‘Kryevepra’ Levan-Vlorë
Ku përfunduan 18 mln eurot?

‘Kryevepra’ Levan-Vlorë<br />Ku përfunduan 18 mln eurot?
TIRANE - Vetëm 3 javë më parë, kur Shqiptarja.com zbuloi vendimin e Këshillit të Ministrave për të financuar me 18 milionë euro ekstra rrugën Levan-Vlorë, Qeveria u justifikua duke thënë se në projekt ishin zbuluar gabime të rënda e për këtë ai duhej rishikuar. Ndërsa sot Kryeministri Sali Berisha doli përpara kamerave duke inauguruar rrugën e re, të cilën e cilësoi një ndër më të bukurat e rajonit.

Në këto rrethana, pyetja është e ligjshme: ku shkruan 18 milionët e financuar nga qeveria? Nëse shuma në fjalë do të ishte lëvruar për punime të thjeshta, siç mund të jenë vijat e bardha apo diçka e ngjashme, mund edhe të mendohet për një thyerje rekordi dhe mbarimi të tyre brenda pak javësh. Por vetë autoritetet shtetërore kanë pranuar se problemet ishin strukturore dhe se projektit i mungonte stabilizanti, gjë që i ulte jetëgjatësinë rrugës nga standardi 20-vjeçar në 10 vjet. Qeveria edhe u justifikua se ky gabim ishte bërë në vitin 2004, kur në pushtet ishin socialistët.

Në ditët e parë të korrikut, në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Gjoni, numri dy në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, shpjegonte kështu situatën: “Shtresa e stabilizantit është hequr në mënyrë koshiente nga projektuesi në vitin 2004. Ai kishte bërë një llogaritje për jetëgjatësinë e rrugës 10 vjet. Ndërkohë në të gjitha standardet ndërkombëtare një autostradë e kësaj kategorie minimalisht jetëgjatësinë e ka 20 vjet. Pra nuk është një gabim i projektuesit, por ai e ka menduar në mënyrë koshiente për ta bërë 10 vjet. Kështu që është e patolerueshme në standardet tona dhe ndërkombëtare që të lejohet një autostradë pa stabilizant. Kur e kuptuam këtë fakt për ne ka qenë një shok dhe kjo gjë u kuptua relativisht vonë”.

Ekspertët e Ministrisë së Transporteve arritën deri aty sa të pranon dështimin e të pohonin se një pjesë e rrugës kishte rrëshqitur ende pa mbaruar punimet dhe se kjo përbënte rrezik për qarkullimin.

Duket tepër e vështirë për të besuar që këto riparime strukturore të jenë mbaruar brenda vetëm pak javësh. Kjo edhe për vetë faktin se punimet e aksit Levan-Vlorë, të tenderuara në vitin 2007, duhet të kishin mbaruar që në vitin 2009, ndërkohë që u inaugurua vetëm sot nga Kryeministri Berisha.

Ky i fundit e cilësoi sot rrugën si një ndër më modernet e rajonit që sipas tij “mund të krahasohet me autostradat e metropoleve të vendeve më të zhvilluara të botës” dhe që “qëndron në lartësinë e bukurive mahnitëse të Vlorës”.

Atëherë, si u kalua nga një dështim që kërkonte 18 milionë euro shtesë në një kryevepër si “bukuritë e Vlorës”, brenda fare pak javëve? Kur u shtrua stabilizanti i rrugës? Dhe nëse këto punime nuk janë kryer - siç nga situata aktuale duket e ligjshme të dyshohet - ku kanë shkuar këto 18 milionë euro që u morën nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë?

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: Fillimi i ri apo vazhdimi i të vjetrit në BE

Augustin Palokaj: Fillimi i ri apo vazhdimi i të vjetrit në BE