Donald Trump thotë se udhëheqësit e Iranit kanë “frikë” të pranojnë se po negociojnë me SHBA-të.

Presidenti amerikan foli pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u tha mediave se Irani “nuk ka ndërmend të negociojë për momentin” dhe se vendi do të vazhdojë të “mbrojë” veten.

Teherani po përgatitet për një pushtim tokësor, raporton CNN duke cituar burime të shërbimeve sekrete amerikane. Në javët e fundit, Irani ka vendosur mina dhe ka dislokuar forca shtesë ushtarake si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në ishullin Kharg, në pritje të një operacioni të mundshëm amerikan që synon të marrë kontrollin e tij.

Administrata Trump po shqyrton përdorimin e trupave amerikane për të marrë nën kontroll ishullin e vogël në Gjirin Persik verilindor, një burim jetik ekonomik për Iranin që menaxhon rreth 90% të eksporteve të naftës së vendit, si një mjet presioni ndaj iranianëve për t’i detyruar të rihapin Ngushticën e Hormuzit.

Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se SHBA-të ishin “shumë afër” përmbushjes së objektivave të saj në Iran, duke shtuar se regjimi iranian po kërkonte një “rrugëdalje”.

Megjithatë erdhi paralajmërimi se Donald Trump është i gatshëm të “sjellë ferrin” nëse Irani nuk pranon humbjen. Presidenti amerikan më pas e ironizoi Teheranin, duke thënë “kurrë nuk ka pasur një udhëheqës vendi që e ka dashur më pak atë detyrë.”

Irani ka paraqitur pesë kushte për t’i dhënë fund luftës, përfshirë përfundimin e konfliktit “në të gjitha frontet” dhe pagesën e dëmeve.

“Lufta do të përfundojë kur dhe si të vendosim ne”, është shprehur Irani.

Kjo erdhi pasi Irani thuhet se mori një plan me 15 pika nga SHBA-të, i cili sipas mediave, përfshin kërkesa për tërheqjen e programit bërthamor të Iranit dhe lejimin e qarkullimit të lirë të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Teherani fillimisht e hodhi poshtë planin, por Araghchi më vonë tha se “nëse duhet të merret një qëndrim, ai sigurisht që do të përcaktohet”.

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar dislokimin në Lindjen e Mesme të rreth 2.500 ushtarëve. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-ve më shumë se 10,000 objektiva ushtarake në Iran janë goditur që nga fillimi i luftës. Irani ka paralajmëruar një “sulm shkatërrues” nëse një aeroplanmbajtëse amerikane afrohet brenda rrezes së raketave.

Irani dhe Izraeli vazhdojnë të shkëmbejnë sulme, ndërsa Teherani po synon gjithashtu aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik, përfshirë Kuvajtin, Arabinë Saudite dhe Bahreinin;

Izraeli vazhdon sulmet në Liban në luftën kundër Hezbollahut dhe planifikon të marrë zona në jug për të krijuar një “zonë mbrojtëse” në përballjen me militantët e mbështetur nga Irani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:40
Aleatë të pandarë të Iranit, Houthit të gatshëm për të luftuar kundër SHBA-ve e Izraelit

Rebelët e mbështetur nga Irani janë gati të bashkohen në luftë kundër SHBA-ve dhe Izraelit, raporton Tasnim duke cituar burime.

Houthit, të njohur gjithashtu si Ansarullah i Jemenit, janë gati të marrin kontrollin e Ngushticës Bab al-Mandab, gjë që do të ishte një “detyrë e lehtë,” thuhet më tej.

Grupi i rebelëve ka shkaktuar tashmë ndërprerje të mëdha në Detin e Kuq që nga tetori i vitit 2023, duke qëlluar qindra objektiva izraelite si hakmarrje për sulmet e Izraelit mbi Gazën.

Ai ka synuar gjithashtu anije të lidhura me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, duke penguar rrjedhën e tregtisë globale. Përpjekjet për të shtyrë prapa rebelët nuk kanë arritur të ndalojnë sulmet.

Ora 08:09
Tarifa për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, Irani e ka gati projektligjin!

 

Parlamenti iranian po përpiqet të miratojë një ligj për të vendosur tarifa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, raportojnë mediat e huaja.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Civile në parlament ka deklaruar se një projektligj është përgatitur dhe së shpejti do të finalizohet nga ekipi ligjor i asamblesë legjislative. “Sipas këtij plani, Irani duhet të mbledhë tarifa për të garantuar sigurinë e anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”, tha ai. “Është diçka krejtësisht e natyrshme. Si në korridore të tjera, kur mallrat kalojnë nëpër një vend, paguhen taksa; Ngushtica e Hormuzit është gjithashtu një korridor. Ne garantojmë sigurinë e saj dhe është e natyrshme që anijet dhe cisternat e naftës të paguajnë tarifat përkatëse”.

Irani kërkon njohjen ndërkombëtare të të drejtës së tij për të ushtruar autoritet mbi Ngushticën e Hormuzit si një nga pesë kushtet për t’i dhënë fund luftës në vazhdim.

Ora 07:59
Trump: Negociatorët iranianë frikësohen se do të vriten nga Teherani! Çmimi i naftës është rritur, por duhej të eliminoja kancerin

“Negociatorët iranianë kanë frikë se do të vriten nga Teherani”, deklaroi Donald Trump. Ai këmbënguli se Irani po merr pjesë në bisedime paqeje, duke shtuar se mohimet e Teheranit vijnë nga frika e negociatorëve iranianë se mund të vriten nga bashkëkombësit e tyre. “Ata po negociojnë dhe duan të arrijnë një marrëveshje me çdo kusht. Por kanë frikë ta thonë, sepse mendojnë se do të vriteshin nga vetë njerëzit e tyre”, deklaroi presidenti amerikan.

“Lajmet e rreme” raportojnë se Shtetet e Bashkuara nuk po ecin mirë në luftë, shtoi më tej Trump. “Nëse dëgjoni lajmet, do të mendonit se po humbasim një luftë në Iran. Ne po e shkatërrojmë palën tjetër. Po fitojmë në mënyrë të jashtëzakonshme. Askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë si ajo që po bëjmë në Lindjen e Mesme me Iranin”, tha ai.

Trump përsëriti bindjen e tij se Irani “ishte dy javë larg prodhimit të armës bërthamore kur unë sulmova”. Ai gjithashtu këmbënguli se Shtetet e Bashkuara e kanë “fituar luftën” kundër Iranit “në dy ditët e para” të operacionit Epic Fury.

Presidenti amerikan pranoi se kostot e benzinës dhe të jetesës në përgjithësi janë rritur që kur ai nisi luftën kundër Iranit. “Por më duhej të eliminoja kancerin që është Teherani”, tha ai gjatë aktivitetit në Uashington. “Tani do të rindërtojmë ekonominë më të fortë në botë”, shtoi ai, duke akuzuar më pas demokratët për inflacionin.

Ora 07:48
Teherani minon ishullin Kharg! Intervista e dikurshme e Trump: Do t’i jepja një mësim të mirë nëse do të na sulmonin

Teherani po përgatitet për një pushtim tokësor, shkruan CNN duke raportuar burime të rezervuara të shërbimeve sekrete amerikane. Në javët e fundit, Irani ka vendosur mina dhe ka dislokuar forca shtesë ushtarake si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në ishullin Kharg, në pritje të një operacioni të mundshëm amerikan që synon të marrë kontrollin e tij.

Administrata Trump po shqyrton përdorimin e trupave amerikane për të marrë nën kontroll ishullin e vogël në Gjirin Persik verilindor, një burim jetik ekonomik për Iranin që menaxhon rreth 90% të eksporteve të naftës së vendit, si një mjet presioni ndaj iranianëve për t’i detyruar të rihapin Ngushticën e Hormuzit

Donald Trump e ka diskutuar mundësinë e sulmit ndaj ishullit iranian Kharg në një intervistë të vitit 1988 për The Guardian, duke deklaruar se, nëse Irani do të sulmonte anije amerikane, ai do t’i “jepte një mësim të mirë ishullit Kharg”. “Do të ndërhyja dhe do ta merrja nën kontroll”, tha ai në atë kohë, gjatë promovimit të librit “The Art of the Deal” (“Arti i të bërit marrëveshje”).

Pas nisjes së operacionit Epic Fury, Trump konfirmoi deklaratën e bërë në vitin 1988, duke thënë se kishte pasur “të drejtë” që kishte marrë në konsideratë sulmin ndaj ishullit dekada më parë, kur Irani “bënte kapriço”.