Loja me fatin (tonë)

Loja me fatin (tonë)
Qeveria e re ka gjetur një target populist për të fituar mbështetje publike: masat ekstreme ndaj lojërave të fatit. Nisma e saj duke përdorur Policinë e Shtetit (edhe pse me dritëhije ligjore dhe dyshime në pasojat që mund të ketë nëse kalon për trajtim në sistemin gjyqësor) ka mbështetje dhe mirëpritet. Masivizimi i kanizove në çdo rrugë e lagje qytetari ishte treguesi më i qartë i krizës ekonomike dhe një nga burimet e problemeve me kriminalitetin dhe informalitetin. Me leje zyrtare apo informale ato janë të tepërta, të panevojshme, penguese, dominohen nga pasoja negative dhe meritojnë të gjithë vëmendjen e shtetit.

Ndërhyrja e qeverisë nuk ishte reagim ndaj ndonjë premtimi elektoral, as angazhim që buron nga program qeverisës i miratuar në parlament. Ishte një akt force, i cili pasi prodhoi lajme interesante të lidhjeve të biznesit informal me politikën apo sponsorit e saj, mori formën e një akti politik. Në javën e dytë, kur aksioni dha sukses në sondazhe, kryeministri e shndërroi atë në prioritet qeverisës me angazhimin për “çlirimin” e Shqipërisë nga kazinotë, bastet dhe lojërat e fatit. Duket një bast i fortë, ndaj qeveria e shoqëroi betimin e saj me caktimin e një njësie sigurie për zyrtaren e re që mbulon administrativisht lojërat e fatit.

Qëndrimi i ri i qeverisë ka lënë në hije disa detaje me rëndësi. P.sh, çfarë vlere ka nëse policia bllokon lojërat e fatit në periferi, kur ato i kemi në qendër të Tiranës? A do trajtohen kazinotë e frekuentuara nga politikanët me të njëjtin standard? Cili është reagimi i të paktën tetë deputetëve aktualë që kanë investime direkte ose informale në biznesin e lojërave të fatit? Përse qeveria akuzon për lidhje të këtij binzesi me politikën dhe nuk pranon, p.sh, se në këtë rast janë pjesë të dy ose më shumë palë politike? A do të mbyllen disa biznese tani për tu hapur ca të reja nesër? Cila do jetë “strategjia e daljes” dhe si do të kompensohen kompanitë, të cilat siç u tha dje, kanë qenë me leje dhe korrekte me ligjin?

Të gjitha këto e shumë pyetje të tjera mund të kenë përgjigje. Një qeveri e ka për detyrë por edhe ka kapacitete të ofrojë zgjidhje. Ndaj nuk meriton më shumë vëmendje dhe fushata anti-kazino, nuk mund të na mbyllë sytë për të parë të alarmuar kazinonë më të madhe, burimin më të madh të informalitetit në politikë dhe jetën publike, - financimin e fushatave elektorale dhe partive politike. Në të njëjtë javë që qeveria dërgonte ca policë dhe dyfish kamera televizive për të bllokuar ndonjë pikë lojërash fati, në KQZ u depozituan deklarimet e kontrollit mbi financimet elektorale. Nuk është një praktikë rutinë, është një detyrim kushtetues.

Kushtetuta (neni 9) detyron partitë politike të bëjnë kurdoherë publike financimet e tyre. Bërja publike nuk nënkupton deklarim formal, por edhe analizë të përmbajtjes, të burimeve të financimit, të konfliktit të interesit, të përputhshmërisë midis deklarimeve reale dhe fiktive, etj. 15 vjet pas nga miratimi i Kushtetutës asnjë parti nuk e ka përmbushur këtë kriter dhe detyrim. Alibi kanë qenë e mbeten mangësitë në legjislacion, paqartësitë në kompetenca dhe pamundësitë në hetimin real të financimeve. Edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo Ligjin nga partitë politike nuk sollën ndonjë risi, financimi vijon të jetë informal, deklarimet vijojnë të jenë formale.

Konkretisht, referuar KQZ, PS dhe PD kanë shpenzuar në fushatën e fundit elektorale vetëm 2.8 milion dollarë. Për tu kuptuar sa shifër formale është: më 2011 ato së bashku deklaruan shpenzime rreth 3.2 milion dollar, pra 400 mijë më shumë sesa më 2013. Në zgjedhjet parlamentare 2009 PD shpenzoi 1.5 milion dollar, PS 1 milion dollarë, ose së bashku, 2.5 milion dollarë, 300 mijë më pak sesa më 2013. Këto shifra janë dukshëm relative. Të gjitha raportet kombëtare dhe ndërkombëtare (NDI, KE, OSBE, ODIHR, KZGJ, KH, TI, Mjaft, etj) kanë pranuar se më 2013 kemi të bëjmë me fushatën më të kushtueshme financiare në historinë e pluralizmit.

Partitë kryesore politike kontaktuan kompani të njohura ndërkombëtare në fushën e marketingut, çdo palë zhvilloi disa qindra aktivitete masive, mbi 100 autobusë e avionë sollën emigrant me bileta të paguara nga jashtë, rreth 10 mijë komisionerë lokalë apo anëtarë të grupeve të numërimit të votave u punësuan nga partitë me një pagesë paralele që shkon nga 50-200 euro, rreth 100 koncerte dhe aktivitete publike u filmuan edhe nga media, mijëra vullnetarë u vunë në funksion elektoral, rreth 200 mijë flamuj mbushën rrugët e vendit dhe shumëfish më shumë postera elektorale të paguara mbuluan çdo hapësirë publike. Këto janë vetëm disa prej një liste të gjatë shpenzimesh elektorale, shumica e të cilave nuk gjen reflektim, nuk përmendet ose nuk merret në konsideratë thelbësore në procesin formal të deklarimit të shpenzimeve në fushatën elektorale.

Fred Abrahams raportoi në The Hiffington Post, ashtu siç pati shumë raportime të tjera në media, për një Pazar votash që shkonte deri në 200 euro dhe të konfirmuar edhe nga partitë e mëdha politike. Një numër biznesmenësh – politikanë pranuan në intervistat e tyre të triumfit se kanë paguar disa qindra mijëra euro për suksesin elektoral, siç humbësit, në shumicë u ankuan për humbje të mëdha financiare në fushatë. Një numër deputetësh pranuan të depozitojnë në KQZ deklarime të rreme për shifra minimale kontributi personal, shifra që disa prej tyre realisht i harxhojnë për një fundjavë në Budva apo Korfuz.

Në çdo vend demokratik këto deklarime janë objekt hetimi. Në Shqipëri nuk vlejnë. Financimi i partive është temë tabu dhe transparenca kushtetuese e tyre një dosje e mbyllur konsensuale. Askush nuk e përmendi në parlament, në media, në deklarime dhe as në debatet televizive midis të pasurve të majtë dhe të djathtë. Mesazhi është i qartë: të gjitha palët janë të lira të blejnë, tregtojnë, keqpërdorin buxhetin elektoral dhe të bëjnë sikur deklarojnë burimet e financimit.

Qeveria e re dhe opozita e re flasin për gjithçka, premtojnë gjithçka, denoncojnë gjithçka, me përjashtim të financimit elektoral. Aty ende nuk ka shenja rilindjeje, as premtim rilindas, as ecje përpara, as ecje të shpejtë. Ka heshtje. Një kod që simbolizon lidhjet e politikës me botën informale. Duke refuzuar kushtetutën. Duke blerë sovranitetin. Duke tregtuar demokracinë. Duke humbur shansin e politikës me duart të pastra. Referuar këtij bilanci kritik një President na këshilloi javën e kaluar se pa politikë të pastër nuk mund të ketë as qeverisje të pastër. Ai ka të drejtë. Vetëm një parti/koalicion/klasë politike me integritet, transparente dhe e përgjegjshme mund të japë shpresë të sjellë integritet, transparencë dhe ndershmëri në pushtet, në sistemin qeverisës, në shoqëri. Ky është mësim historik, është kusht i panegociueshëm.

Ndaj çdo lajm tjetër ditor, herë për kazino e lojëra fati, herë për oriz e fasule, herë për fasada dhe lukse zyrash, herë për pensione e ndihma sociale të vjedhura, ngado që ai vjen, nga pasanikët e pushtetit ose opozitës, - nuk ka vlerë, bën lojë e bixhoz  me fatin tonë, nuk sjell besim, nuk krijon klimë antikorrupsion, nuk dëshmon lidership e seriozitet nëse nuk nis aty ku gjendet burimi i çdo sistemi korruptiv, - informaliteti elektoral, informaliteti i legjimitetit dhe sovranitetit.
 
 Shkrimi u publikua sot (29.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
 
Redaksia Online
(ac/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike