Lorenc Vangjeli: PS drithëron kur kollitet Edi Rama

Lorenc Vangjeli: PS drithëron kur kollitet Edi Rama

Kryeministri Edi Rama

Në hetimin e dosjes së inceneratorëve SPAK dhe gjykata kanë arrestuar një ish-ministër të Ramës Leftër Kokën dhe deputetin socialist Alqi Bllako, ndërsa nuk dihet ende se deri ku mund të shkojë hetimi i mëtejshëm. A i lëkund kjo situatë pozitat e qeverisë? Rama është shprehur se “përgjegjësia është individuale”, por në gjykimin politik, a mban përgjegjësi për përfshirjen e këtyre individëve në listën e deputetëve të PS-së?

Natyrisht kjo nuk është një pozitë komode për qeverisjen. Në një rast hipotetik që nuk ndodh, edhe sikur gjithçka për të akuzuarit të shkonte mbarë dhe prezumimi i tyre i pafajsisë, i anashkaluar tashmë për fat të keq, të vërtetohej deri në fund nga gjykata, ecja nëpër baltrat e kësaj historie, ka hedhur baltë mbi gjithë qeverisjen. Sado të ketë betime për pastërti, sado që të ketë distancim e mohim për mëkatarët e mundshëm, sado të thuhet se përgjegjësia është vetëm individuale dhe se PS nuk është strehë e atyre që shkelin ligjin, minimalisht publiku do të mbajë shënim se PS kishte qenë partia e atyre të arestuarve, siç kishte qenë më parë për ta edhe LSI.

Për politikanët, përgjegjësitë në një shtet të së drejtës janë tre llojesh: politike, morale dhe penale. Deri më tani ne po shohim ushtrimin e drejtësisë për të gjetur përgjegjësitë penale. Ato morale jepen kohë mbas kohe dhe ideja se administratorët e pushtetit nuk janë virgjëresha përballë tundimit ndaj parasë publike, është bërë tashmë rregull dhe jo përjashtim. Përgjegjësia politike ka tjetër gjykatës dhe ai as nuk merret me dosjet e SPAK-ut, as me denoncimet, akuzat, kundërakuzat apo shfajësimet veç e veç, por merret me të gjitha ato së bashku, njëherësh me gjithë veprimtarinë e qeverisjes. Publiku vendos me votë për përgjegjësinë politike të një shumice dhe kjo ndodh si rregull njëherë në katër vjet. Të paktën në 2025-ën, nëse gjërat shkojnë normalisht, atëherë duhet të pritet gjyqi i Edi Ramës me gjykatës opinionin publik, por që shumëkush nxiton ta bëjë që tani e ditë mbas dite dhe jo krejt gabim. Problemi është shumë më i gjerë, shumë më i thellë, shumë më i rëndë sesa duhet.

Sa për një shembull: Presidenti i Republikës apo kryeministri duhet të punojnë tre vjet të mandatit të tyre, të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për ushqim e veshje, për shëndetësi apo argëtim, që të jenë në gjendje të blejnë një garsonierë në Tiranë. Dhe natyrisht jo në bllok. Hesapi është i thjeshtë, paguhen me rreth 25 mijë euro në vit dhe çmimi i një metri katror, jo në ish-Bllok, shkon tek dy mijë eurot. Që nga lartësia e tyre në piramidën e administratës e deri në hallkën e fundit, tek nëpunësi i rojes tek dera e spitalit, ka të njëjtën qasje hipokrite ndaj ligjit dhe moralit. Edhe ai është i gatshëm të mbyllë sytë nëse i jep dyqind lekë në dorë për të hyrë jashtë orarit të vizitave. Mes këtyre dy skajeve, qëndrojnë të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Për ta parë të vërtetën në sy dhe për të mos u fshehur mbas gishtit të trashë të naivitetit hipokrit, në Shqipëri, në shumicë dërmuese, “ëngjëj” janë vetëm ata që nuk kanë mundësi të bëjnë mëkate. Nuk shkelin barazinë në tendera ata që nuk kanë mundësi të firmosin për to, nuk shijojnë bakshishin ata që nuk kanë asgjë për të afruar. Dhe në këtë valle të pistë kërcejnë me rradhë që nga politikanët që u kushton kostumi më shumë se rroga mujore që marrin e deri tek vajzat e Show Bis-it që sillen në shumicë sot sikur mbajnë vithet e djeshme të Kardashianit dhe kanë kartat e saj bankare.

Brenda kampit të mazhorancës ka një “përbërje ndryshe” të Grupit Parlamentar të PS-së, ku fillimisht ishte Mimi Kodheli që mori mandatin e deputetes, Fatmir Xhafaj që theu herësin duke marrë vota individuale dhe së fundmi Pandeli Majko që mori mandatin që iu hoq të arrestuarit Bllako. A është ky tregues që PS e “traditës” dhe koncepti i Rilindjes kanë një ndarje grupimesh, pavarësisht se i bashkon pushteti?

Në PS nuk ka grupime të caktuara, në konceptin që i jepet kësaj fjale në politikë. Në PS ka po aq grupe sa individë janë brenda saj. Ka aleanca fluide, ka intersa të ndryshueshme, ka nuanca që theksojnë të njëjtën gjë dhe me ndonjë përjashtim terësisht të rrallë, ka një garë të të gjithëve, kundër të gjithëve, se kush do të jetë nën këndin e vështrimit të Edi Ramës. Sërish me përjashtime dëshpëruese për një parti që drejton vendin për nëntë vjet, nuk ka më shumë se një grusht njerëzish me individualitet dhe integritet. Xhafaj dhe Kodheli hyjnë në këtë pakicë, për të mos bërë listë, por as Pandi dhe as Majko, madje edhe të dy bashkë, as Pandi Majko, nuk kanë më tepër për të thënë sesa të pranohet se edhe tundja e derës është punë.

Duke parë zhvillimet në kampim e PD-së, me përçarje, akuza dhe shpërbërje edhe ideologjike, që vijnë nga drejtime me “dorë të hekurt” dhe autoritare të kryetarëve, a mund të nisë një “katarsis” edhe brenda PS-së, apo në këtë rast janë me parimin: “sa të jemi në pushtet mbështesim kryetarin dhe mënyrën e drejtimit të tij, dhe nëse humbet akuzojmë kryetarin?

Nuk është e njëjta gjë sepse situatat janë të ndryshme. Mandati i 2017-ës ishte totalisht mandati që Rama jua dha vetë socialistëve, kurse mandatin e tretë dhe të katërtin, me shumë gjasa, ai i ka marrë dhe mund t’i marrë me aleancën e ngushtë me dy B-të e PD-së, Bashën dhe Berishën. Situata në PS që duket rozë nga jashtë është inkadeshente brenda dhe vetëm autoriteti dhe hija e Ramës dhe pushteti, i bën ato të rrinë mbyllur. Por nëse ndodh të hapet Pandora socialiste, kutia demokrate do të dukej shaka. Fundja kjo gjë është normale, sidomos në një vend që refuzon të njohë hierarkinë, ku analfabetët flasin si akademikë, ku mëkatarët citojnë Biblën dhe Kuranin dhe ku prostitutat politike shkruajnë traktate morali e ndershmërie. Në këtë botën tonë ku nuk mungojnë të marrët me fat, është fatkeqësi që ata janë njëkohësisht edhe të ligjtë me fat!.

Kongresi i Partisë Socialsite do të mblidhet pas pak ditësh. Kryeminstri Edi Rama vendosi që mandati i Kryetarit të Partisë është katër vjet dhe nëse humbet zgjedhjet duhet të japë menjëherë dorëheqjen, gjithashtu pritet të largohen edhe 61 kryetarët e PS-së në rrethe, pse kjo lëvizje?

Sa kohë që projekti i Ramës është projekti fitues për partinë e tij, gjithkush mund të lëvizë, përveç atij vetë. Në PS nuk ka kolegjialitet, por ka vertikalitet. Lëvizjet janë të domosdoshme, madje edhe në kabinet dhe Rama që politika ja ka sofistikuar sizmiografin vetjak, e di më mirë se kushdo dhe e ndjen më mirë se kushdo nevojën për ndryshim. Nevojën për lëvizje. Edhe autobuzët në unazën e vogël të Tiranës i sheh gjithmonë në të njëjtin stacion, por ata nuk rrinë në prehje: i kanë ardhur rrotull rrugës së unazës, ku sipas rradhës që cakton vetë Rama, ca hipin pa e ditur se ku shkojnë dhe ca zbresin pa ditur pse i nxjerrin jashtë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mondi: 08/04/2022 20:16

    Z.vangjeli per majkon kini te drejte sepse e vetmja gje qe ai di te bej eshte te buzeqeshi si idiot. Por ai lloj idjoti do te dali si deputet ne pension

    Përgjigju
  • Leon: 08/04/2022 16:54

    z Vangjeli, cdo parti ka demokraci por ka dhe hierarki, kete te fundit jemi mesuar ta harrojme keto kohet e fundit, sidomos kur levrojme teori politike neper diskurse edhe neper panele televizionesh, eshte ngulitur ideja qe demokraci e brendshme do te thote nje organizim fluid e pa koke e bisht; nderkohe qe eshte e kunderta. Demokracia ekziston dhe duhet ushtuar ne ato dritare e hapesira vendimmarrjeje qe cdo parti ka, dialogu duhet te jete i perhershem, por partia politike si cdo organizate duhet te funksionoj si formacion, dhe po u prish formacioni, humbet ndeshjen...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen