Ndoshta lufta në Ukrainë mund të marrë fund rreth vitit 2025, parashikon eksperti ushtarak gjerman, Gustav Gressel e kërkon që të mos shpenzohet kohë me debate të pakuptimta, por të ecet përpara me prodhimin e armatimit.
Për portalin e televizionit, ARD, tagesschau ai ka thënë se kjo ofensivë ka mbetur dukshëm pas asaj që pritej në fillim si dhe objektivave të veta që të arrijë bregdetin e Detit Azov e të shkëpusë Krimenë nga mbrojtja ruse. Arritja e këtij objektivi nuk duket realiste, sipas tij. "Aktualisht ofensiva ukrainase ka në shënjestër me sa duket qytetin jugor Tokmak në rajonin e Zaporishjas. Por aty janë futur shumë thellë njësitë ruse, dhe ka për të qenë e vështirë thyerja e tyre. Por ka edhe suksese të veçanta. Ukrainasit kanë filluar së fundmi të tërheqin trupat e lodhura nga fronti dhe t'i zëvendësojnë me të rinj, që kanë më shumë fuqi dhe janë më të gjallë në sulmim."
Trupat e lodhura i gjen tek të dyja palët në luftim
Por sipas Gresselit trupat e lodhura në front janë shenjë simptomatike për të dyja ushtritë, si atë ukrainase edhe ruse. "Konsumimi në këtë luftë ka qenë shumë i madh dhe tek pala ruse madje pak më i lartë, se tek ajo ukrainase. Të dyja palët po i tërheqin rezervra. Personeli që mobilizohet është gjithnjë e më në moshë. Trajnimi ushtarak është kryer kohë para mobilizimit, dhe kjo bën të ketë shumë harresë dhe rënie të profesionalitetit, Ky është problem për komandantët e të dyja palëve. Tek pala ruse kjo shtohet për shkak se nuk ka rotacion dhe morali pjesërisht është më i dobët. Ushtarët më të vjetër arrijnë më shpejt nga tejlodhja në limitet e tyre. Pyetja që shtrohet është, se sa i vlen kjo ukrainasve."
Deklaratat për gjoja negociata të mundshme paqeje të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg u hodhën poshtë, por ato shkaktuan mjaft reagime duke ngritur pyetjen, nëse po përgatiten skenarët për të filluar negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas ekspertit Gressel, NATO nuk merret me këtë, por do të ketë qeveri dhe aleatë që mendojnë për këtë. "Shtëpia e Bardhë dhe zyra kancelarore në Berlin janë qartësisht të orientuara, që dikur në një moment të caktuar, Ukraina do të negociojë me Rusinë dhe se furnizimet me armë kanë qëllimin, të sjellin në një pozicion më të mirë Ukrainën kundrejt Rusisë."
Problemi është sipas Gresselit që si Ukraina edhe Rusia duan një vendim nga kjo luftë. Rusia edhe më tej synon të eliminojë Ukrainën si shtet të pavarur, dhe nuk do të negociojë asgjë më poshtë, se ky qëllim ushtarak. Ukraina nga ana e saj e përcakton këtë luftë gjithnjë e më shumë si luftë për pavarësi dhe do që Rusia në fund të detyrohet të njohë Ukrainën si shtet të pavarur. "Dëshira për negociata nuk reflekton realitetin politik të palëve në luftime."
Eksperti Gustav Gressel pret vazhdimin e luftës edhe vitin e ardhshëm. "Duhet të llogarisim me atë që lufta me siguri do të zgjasë deri në vitin 2025. Nëse Donald Trump do të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2024, sipas pikëpamjes ruse ai mund të ofrojë një 'deal' në janar 2025, kështu pranvera 2025 do ishte koha më e hershme që për palën ruse mund të sillte fundin e luftës sipas kushteve të saj. Nëse Biden fiton zgjedhjet, gjë që për momentin duket më e mundshme, mund të pritet, që lufta të zgjasë përtej vitit 2025."
Eksperti Gressel kërkon që të mos shpenzohet kohë me debate të pakuptimta e të ecet përpara me prodhimin e armatimit për të ndihmuar Ukrainën. Duhet të prodhohen shpejt tanke, tanke mbrojtës, avionë luftarakë për të mbështetur Ukrainën për disa vite në luftë, pasi rezervat e perëndimit po konsumohen, thotë Gressel. E nuk duhet të fillojë gjithmonë nga e para diskutimi, se çfarë do t'i jepet Ukrainës nga rezervat.
Bazuar në intervistën e Gustav Gressel për tagesschau. Gustav Gressel është ekspert senior në Këshillin Europian për Çështjet e Jashtme në Berlin, (European Council On Foreign Affairs). /DW/
Lajmi kryesor: