Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu gjatë konsultës publike për reformë nën drejtësi të zhvilluar në Ministrisë e Drejtësisë ka kritikuar me fakte dhe emra “dështimet” e drejtësisë shqiptare. Ai përmendi emrin e Arben Frrokut, Emiljano Shullazit dhe të Sokol Mjacajt për të treguar se drejtësia shqiptare nuk e ka bërë punën e saj. Në tryezën ku marrin pjesë ekspertë të nivelit të lartë, prokurorë, gjyqtarë, dhe ekspertë të drejtësisë penale, ambasadori nënvizoi se sipas KE për funksionalitetin, Shqipëria ka nivelin më të ulët në Evropë të ndjekjes penale të krimeve të rënda. 

“Reformës në drejtësi i tremben kriminelë që kanë kryer vepra të rënda. Arben Frroku i cili vrau një oficer policie, por u largua në mënyrë të mistershme ndërsa priste apelimin. Persona të tjerë si i dënuari për drogë Emiljano Shullazi, i akuzuar në media për trafikim të vazhdueshëm. Shullazi është akuzuar haptazi në media për trafikim të vazhdueshëm dhe për vrasje. Por nuk është dërguar para drejtësisë. Persona si Sokol Mjacaj që u dënua për vrasjen e një fëmije 13-vjeçar dhe që më herët u lirua në mënyrë të dyshimtë nga burgu dhe vrau një çift turistësh. Populli shqiptar kërkon një sistem që largon kriminelët nga rruga dhe i fut ata në burg,­ deklaroi Lu.

Ai kërkoi nga drejtësia shqiptare që të ketë kurajën të thotë atë që mendon. Lu veçoi një gjë të tillë pasi tha se ka marrë vesh se folësit në këto tryeza konsultash publike “u tremben shefave” dhe këshillohen se “çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të thonë”. Kryediplomati amerikan u kërkoi folësve që ta refuzojnë një gjë të tillë pasi është “kthim në komunizëm”.

“Unë besoj se kjo reformë i përmbush këto katër qëllime. Së fundmi kam kuptuar se disa persona u thuhet se çfarë duhet të thonë ose më keq akoma se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë më kujton të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhme demokratike. Ky është sistemi juaj i drejtësisë, kini kurajën që të flisni atë që mendoni dhe mos përsërisni çfarëdo gjëje që u kanë thënë. Mos u trembni nga këta të pafytyrë! Shpresoj që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt dhe me shumë kriminelë në burgje”, përfundoi ambasadori amerikan.

Sa u takon propozimeve të ekspertëve për reformën në drejtësi, Lu tha se ata kanë pasur parasysh katër qëllime kryesore:
  1. Të luftohet korrupsioni dhe ndikimi politika
  2. Të parandalojnë që gjykatësit dhe prokurorët të mos mbrojnë gjykatës dhe prokurorë të tjerë të korruptuar dhe të paaftë.
  3. Të shmangin kapjen politike nga cilado parti
  4. Të sigurohen që sistemi është në përputhje me standardet ndërkombëtare

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)