Me të njëjtat vota, 73 pro të mazhorancës dhe 61 kundër të opozitës u miratua edhe Lotaria Kombëtare, dhënia me koncesion e të drejtës për organizimin e saj nga kompania austriake, Austria Lottery me vlerën e 3.5 milionë dollarëve. Edhe ligji i Medias Audiovizive, kaloi me 73 votat e koalicionit PD-LSI dhe 61 kundër të opozitës.
Këto privatizime u shoqëruan me debate të ashpra e të zjarrta mes deputetëve opozitarë e të mazhorancës të cilat përfshirë sot sallën e Kuvendit në një seancë maratonë të nisur prej orëve të mëngjesit të sotëm e deri më 22:00 të mbrëmjes.
Mes batutash, u votua vetëm nga mazhoranca projektvendimi, i cili i hap rrugë referendumit për votimin e tre ligjevet, si një ndër kushtet nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
DEBATET SOT NE KUVEND
Debate të ashpra e të zjarrta mes deputetëve opozitarë e të mazhorancës kanë përfshirë sot sallën e Kuvendit, në lidhje me kontratat e privatizimeve të 4 HEC-eve të Bistrica 1, Bistrica 2 në jug të vendit, Ulzës dhe Shkopetit në veri të vendit, privatizimin e Lotarisë Kombëtare dhe Ligjin e Mediave audiovizive.
Opozita prej kohësh ka kundërshtuar privatizimin e tyre, ndërsa edhe sot gjatë zhvillimit të seancës plenare, argumentoi se këto objekte janë fitimprurëse dhe se qeveria po i shet me çmime nën vlerën e tyre. Konkretisht, opozita e quan privatizimin e 4 HEC-eve të shpejtuar dhe akuzon maxhorancën për privatizim të nxituar për qëllim elektoral. Kompania turke KURUM i ka blerë këto HEC-e me vlerën e 110 milionë euro.
Debatet janë shoqëruar edhe me replika mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili deklaroi nga foltorja e Kuvendit se procesi i privatizimit të hidrocentraleve nuk është transparent dhe shitja e tyre bëhet nën çmim:
Ruçi: "Dështove me 3 privatizimet strategjike".
Reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Kryeministri Berisha, i cili u shpreh: "Na duhen para për të ndërtuar shkolla, rrugë. Ju shitët falas 24 HEC-e. Ju ka mbetur mendja te karrigia e kryetarit. PS është kthyer te muzeu i Enverit. Nuk jeni më në lista. Rama do të zbresë Ruçin nga kali. Cacit i preu kokën pas darkës, s'e ka më këshilltar".
Në replikë kryetari i grupit Parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi tha: "Anatemon PS se s'ke çfarë të thuash. Privatizimi është një proces jo transparent. Po shet HEC-et disa herë më pak se vetë qeveria turke shiti HEC-et e veta."
Polemikat pasuan më tej në lidhje me një tjetër kontratë të rëndësishme, atë të dhënies me koncension të së drejtës për organizimin e Lotarisë Kombëtare, e cila i është besuar Austria Lottery me vlerën e 3.5 milionë dollarëve. Partia Socialiste e konsideroi kontratën e shitjes, si shumë të lirë dhe se i garanton monopolin vetëm një subjekti, ndaj thekson se do ta prishë atë me çdo kusht pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Partia Demokratike e mbron kontratën me faktin se vetë ligji e përcakton këtë lloj loje masive, si monopol.
Ndërsa, edhe lideri i opozitës Edi Rama nuk ka munguar në këto debate. Përmes rrjetit social Twitter kryesocialisti Rama deklaroi se PS në pushtet do t'ia kthejë publikut të drejtën e pronësisë mbi këtë lojë "Argumentat e qeverisë për Llotarinë Kombëtare, krejt vetëdiskredituese! Ne do t'ia kthejmë publikut të drejtën e pronësise mbi këtë lojë", -shkruan numri një i opozitës në Twitter.
DEBATET PËR LOTARINË KOMBËTARE
AHMETAJ: LOTARIA KOMBËTARE NUK ËSHTË MONOPOL, BODE: E PËRCAKTON LIGJI TË TILLË
Ora: 14:45 “Lotaria kombëtare nuk duhet të jetë monopol. Kur të vijnë në pushtet, do ta anullojmë kontratën e saj. Përse të jetë monopol, kur mund të japim 3-4 licenca të tilla? Ajo nuk është një investim strategjik”- Kështu e ka nisur debatin e tij në Kuvend, për këtë çështje, deputeti socialist Arben Ahmetaj.
“Lotaria kombëtare, e cila nuk duhej të shitej”, - tha ai, -“është shitur me çmimin më të ulët të mundshëm. Ky është qëllimi i kontratës, që i është paraqitur sot Kuvendit. Dua t’i tregoj qytetarëve shqiptare se cfarë qëllimi ka, duke cituar nenet e saj.”
“Thuhet se shteti pas kësaj licence, nuk do japë më licenca të tilla. po kujt i shërben ky monopol, në Republikën e Shqipërisë?”- pyeti Ahmetaj. –“Kjo është një lojë, një lotari kombëtare që shteti mund ta përdorë vetë”.
“Së dyti, thuhet se Republika e Shqipërisë nuk do të lejojë as tani, as në të ardhmen ndonjë person të prodhojë, ushtrojë etj. një kontratë të ngjashme. pra, kjo do të thotë që me këtë nen, i lidhen duart administratës së ardhshme. Kjo do të thotë që operatorit, t’i garantohet monopoli. Cila është arsyeja që nesër të mos japin 3 a 4 licensa të tilla?”, - theksoi ai.-“Pse t’ia lidhim duart edhe qeverive të tjera që do vijnë?!”
“Pra, kushdo që bën transparencën e kësaj kontrate, e sheh se qeveria ka garantuar monopol dhe paprekshmëri. Lojërat e fatit nuk janë investime strategjikë, që të jenë monopol. Si përfundim, sigurisht që kjo lotari do të anullohet pas 23 qershorit, pavarësisht sesa klauzola keni vënë ju për t’i lidhur duart, qeverisë së ardhshme. Po jua them në emër të qytetarëve shqiptarë se kjo lotari do anullohet dhe s’ka pikë rëndësie nëse shkojmë në arbitrazh për të”.
Përkundër qëndrimit të socialistit Ahmetaj, u ngrit ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili tha se “Lotaria kombëtare është monopol, ndaj sillet në Kuvend. Na u tha këtu se do japim 3-4 licenca si ajo. Por a mund të thoni a ka ndonjë vend që nuk e ka monopol?! Po të mos ishte monopol, nuk do të vinte në Parlament. Ju e dini që ne kemi hequr të gjitha licencat për lojërat e fatit dhe nuk kanë nevojë të vijnë në Parlament. Por, ka një ligj të votuar nga ju: Ligji për lojërat e fatit, që merret me përcaktimin e kësaj çështjeje. Dhe kjo ekziston në çdo vend të botës. Lotaria kombëtare nuk hyn në lojërat më fitimprurëse, por më masive, me qëllim që qytetarët në mënyrë vullnetare të marrin pjesë më aktive në to për t’i dhënë një sens më aktiv, të ardhurave të tyre”.
BALLA: FIRMA ISHTE PARACAKTUAR
Ora 14:29 Deputeti socialist Taulant Balla tha se “Sot Sali Berisha po mbyll edhe pazarin e Lotarisë Kombëtare. Dua të them që në fillim se Lotaria Kombëtare nuk mund të shitet në kushtet e sotme të Shqipërisë sonë. Ajo është në shumë vende të zhvilluara një instrument publik për financimin e sporteve dhe programeve sociale. Si ka mundësi që kompania që po e blen është një kompani licencash monopol shtetërore në Austri, ndërsa Shqipëria e shet! Prandaj ne ju themi sot se edhe në Shqipëri pas 23 Qershorit ne do ta vendosim Lotarinë Kombëtare në dispozicion të Sportit e Rinisë, ne do ta rilindim sportin shqiptar".
"Pse kjo kontratë është një kontratë korruptive! Ky është një pazar i mbyllur shumë kohë më parë sesa të fillonin procedurat për shitjen e kësaj licence. Shpallja fitues e “Austrian Lottery” ishte paralajmëruar që para se të zhvillohej tenderi. Po kush janë shkeljet dhe abuzimet e kryera posaçërisht për avantazhimin e kompanisë së pazarit të fundit të Saliut? Kriteret që Sali Berisha përdori në tenderin e dhënies së kësaj licence ishin përjashtuese dhe çuan drejt një rezultati të paracaktuar.
Qeveria shqiptare", - tha Balla,- "ka vendosur si kriter të detyrueshëm në tender disponimin nga kompanitë pjesëmarrëse në tender të dy certifikatave. E para ishte certifikata e lotarisë së përgjegjshme e nivelit të katërt dhe e dyta është certifikata e standardit të kontrollit të sigurisë. Të dy këto certifikata lëshohen nga Shoqata Botërore e Lotarive vetëm për Lotaritë Kombëtare. Këto certifikata disponohen kryesisht nga lotaritë kombëtare, të cilat janë kompani ose plotësisht publike ose në një pjesë të caktuar kontrollohet nga shteti. Për rrjedhojë ky kriter përjashtoi automatikisht nga tenderi të gjitha kompanitë private më të mëdha në botë me eksperiencë në fushën e lotarive. E dyta, për shkak se kanë natyrë publike lotaritë kombëtare që disponojnë këto licenca marrin shumë rrallë pjesë në tenderë ndërkombëtare. Kjo kufizoi në mënyrë të ndjeshme pjesëmarrjen në tender. Po ashtu, si pjesë e pazarit Qeveria Shqiptare nuk vendosi çmimin si një nga kriteret konkurruese në tender, por e përcaktoi atë të fiksuar. Keni dëgjuar ndonjëherë të bëhet një tender ku çmimi është i fiksuar, vetëm 3.5 milionë euro. Krahasimet nxjerrin se Shqipëria ka ofruar çmimin më të ulët në botë të shitjes së licencës".
Për replikë, ministri i Financave Ridvan Bode tha ”Jemi vendi i fundit që e miratojmë. Eksperienca që përmendi PS i takon një periudhë të viteve 50- 60, ndërsa vitet e fundit ka shvendosje që lotaritë kombëtare i janë deleguar kompanive private”
HAXHINASTO: ÇMIMI I PRIVATIZIMIT U VENDOS NË TREG TË HAPUR
Ora 12:15 Haxhinasto shpjegoi pse HEC i Lanabregasit u shit 3.3 milionë euro megavat dhe se cmimi i 4 HEC u vendos nga tregu. “Referenca e çmimit për 4 HEC është ajo që u paraqit në një tender të hapur. Nëse thonë se çmimi nuk vendoset në një treg të hapur është problem serioz”- tha Haxhinasto.
RUÇI: QEVERIA TURKE I SHITI HEC-ET MBI 3 MLN EURO PËR MEGAVAT
Ora 12:10 Kryetari i Grupit PS Gramoz Ruçi në replikë të dytë tha se Berisha nuk i ktheu përgjigje pyetjeven “pse shqiptarëve ua shet 3 milionë euro kilovat, (e ka fjalën për Hec e Lanabregasit) ndërkohë që kompanisë turke ia jep 1.4 milionë, 5-6 herë më lirë?"
"Qeveria turke -tha Ruçi- HEC-tet i ka shitur 6.7 milionë megavat, 6. 8 milionë megavat, 3.3 milionë, 16. 5 milionë, 8. 3 milionë, ndërsa Berisha ia jep 1.4 milionë euro megavat."
BERISHA: BËHUNI BURRA, QE TA NDAL SOT REFERENDUMIN DHE TE VOTONI LIGJET
12:05 "Pse nuk më thoni: z. Berisha, ndale atë referendum se do të votojmë ligjet? Dhe unë do të jem shumë i kënaqur. Ku e kam atë që u bë si Abdyl Frashëri? Bashkim Finon? Ja ku e keni!"- iu drejtua kryeministri deputetëve PS.
BERISHA LEXON OPINIONET E INSTITUCIONEVE TË HUAJA
12:00 Kryeministri citon vlerësimet pozitive të institucioneve të huaja për ndikimin e krizës ekonomike në Shqipëri. "Ja si shkruajnë", - tha ai duke lexuar në anglisht e përkthyer po vetë:
"E para, rënia ekonomike ndodhi kudo, po jo në Shqipëri; e dyta, Shqipëria përballoi shumë mirë ambientin ekonomik të jashtëm jo të farvoshërm; e treta (dëgjon zhurma në sallë)... prisni, do t’i dëgjoni këto se gjithë ditën dëgjoni mediat që përdor Rama për t’ua nxirë shqiptarëve, mundin e djersën e tyre. Këto që ka arritur ekonomia shqiptare, ju s’mund t’i mohoni kurrë. Drejtorja rajonale e Bankës Botërore thotë: Shqipëria, ndër të paktat në botë që mbajti një rritje ekonomike të qëndrueshme 3,3% . Këtë duhet të besoni ju, jo kryetarin tuaj që thotë se ka rritje por s’ka punësim. Absurde! Se, e morët vesh që iku Caci? S’e ka më këshilltar! Iku ai! I bëri darkën dhe i preu kokën. Po ku e kam atë që u bë si Abdyl Frashëri? Bashkim Finon. Ah, ja ku qenka, në sallë!"
Gjatë fjalës së tij, kryeministri përmendi edhe opinionin e ministrit italian të Ekonomisë, të "Umberto Grillos" tha Berisha, duke i ngatërruar mbiemrin me atë të njeriut të ditës në Itali, Beppe Grillos. Kjo situatë krijoi të qeshura në sallë, të cilave iu bashkua edhe vetë me humor, duke e rregulluar gabimin: Umberto Grilli.
BERISHA: PS SHITI FALAS 24 HEC
ORA 12:05 Berisha tha se shitja e HEC është bërë mbi mesataren e shitjeve të HEC-eve të tilla në botë dhe sulmoi PS se vetë ajo fali 24 të tilla.
“Në kohën kur PS mori kursin e reformave, e mori nuk e them por tani është kthyer tek muzeu i Enverit, është e vërtetë që bëri disa privatizime por sa i shitët ju 24 HEC? I keni falur. Mirë unë që e zbrita nga kali atë në vitin 1992, dhe ta zbresësh dhe tani nga kali që ka mbetur këtë e bën Edi Rama dhe jo unë"- tha kryeministri nga foltorja e Kuvendit.
RUÇI: DËSHTOVE ME 3 PRIVATIZIMET STRATEGJIKE
Ora 11:55 “Z.Kryeministër, anatemimi që i bën opozitës se ajo është kundër privatizimit është demagogji", - tha kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi,- "pasi PS është pro privatizimit, kur ai është kushtetues, është pro privatizimit, kur ai është ligjor. Ti duhej të jepje llogari pse dështove me privatizimin e parë strategjik që është shpërndarja e energjisë elektrike. Ti duhej të jepje llogari këtu në parlament, pse dështove në privatizimin e dytë, atë të ARMO-s. Ti duhet të jepje llogari, pse dështove në privatizimin e tretë strategjik, që është Albpetrol. Ky është suksesi dhe dështimi jot, porsa u përket reformave në fushën e privatizimeve. Kurse ato që ka bërë PS dje në pushtet janë njëra më e suksesshme se tjetra dhe t’i kam përmendur këtu në parlament të nënta. Pra sot debati nuk është politik zoti kryeministër. Sot po privatizojmë një pasuri kombëtare. Dhe deputetët e opozitës të kërkojnë hesap: Pse ky privatizim është i personalizuar? Nuk dhe asnjë shpjegim. Pse ky privatizim është nën çmim? Nuk dhe asnjë shpjegim. Përse ofertuesi nuk ka asnjë përvojë në fushën e energjitikës? Përse nuk ka asnjë transparencë për privatizimin e kësaj pasurie kombëtare? Përse z.Kryeministër ndërrove vendimin e qeverisë të miratuar nga ti vetë, që të përshtatje të dhënat e ofertuesit me vendimin e qeverisë? Vendimin e qeverisë e kishe miratuar ti nuk e kishim miratuar ne. E ndryshove, pikërisht, kur u paraqit ofertuesi që duhet ta plotësonte ligjin, Kushtetutën e Shqipërisë, që kërkon opozitën. Dhe për të vazhduar më tej".
"Vjet ua shite qytetarëve të kryeqytetit tënd 15 milionë euro", - tha Ruçi, -"3 milionë euro për një megavat; me këtë çmim ua shite, dhe do ta shlyejnë qytetarët e Tiranës nëpërmjet faturave të ujit. Qeveria turke jo më larg se vjet e shiti një megavat 2.4 milionë euro, kurse kompania turke e blen jo te qeveria turke, po te qeveria jote 1.4 milionë euro. Këtë llogari të kërkon opozita dhe ti s’jep asnjë përgjigje.
Opozita për të vazhduar më tej të kërkon hesap: E ke shitur 100 milionë, dhe me llogari, 20 milionë është fitimi në vit. Për katër vjet shlyen të gjithë detyrimin, e parave që dha. Ja pse themi që ky çmim nuk është transparent, është korruptim ky akt privatizimi. Duhet ta dinë shqiptarët, nëse është shitur 100 milionë, gati 40 milionë në qeverisjen e PS është marrë një kredi nga Gjermania për rikonstruksionin e Bistricës 1 dhe 2. 40 milionë euro që do t’i shlyejë populli shqiptar për këto HEC-e që shiten sot. Pra vetëm me fitimin e një viti dhe kredinë që duhet të shlyejmë shkojnë 60 mln euro në vit. Për këto duhet t’i japësh shpjegime qytetarëve shqiptarë".
ÇEZ, BERISHA: PROCESI I PRIVATIZIMIT ISHTE I RREGULLT
Ora 11:40 Lidhur me dështimin e CEZ Berisha tha se “Privatizimi ishte i rregullt dhe i sukseshshëm. Dështoi në Shqipëri, tregu i ka këto rregulla, po dështove ike".
Ai shtoi se “Privatizimi i HEC nuk ka lidhje me zgjedhjet... Sulmuat kromin, por ne do të trefishojmë investimet në këtë sektor. Me alergjinë tuaj ndaj tregut ju garantoj se një nga një do përfundoni roje dhe murator në muzeun e Hoxhës në Gjirokastër”.
BERISHA: JU KA MBETUR MENDJA TE KARRIGIA E KRYETARIT
Ora 11:39 ”Pse ju nuk bëheni pjesë e këtyre zhvillimeve por ju ka mbetur mendja te karrigia e kryetarit. Ju garantoj se do ta këndoni atë këngë edhe 15 vjet të tjera, por më mirë angazhohuni për problemin e qytetarit sesa për karrigen e kryetarit. Zgjidheni vetë.”
BERISHA, DEPUTETËVE TE PS: RAMA PO JU HEQ NGA LISTA, JU BEN KURBAN
Ora 11: 43 Berisha u tha deputetëve socialistë se kreu i PS-së do i heqë nga lista e deputetëve për zgjedhjet e qershorit.
“Nga lista po ju heq. Kur e nisi me Kukësin Kurbanin, juve s’ju ka asgjë. Çfarë t’ju them unë ju”
BERISHA :PRIVATIZOJMË SE NA DUHEN PARA PËR SHKOLLA E RRUGË"
Ora 11: 30 Kryeministri mori fjalën në mbrotje të privatizimit duke sqaruar se do ishte transparent me publikun duke i "përmbajtur parimit se duhet të jemi të hapur."
“Ne i privatizojmë sepse energjinë mund ta blejmë, por rrugët e shtruara nuk i blejmë dot duhet t'i shtrojmë vetë. Rrugë të asfaltuara nuk gjejmë në tregje ndërkombëtare. Shkolla të reja nuk importojmë dot, na duhen para për të ndërtuar shkolla. I privatizojmë sepse po ndërtojmë dhjetra të tjera, subvencione për ullishtet, arrorë serat. Na duhen para për ju.”
SHEREFEDIN SHEHU: PS FALI 15 HEC-E
Ora 11:20 Deputeti demokrat, Sherefedin Shehu tha se nuk po privatizohen burimet ujore por diga dhe asetet e HEC-ve dhe të ardhurat do të kthehen në investimeve, në rrugë, shkolla e spitale. “Nuk ka të bëjë aspak me përmbajtjen e këtij ligji. Ne e kemi bërë këtë debat dhe e kemi marrë vendimin për privatizimin sot bëjmë vetëm ratifikimin e kontratës. Me këtë akt nuk bëhet privatizimi i ndonjë burimi, por diga, makineritë, asetet që kanë të bëjnë me prodhimin e energjisë, ndërsa burimet ujore nuk privatizohen”
Shehu tha se socialistët gjatë periudhës 2001- 2003 kanë falur 15 HEC. ”Nuk është etike e nuk keni moral të flisni pasi ju falët 15 HEC”.
BRAÇE: RREZIKON TE RRITET ÇMIMI I ENERGJISE
Ora 11:10 Nga foltorja e Kuvendit Erjon Braçe, deputet i PS-së, tha se “Kuvendi është kthyer në një lavatriçe që lan e than marrëveshjet e korruptuara të qeverisë në shitje të atdheut”. Braçe thotë s privatizimi i HEC është nën çmim dhe Berisha po e privatizon për të përfituar jo për të dalë nga kriza.
”Rrezikon 3 herë rritjen e çmimit të energjisë. Ku do të shkojnë dhe kush po i merr 100 milionë eurot?”- ngriti pyetjen duke iu drejtuar Berishës. se: "Ky injorant kujton se po shet domate me shumicë."
GJIKNURI: PARATE E HEC-EVE JU DUHEN PER FUSHATE
Ora 11:00 "Sot po shiten 4 HEC me një fitim vjetor prej 20 milionë euro për 100 milionë euro, pra investimi lahet për 5 vjet nga investitori i ri. Po shiten asete të rinovuara së fundi me një kredi prej 27 milion dollarë duke i lënë publikut në kurriz kredinë dhe duke i dhuruar pjesën e shëndoshë privatit. Shteti pëson humbje të pastër. Shitja e 4 HEC-ve do të rritë sasinë e energjisë elektrike, që KESH duhet të blejë nga privatët, të paktën me rreth 400 milionë energji elektrike në vit. Për këtë sasi do të duhen afërsisht 30 milionë euro në vit, që KESH sha do të duhet ti paguajë. Pra, rezultati ekonomik i KESH sha do të përkeqësohet ndjeshëm në krahasim me gjendjen e sotme.
Por çfarë fshihet më tej. Investitorit “Kurum” shteti i ka borxh miliona euro si TVSH të parimbursueshme, e cila me një vendim të qeverisë për miratim shitjes në pikën 4 të saj, theksohet se do t’i rimbursohet vlera e TVSH, pra me një fjalë çmimi i vërtetë është 10 milion euro më pak. Por ka gojë të liga, që thonë se është 30 milionë euro. Dikush nga qeveria duhet të japë një shpjegim për këtë sa është vlera e TVSH që i zbritet çmimit? Ky veprim duket si një rialokim detyrimesh, por a mos ka qenë kjo në mendje të qeverisë qysh në fillim? Pasi në fillin dokumentet e tenderit u përgatitën për investitorë strategjikë, dhe kur kjo dështoi, u ndryshuan dhe u rihodhën në shitje në një periudhe të shkurtër duke mos i lënë kohe konkurrentëve të tjerë për tu përgatitur.
Dhe së fundi çmimi i shitjes është i diskutueshëm dhe del zbuluar nga një shitje tjetër e qeverisë disa muaj më parë për HEC e Lanabregasit, ku çmimi i shitjes është 3 milion për Mega ndërsa në rastin në fjalë 1.4 milion për Mega. Si shpjegohet kjo diferencë prej 100 milionë euro me total ? Dikush do të thotë shitja e Lanabregasit ishte shitje fiktive në letër shtet për shtet, një shpikje abuzive e kësaj qeverie abuzive. Shitje ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, njësoj si Hotel Dajti Bankës së Shtetit që akoma nuk po i del qëllimi se përse u ble".
HAXHINASTO: PO MANIPULONI
Ora 10:55 Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës në replikë u shprej se deklaratat e PS-së janë ”të pavërteta dhe manipulime”. ”Çmimi është mbi mesataren e shitjes së HEC të ngjashme.”- tha Haxhinasto
ARBEN AHMETAJ: “PASURITË PUBLIKE PO I JEPET NJË PRIVATI FALAS
Ora 10:47 Arben Ahmetaj e quajti seancën e sotme ”funeral të pronës publike”. “Pasuritë publike po i jepet një privati falas. Kemi të bëjmë me strategji për të harxhuar pasuritë e shqiptarëve në fushatë elektorale”- tha deputeti i PS-së.
Sipas Ahmetajt privati blen "4 HEC në mirëfunksionim". Ai e mbylli fjalën duke pretenduar se edhe nëse miratohet privatizimi pas 23 qershorit kjo pasuri do i kthehet shqiptarëve dhe i bëri thirrje banorëze të votojnë PS më 23 qershor.
“Ne jemi të bindur se pas fitore së 23 qershorit do ia kthejmë publikut dhe kjo është e mundur dhe i bëjmë apel atyre banorëve të shkojnë të votojnë. "ju keni detyrim t’ia ktheni këtij populli këto pasuri, duke votuar më 23 qershor.. (i ndërpret fjalën Topalli)"-
NDRYSHIMET NE LIGJIN E MEDIAS
Ndryshimet në Ligjin për Mediat Audiovizive kaluan në seancën e sotme për miratim. Ndryshimet në ligj janë miratuar në Komisionin e Medias me votat e mazhorancës dhe pas debateve të shumta me opozitën e cila kundërshton këto ndryshime. Mazhoranca kërkon që anëtarët e KKRT-së të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend, duke rrëzuar propozimin e socialistëve, që kërkojnë votim me shumicë të cilësuar.
Opozita tashmë ka deklaruar votën kundër ligji. Deputetët Valentina Leskaj dhe Alfred Dlipi, anëtarë në komisionin e medias kanë deklaruar se “është i papranueshëm votimi në Kuvend i enteve rregullatorë me shumicë të thjeshtë.
Opozita ka vullnet të bëjë një ligj që garanton pavarësinë e televizioneve dhe pozita e pati rastin të votonte një herë me konsensus. Mirëpo, këtu edhe ligji po vihet në funksion të kryetares së KKRT-së, Endira Bushati. Deputeti Alfred Dalipi gjithashtu ka kërkuar që të forcohen sanksionet ndaj operatoreve që piratojnë programe.
Redaksia Online
(s.g/ar.sh/Gre.M/Shqiptarja.com)