Të premten në orën 20:00 do të mbahet në stadiumin San Siro të Milanos ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike, por Shqipëria nuk do të parakalojë aty. Arsyeja kryesore është sepse do të ketë parakalime në 4 pika të ndryshme dhe duke qenë se Shqipëria nuk ka një traditë të suksesshme në Lojërat Olimpike, ashtu si edhe disa shtete të tjera, nuk do të jenë në San Siro më 6 shkurt.

Thelbësore për këtë vendim është edhe fakti që Shqipëria do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike vetëm me skiatorë, që do të thotë se parakalimet do të kryhen në Cortina d'Ampezzo dhe Livigno. Dy pika ku janë të përqëndruara sportet që zhvillohen përmes skive. Pika tjetër e parakalimeve do të jetë në Predazzo.

Në Cortina d'Ampezzo flamurmbajtësja e Shqipërisë do të jetë Lara Colturi, ndërsa në Livigno Deni Xhepa. Dy skiatorët e tjerë më të cilët përfaqësohet Shqipëria janë Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

Report TV u interesua edhe në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, pasi është aluduar se vonesa e plotësimit të dokumentacionit mund të ketë ndikuar në mosparakalimin në San Siro, por është mohuar kategorikisht. Sipas tyre element përcaktues për parakalimet është sporti ku shtetet përfaqësohen.

Lojërat Olimpike Dimërore nisin më 6 shkurt dhe përfundojnë më 22 të po atij muaji, ndërsa në total marrin pjesë 2900 atletë ku numrin më të madh e zë Amerika.