‘Izolohet’ Berisha, ndalohen
rreptësisht sharjet në Parlament
PDF/Amendamentet për kodin e sjelljes në kuvend

‘Izolohet’ Berisha, ndalohen<br />rreptësisht sharjet në Parlament<br />PDF/Amendamentet për kodin e sjelljes në kuvend<br>
Pas disa vitesh zvarritje, falë presionit të fortë të Brukselit, Parlamenti Shqiptar do të miratojë ditën e hënë kodin e sjelljes së deputetëve. Krahas projektit fillestar prej 16 nenesh, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, bazuar në komentet dhe rekomandimet e ekspertizës së OSBE/ODHIR, ka propozuar edhe 15 amendamente, të cilat pritet të miratohen në fillim të javës që vjen.

Amendamenti numër tre, i bazuar në rekomandimin e OSBE/ODHIR, pasjellë izolimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ndalon rreptësisht sharjet, fyerjet, shpifjet, gjuhën kërcënuese, provokuese dhe kërcënuese në Parlament.

Ndonëse amendamenti është përgjithësues dhe si i tillë do të zbatohet nga të gjithë deputetët aktualë dhe të legjislaturave të ardhshme, amendamenti tingëllon si për Sali Berishën, e cili shfrytëzon maksimalisht seancat plenare për të baltosur kundërshtarët politikë. Ky propozim pamundëson ofendimet dhe kërcënimet mes deputetëve në sallën e parlamentit apo në komisionet parlamentare.

Amendamenti parashikon gjithashtu se kur kryetari i Kuvendit vlerëson se është përdorur gjuhë ofenduese ose gjuhe jo e rregullt, deputetit që ka fyer i kërkohet që të tërheqë fjalën apo frazën jo-parlamentare. Në këtë rast, deputeti ngrihet në vendin e tij për të tërhequr fjalën dhe kërkuar ndjesë pa mëdyshje.

Amendamentet e tjera forcojnë më tej rregullat sa i takon lobimit të deputetit dhe konfliktit të interesit në votimin e ligjeve. Gjithashtu, një amendament parashikon që deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti për t’i shpëtuar arrestimit apo kontrollit të banesës.

Disa nga amendamentet e PS bazuar në rekomandimet e OSBE/ODHIR

Neni 6
Gjuha joparlamentare dhe diskriminuese

1. Deputeti nuk duhet të:

a) përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila promovon urrejtjen në bazë të racës, fesë, përkatësisë etnike, origjinës kombëtare, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, ngjyrës, etnisë, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, moshës, gjendjes civile, familjare ose martesore, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçante ose çdo shkaku tjetër;

b) shfaqë forma diskriminimi dhe stereotipizimi në komunikimin e përditshëm, në fjalime politike, në veprimtari parlamentare ose jashtëparlamentare ku merr pjesë.

2. Përdorimi në Kuvend i gjuhës fyese, provokuese apo kërcënuese është rreptësisht e ndaluar. Sulmet personale, ofendimet dhe gjuha e pahijshme nuk paracaktohen. Në trajtimin e gjuhës jo-parlamentare kryetari merr parasysh tonin, mënyrën dhe qëllimin e deputetit që flet, personin të cilit i janë drejtuar fjalët, shkallën e provokimit, dhe, nëse fjalët krijojnë rrëmujë në punimet e Kuvendit. Kur Kryetari i Kuvendit vlerëson se është përdorur gjuhë ofenduese ose gjuhë jo e rregullt, deputetit që ka fyer i kërkohet që të tërheqë fjalën apo frazën jo-parlamentare. Deputeti ngrihet në vendin e tij ose të saj për të tërhequr fjalën dhe kërkuar ndjesë pa mëdyshje.

3. Në rast të shkeljeve së pikave 1 dhe 2 të këtij neni, përveç sa parashikohet në piken 2 të këtij neni, ndaj deputetit zbatohen masat disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. 

Neni 6/1
Votimi për të tretët

I. Gjatë votimit në Kuvend dhe në komisione, deputeti ndalohet që të votojë në emër të në kolegu tjetër, i cili nuk është i pranishëm në sallë.

2. Deputeti që nuk është i pranishëm në procesin e votimit, ndalohet që t'i delegojë votën e tij një kolegu.

3. Votimi për të tretet konsiderohet shkelje e rëndë e Kodit të Sjelljes dhe e Rregullores së Kuvendit.

4. Një kryetar grupi, ose 7 deputetë mund të kërkojnë shpalljen të pavlefshëm të votimit sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.

5. Në nenin 7, pas pikës 3, shtohen pikat 4 dhe 5 me përmbajtjen si më poshtë:

"4. Kuvendi krijon mundësinë për gratë deputete që kanë fëmije të porsalindur, që të ndjekin punimet parlamentare bashke me to, duke rishikuar në mënyre të vazhdueshme kushtet dhe kulturën e punës;

5. Kuvendi siguron mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, si për deputetin dhe për stafin mbështetës.

6. Pas nenit 7, shtohet neni 7/1 me përmbajtje si më poshtë:

Përdorimi i burimeve parlamentare dhe stafit

1. Deputeti duhet të përdorë kohën e punës, burimet parlamentare, stafin e parlamentit, si dhe pronën e parlamentit vetëm për të kryer detyrën që i është ngarkuar.

2. Deputeti nuk duhet ta vendosë stafin e Kuvendit, që paguhet nga fondet publike, në pozita që të bien ndesh me paanësinë politike të stafit, ose që të përdoret për qëllime politike partiake.

Neni 14/l
Lobimi në Kuvend

1. Deputeti mund të ndihmojë organizata të shoqërisë civile/grupe interesi ose persona, te çilet logojnë për të propozuar nisma ligjvënëse në Kuvend.

2. Deputetit i ndalohet të lobojë në këmbim të pagesave, stimujve ose shpërblimeve të tjera.

3. Marrëdhëniet e deputetit me lobistët dhe organizatat e shoqërisë civile/grupeve të interesit duhet të udhëhiqen nga parimet e integritetit dhe transparencës.

4. Transparenca e kontakteve të deputetit me lobistët, organizatat e shoqërisë civile/grupeve të interesit dhe palët e treta zbatohet për të gjitha kontaktet, duke përfshirë kontaktet jashtë mbledhjeve të Kuvendit dhe komisioneve të tij.

5. Deputeti regjistron çdo takim me palët e jashtme, që i shërbejnë atij për të lobuar në një çështje të veçantë, si masë politike ose legjislative.

6. Në Kuvend krijohet regjistri i lobizmit, grupeve të interesit dhe organizatave të shoqërisë civile që mbajnë marrëdhënie me deputetin dhe komisionet parlamentare, me qëllim pjesëmarrjen e publikut në procesin legjislativ. Regjistri administrohet nga shërbimi përgjegjës për deputetët.

Neni 15/1
Kufizimi i imunitetit

1. Deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti i tij për të abuzuar me pushtetin dhe për të

shmangur arrestin, heqjen e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimin e kontrollit personal a të banesës për kryerjen e një krimi të rëndë, përfshire korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.

2. Kodi i Sjelljes nuk kufizon të drejtat dhe imunitetin e deputetit, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe Rregullorja e Kuvendit.

3. Procedura për heqjen e imunitetit rregullohet nga legjislacioni në fuqi.

Neni 17/1
Kufizim pas përfundimit të mandatit

1. Gjate ushtrimit te funksionit, deputeti kryen detyrat e tij parlamentare pa u ndikuar nga mundësitë potenciale të karrierës së ardhshme në sektorin privat, ose pa u ndikuar nga ish kolegët.

2. Një vit nga përfundimi i mandatit, deputeti nuk mund të hyje në marrëdhënie kontraktuale konsultuese ose kontratë pune biznesi ose individuale me Kuvendin.


NJË RRUGË E DY PUNË
Nisma për krijimin e kushteve lehtësuese për nënat është e tillë që nuk mund të kundërshtohet, pasi ky fenomen jo vetëm do të lehtësojë jetën e nënave deputete, por edhe do të vetë-çensurojë deputetët, në mënyrë që të përdorin gjuhë etike.

Amendamentet e dorëzuara në Kuvend kanë një peshë serioze për një rinovim të thellë të Kodit të Sjelljes së Deputetëve. Nëse ndodh miratimi dhe më pas, përpjekja për zbatimin e tyre, seancat Parlamentare nuk do jenë më të njëjta.

Deputetja e LSI, Silvana Caka e ftuar në studion e Report Tv është pyetur në lidhje me propozimin e “Kodit të Sjelljes së Deputetëve. Ajo ka theksuar se Ky kod etike ka disa vite që diskutohet, që është diskutuar edhe gjatë legjistraturës së kaluar. Deputetja flet specifikisht për krijimin e kushteve të posaçme që nënat të marrin pjesë në kuvend së bashku me fëmijët e tyre të vegjël. Sipas Silvanës, kjo risi sjell forcimin e rolit të gruas në Parlamentin Shqipëris pasi është ndihmë që gratë të mos ndërpresin karrierën në mes dhe se nismat e grave deputete po pasqyrohen në kodin e etikës.

Ajo shton se Kodi është një normë logjike shumë e gjerë dhe këto specifikime do të rregullohen me nene të tjera ligjore. Pavarërisht kushteve të përshtatshme që mund të krijohen, nëse nuk ekziston një sjellje e mirë nga ana e deputeteve situata do të bëhet problematike pasi fëmijet do të vijnë në kontakt me fjalë jo etike por edhe dhunë fizike. “Fëmijët janë imitues shumë të mirë”, shton ajo.

d.gj/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki