Lorenc Vangjeli: PD mund të refuzojë testin në 6 mars

Lorenc Vangjeli: PD mund të refuzojë testin në 6 mars

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Në një klimë me shumë tension, sidomos në kampin opozitar, do të mbahen zgjedhjet e pjesëshme lokale në gjashtë bashki të vendit më 6 mars. A është ky një test mes Berishës dhe Bashës për të matur forcat në elektorat?

Nëse në fillim të vjeshtës së vitit të kaluar, epërsia e Doktor Berishës ishte kryesisht perceptim për shkak të formës dhe rrethanave, por dhe vetë Bashës që e la bosh vendin e tij në duel, pesë muaj më pas, ngjarjet që kanë ndodhur, po e verifikojnë këtë perceptim. Një sërë sondazhesh të besueshëm, dëshmojnë jo vetëm ndarjen në dysh të partisë, por dhe dinamikat dhe përqindjet mes të dyve, Bashës dhe Berishës. Por tjetër realitet japin shifrat dhe tjetër është e vërteta politike dhe arsyetimi politik që mund të ngrihet mbi të njëjtat shifra. Nuk ka një binom Basha – Berisha, por ka kryesisht një qëndrim të demokratëve mbi vetë Bashën. Shumica e atyre që ndjekin pas Berishën e dinë mirë që ish-kryeministri nuk mund të afrojë në asnjë rrethanë një axhendë fituese për të gjithë demokratët. PD-ja me të do të jetë e destinuar të jetë në opozitë dhe një fasadë gjithmonë e më e zbehtë e pothuajpluralizmit shqiptar. Kjo shumicë e ndjek Berishën jo nga dashuria për ish-in, por nga urrejtja për Bashën. Berisha është instrumenti i pafuqisë së tyre për të larguar kryetarin e partisë edhe mbas humbjeve të njëpasnjëshme. Edhe kur është e qartë se ai, për hir të zyrës, është i gatshëm ta shndërrojë gjithë selinë në përmasën e një koteci, me kusht që të jetë gjeli i vetëm në kulm të kotecit. Në 6 mars, në ditën e humbjes së paralajmëruar të opozitës, demokratët që do të jenë brenda kampionit statistikor prej 350 mijë votuesish, do të kenë në dispozicion vetëm një votë: ata do të votojnë pro ose kundër Bashës. Ky është procesi që do të ndodhë dhe nga ky raport votash, mund të parakuptohet edhe vendimi i munguar deri më tani i gjykatës së Tiranës nëse ai është apo jo kryetari i PD-së. Ky votim do të shpjegojë forcën e dy kampeve. Por ka edhe një problem. Edhe pse deri më tani është refuzuar, ka shumë gjasa që Partia Demokratike t’i bojkotojë këto zgjedhje. Nëse ndodh realisht kështu, do të shpiken njëqind e një arsye, por arsyeja e vetme dhe reale do të jetë refuzimi i ballafaqimit të Bashës me demokratët e partisë së tij ende legale.

Basha duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet në mbajtjen e partisë, me çdo kusht, nga ana tjetër edhe Berisha është në të njëjtën strategji në një luftë që ngjan personale, a mund të ndodhë që të braktisen të dy nga elektorati?

Në mënyrë skematike dhe duke i parë partitë pak a shumë bardh e zi mund të thuhet se dinamikat e votuesit kapriçioz dhe shpesh të paparashikueshëm shqiptar, janë shumë të lëvizshme. Për momentin, për shkak të kontrastit, ata që kanë votuar maxhorancën, edhe nëse do të jetë të pakënaqur prej saj, do të jenë ende me të sepse nuk kanë ku të shkojnë gjetkë. Socialistët për ta nuk janë thjesht më pak të këqinj sesa kundërshtarët, por janë të vetmit si alternativë. Tek demokratët situata është shumë më interesante. Të gjithë të frustruarit nga të mbeturit në opozitë për tre mandate, të gjithë kundërshtarët e Bashës në vite dhe çdo lloj rryme apo individësh brenda saj, janë të gatshëm të hidhen edhe në qafën e djallit, vetëm që t’i shpëtojnë përqafimit me Bashën. Përballë tyre, janë ata që ju pëlqen status quo-ja. Logjikisht janë gjithmonë e më të paktë sepse kohë më e ligë sesa kjo status quo e partisë në opozitë, pa pasur ndonjëherë sy për Qabe’ që të ndryshojë, zor se mund të bëhet. Edhe pse e liga nuk ka fund. Mes këtyre palëve janë të shumtë ata që në rastin më të mirë janë të zhgënjyer nga të dy anët dhe në rastin më të keq për demokratët, ju shkelin një sy socialistëve. Shqiptarët, që kur kanë pasur nevojë, kanë ndëruar fe e besim, nuk e kanë të vështirë të ndryshojnë edhe ngjyrën e skuadrës për të cilën bëjnë tifozeri. Aq më tepër kur skuadra rrezikon seriozisht të bjerë fare nga kategoria.

Presidenti nga ana tjetër haptas ka marrë anësi, duke sulmuar Bashën dhe mbështetësit e tij, a është 6 marsi një provë që fronti Berisha-Meta të mbështesin një kandidat të tyrin, duke paralajmëruar edhe koalicionin në të ardhmen?

Ka një shprehje proverbiale të Sali Berishës pothuaj 20 vjet më parë në Kuvendin e Shqipërisë, kur kishte nisur konflikti Meta-Nano, i pari kryeministër dhe i dyti kryetar i PS-së në atë kohë: “Ju kam thënë të mijve, ne edhe me djallin do të bëhemi përballë Ilir Metës”. Aleanca fluide e Berishës me Nanon në atë kohë ishte pjesë e çudive anormale të politikës shqiptare, që shumë më shumë se logjikës, nevojës apo edhe vetë moralit, i bindet ligjësive të interesit. Interesi e diktonte dje Berishën të sillej në atë mënyrë, sot po interesi i përbashkët i detyron të dy, edhe Metën, edhe Berishën, të sillen njëlloj karshi njëri-tjetrit dhe përballë Bashës.

Pas një viti do të zhvillohen zgjedhjet lokale në të gjithë vendin, si do të përballet opozita dhe a ka gjasë që vendi të mbesë me një opozitë “koperturë” që ka disa deputetë në Parlament, por nuk ka as forcën dhe as dëshirën për të përfaqësuar frymën e opozitarizmit?

Opozita e djathtë është sot ashtu siç do të donte Enver Hoxha të ishte. Dhe nëse vazhdon në të njëjtën mënyrë, ajo do të bëhet edhe më keq, edhe pse duket e pamundur të shkasë edhe më poshtë fundit që ka prekur prej kohësh. Por ky nuk është thjesht problem i PD-së. Opozitarizmi nuk është luks. Eshtë nevojë dhe domosdoshmëri. Ka një shumicë shqiptarësh që janë kundër qeverisë Rama, por ata janë të papërfaqësuar nën një flamur politik. Rama po qeveris me një minorancë edhe pse ka shumicën, por minoranca përballë tij është edhe më tej në rrudhje. Në një vështrim thellësisht elementar, një opozitë e dobët nuk sjell një qeveri të fortë, përkundrazi: ajo është një parakusht për të gjitha dobësitë e qeverisjes. E bën atë më autoritare, më të papërgjegjshme, më pak të korrigjueshme.

Kryeministri Edi Rama me veprimet e fundit po tenton të “gjejë opozitarizmin”, por duke ofruar shfaqje në rrjetet sociale. A është në vështirësi Rama ku opozitarizmin nuk e ka më si “subjekt politik” por me qytetarët e zhgënjyer nga të gjitha palët?

Ky është thelbi. Ramën në të këtë rast nuk po e gënjen intuita e tij. Ai e di se shumica e shqiptarëve janë të pakënaqur me klasën politike në tërësi. Ajo është një nga dështimet më të thella të tranzicionit shqiptar. Eshtë çështje sistemi, i cili e ka përkthyer komunizmin e djeshëm në një sistem me liri më shumë dhe ka sendërtuar një kapitalizëm që ndërtohet me urdhër, një shtet që vazhdon të sillet si i fortë me individin dhe që vendos për fatin e tij në mënyrë kushtëzuese. Kjo është arsyeja se pse duke parë çfarë po ndodh në PD, kuptohet kriza e thellë e gjithë politikës shqiptare e cila përgjithësisht me gojën e personazheve të saj thotë atë që nuk mendon dhe bën atë që nuk thotë./ "Fjala.al" 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen