SHKODER - Lëvizja Socialiste për Integrim sjell surprizën e radhës sa i përket këshillave bashkiak, mandatet për të cilët radhiten në bazë të votave që qytetarët shqiptarë dhanë më 21 qershor për forcat politike.
 
Këtë radhë, LSI-ja ka arritur të dalë forcë e dytë në qarkun e Shkodrës, bastion i së djathtës e mbi të gjitha nën influencën e lartë të ish-deputetit socialist Tom Doshi, i cili ndërmori një fushatë agresive kundër kësaj partie të udhëhequr nga Ilir Meta.
 
Ndërsa procesi i numërimit të votave për këshilla nuk ka mbaruar ende vetëm për Malësinë e Madhe, LSI po udhëheq në këtë Bashki me një diferencë të theksuar votash. Fenomeni “Doshi” duket se ka qenë i papërfillshëm për Lëvizjen Socialiste për Integrim, aleatin kryesor të PS-së.
 
Vau i Dejës është një tjetër Bashki ku Doshi nuk ja doli përballë LSI-së, pavarësisht përpjekjeve për të ndikuar negativisht kundër Metës. Në këtë zonë deputeti i përjashtuar nga PS mbështeti hapur kandidatin e aleancës së majtë Gjok Lleshi, me pretendimin se kandidati i djathtë për kryebashkiak Zef Hila ishte i mbështetur nga LSI-ja. Fushata e Doshit nuk i dha rezultat qëllimit të tij, pasi Hila arriti fitoren nën siglën e PD duke i dhënë Doshit një tjetër goditje.
 
Pavarësisht influencës së ish-socialistit Tom Doshi në një bastion historikisht demokrat siç është qarku i Shkodrës, LSI  ka mundur të dalë forcë e dytë politike duke spostuar si të tretë Partinë Socialiste.
 
Fushata kundër LSI-së që Tom Doshi nisi pas atentatit të pretenduar ndaj tij me urdhër të Metës duket se nuk mundi të vë jetë planin e tij për të nxjerrë jashtë lojës së këshillave Lëvizjen Socialiste për Integrim të drejtuar nga Ilir Meta. 

Qarku Shkodër ka në përbërjen e tij 5 bashki, në të cilat PD doli forcë e parë politike në rang këshilltarë, LSI e dyta dhe PS si forcë e tretë. 

Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)