Lorenc Vangjeli për arrestet: Paraburgimi, “komunistët” e drejtësisë mbushin qelitë e burgut

Për analistin Lorenc Vangjeli, masa ‘arrest me burg’ që aplikohet rëndom nga organet e akuzës, është e ekzagjeruar në shumë raste. 'Eshtë një masë ekstreme, një masë përjashtimore, por që përdoret rregullisht.' Ai tha se kjo vjen si pasojë e mentalitetit sovjetik që karakterizon shoqërinë shqiptare, përfshi edhe opinionin publik, ndërsa shtoi se në kapitalizëm duhet të ndodhë krejt e kundërta. Duke marrë rastin e ‘Inceneratorëve’ që është ende nën hetim nga SPAK, Vangjeli përmendi rastin e ish-ministrit Lefter Koka dhe ish-deputetit Alqi Bllako. Për analistin edhe rasti i Thoma Gëllçit, ish-drejtor i RTSH-së, tregon sesi drejtësia shqiptare abuzon me masat e sigurisë. Sipas tij, të tre këta emra, apo qindra të tjerë që kanë fatin e tyre, qytetarë anonimë, janë harruar në qeli ndërkohë që mund të kishin një masë më të butë për aq kohë sa nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore.

'SPAK është një nga institucionet me besueshmërinë më të lartë tek publiku. Tek SPAK janë vënë shumë baste besimi. Shumica dërrmuese e publikutka pritshmëri të lartë që të shohë ministra, ish-ministra apo funksionarë të lartë me pranga në duar dhe në qeli. Ashtu qoftë! Por ka një vijë ndarjeje mes Lindjes dhe Perëndimit, që ndam mentalitetin perëndimor nga ai sovjetik stalinist të cilin ne e kemi mes nesh, por nuk e kuptojmë. Të gjithë personazhët që janë përfshirë në këtë histori dhe të ngjashme me to, përfundojnë si rregull në dhomat e paraburgimit. Sot, ndër dy njerëz që kanë humbur lirinë dhe që ruhen me gardianë, njëri është i paraburgosur. Shumë prej tyre qëndrojnë brenda me javë apo muaj të tërë pa e ditur se kur do të dalin në gjykatë dhe pa arritur madje edhe të pyeten, ndërkohë që sjellja e drejtësisë me ta duhet të jetë krejt ndryshe. Kapitalizmi ka si kult paranë.

Duhet të ndjekësh paranë sepse në fund fare qëllimi i ligjvënësit për të luftuar krimin është të shkatërrojë të mirat materiale dhe jo material që janë përfituar nga veprimtaria kriminale. Burgu nuk është qëllim në vetvete dhe sidomos arresti me burg është një nga instrumentet më represivë dhe më të shpërdoruar në Tiranë. Është një masë sovjetike. Josif Stalini mjaftonte të kishte një dyshim, të fuste në burg dhe pastaj priste të provonte krimin. Jo, demokracia është krejt ndryshe, të prezumon të pafajshëm deri sa gjykata të vendosë fajësinë me vendim të formës së prerë. Ndaj, përkundër mendimit të shumicës, unë mendoj ndryshe. Po ju përmend tre emra, sa për të marrë shembullin. Lefter Koka do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, kur ndërkohë i është bllokuar pasuria, i janë sekuestruar asetet dhe s’ka asnjë mundësi për t’u larguar apo për të prishur provat e hetimit. Pse duhet të vijojë të qëndrojë brenda Lefter Koka? Alqi Bllako, përfundoi në qeli gjithashtu. Çfarë do të ndodhë me të. Debati, ka ikur, s’ka ikur, u bë sport i mediave. A ka mundësi ky njeri të ndërhyjë në hetim duke qëndruar në arrest shtëpie për shembull apo duke lënë një garanci pasurore, siç parashikon në masat alternative kodi i procedurës penale? Ish-drejtori i përgjithshëm i RTSH Thoma Gëllçi po ashtu.

Mund ta ndryshosh gjykatës e prokurorë edhe brenda një nate të vetme, por mentalitetin që i mbizotëron ato, nuk e ndryshon dot. Nuk është thjeshtë çështja e ndëshkimit. Nuk paguan individi vetëm me burg. Përmenda tre emra por janë me qindra qytetarët që paraburgosen dhe harrohen brenda. Mbasi kalojnë një vit apo më shumë në qeli, dënohen në fund me kohën e paraburgimit.
Mund t’ju përmend gjithashtu një proces që edhe disa kolegë të tjerë gazetarë, nga më të njohurit në media, janë duke e ndjekur me një vëmendje të veçantë. Bëhet fjalë për një doktor profesor, një nga profesionistët më të mirë shqiptarë dhe i mirënjohur ndërkombëtarisht. Edvin Prifti kardiokirurg, mbi të cili u ngrit një histeri publike në momentin e arrestit, vazhdon të jetë nën hetim. Por nga shkurti i vitit të shkuar, Dr. Priftit i është hequr e drejta e profesionit, e cila është një masë plotësuese e cila zgjat vetëm 3 muaj, me të drejtë ripërsëritje.

E thënë me fjalë të tjera, Gjykata i ka hequr nga dora bisturinë këtij doktori që është nga më të mirët duke i refuzuar qytetarëve dhe prindërve tanë talentin e këtij doktori. Le të vijojë gjykimi, por duke i hequr bisturinë atij nga dora është shkaktuar një dëm shumëfish më i madh. Kush paguan për shërbimin e munguar të këtij doktori? Fatkeqësisht, ne shqiptarët në shumëçka, jemi ende matanë murit të Berlinit. Ende nuk e kemi rrëzuar Murin tonë të berlinit që na mban nën thundrën e mentalitetit lindor, komunist. Mentaliteti është një emergjencë për t’u ndryshuar' – tha Vangjeli për “Kontrast” në Report TV.

M.Q./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Juristi: 02/04/2022 16:26

    Gjithollogu Vangjeli do ketë marë këstin e radhës, nga shkrimi duket se ka qenë I konsiderueshëm. Një nga kriteret për vendosjen e masave të sigurimit është ai i dyshimit të arsyeshëm mbështetur në prova " kur kzistojnë prova që vepra penale është kryer, dhe është kryer nga personi që akuzohet". Gjithashtu masat sigurimit arrest me burg jepen edhe në rastet kur I akuzuari ka dyshime që mund të largohet për t'ju fshehur drejtësisë , kërcënojnë dëshmitarët etj.. . Ku e ke sot Adriatik Llallën ?? Dhe së fundmi, gjyqtari e jep vendimin në bazë të bindjes së brendëshme mbështetur në prova, dhe nuk ka përgjegjësi penale për të. Kush ka ankesa për një gjyqtar mund ti drejtohet ILD -së, edhe në rastet kur nuk ka lidhje me çështjen. Mos duhet bërë referendum për masat e sigurisë ???. Ti mund të kesh të drejtë për sa shkruan vetëm nëse të gjithë këta që ti përmend më sipër dalin të pafajshëm.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK