6 muaj pasi opozita u bashkua rreth emrit të Florian Binajt për Bashkinë e Tiranës, duket se ai nuk gëzon më mbështetjen e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike.

Edhe pse deri më 6 tetor ishte i bindur se Binaj do ta fitonte Bashkinë Tiranë, vetë kryedemokrati tha të shtunën se kryeqytetit do t’i ofrohet kandidati më i mirë, duke e shmangur qartësisht emrin e Binajt, ndërsa la një derë të hapur për partitë e tjera të opozitës për bashkëpunim.

“Opozita ka filluar punën dhe së shpejti përfundon procesin e analizës dhe zgjedhjeve brenda partisë. Ndërkohë që po mendohet, po punohet edhe për zgjedhjet lokale.

Pra nuk do jenë dy muaj përpara, ju siguroj do të jenë shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe ne do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira”, tha Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët.

Teksa është e paqartë se më kë kandidat do të shkojë PS në zgjedhjet vendore të 2027 për Bashkinë e Tiranës, veterani socialist Erion Braçe ka shpallur tanimë ambicien për të garuar. Sali Berisha e cilëson si “përfaqësues i një partie që është zhdukur pa nam e nishan”.

“Ai është, ose mbahet si socialisti, si një përfaqësues i një partie që është zhdukur pa nam e nishan. Por nuk është zhdukur, por ka marrë trajtën e re, sepse kjo parti lindi në krim.

Ndaj dhe më mirë të mos komentoj për problemet e tyre. PD do tu ofrojnë qytetarëve të Tiranës, kandidaturën më të shkëlqyer, do të bëjë gjithçka një front më të gjerë me të gjithë opozitën”, tha Berisha.

Kreu i PD deklaroi pa prova se janë 9 vende në BE që kanë bllokuar raportin për piketat e ndërmjetme IBAR, por shtoi se ato pritet të bëhen 13 dhe për të shkaku kryesor është qasja që ka PS në raport me kërkesën e SPAK për arrestimin e Belina Ballukut.