një nga tregjet e tyre më të mëdha. Applied Materials, një firmë kaliforniane, shiti mjete me vlerë 5 miliardë dollarë në Kinë në vitin 2020, më shumë se në çdo treg tjetër.

Ndërkohë, Kina vazhdon të përparojë. Përqindja e çipave globalë të shitur nga Kina po rritet. Kjo nuk është e vërtetë për asnjë vend tjetër të madh prodhues të çipave, pavarësisht nga fushata e zotit Trump për të shuar industritë e Kinës dhe përpjekjet shumëpalëshe të Biden për të arritur të njëjtin qëllim.

Amerika dhe aleatët e saj ende mund të bien dakord se si të frenojnë ambiciet gjysmëpërçuese të Kinës. Por mund të jetë e pamundur që një shtet të kontrollojë një industri kaq komplekse. Edhe në këtë rast, Amerika mund të pendohet për përpjekjen e saj për të ndërhyrë./ Përktheu: Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 20/02/2022 13:41

    Amerika nuk e kupton apo ben gjoja sikur nuk e kupton qe i ka ikur fuqia dominuese ne bote , mund te bej bllokade te shtetet e pafuqishme dhe te vogla kurse te medhenjte po e dominojne boten

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë