Izraelitët u mblodhën në heshtje të mërkurën pranë kufirit me Gazën në lokacionin ku u mbajt festivali Nova, i cili u sulmua nga militantët e Hamasit më 7 tetor, tre vjet më parë, duke përkujtuar viktimat e sulmeve që shkaktuan ofensivën e Izraelit në Gaza dhe e zhytën Lindjen e Mesme në luftë.

Në mbledhjen e qeverisë më 6 tetor kryeministri izraelit kujtoi masakrën dhe deklaroi se gjatë tre viteve Izraeli ka vrarë rreth 4,000 nga 6,000 militantët që, sipas tij, morën pjesë në sulm dhe përsëriti se sundimi i Hamasit në Gaza do të zhduket.

Në rrjete sociale ai shpërndau një video të animuar në formatin e lojës së famshme lego ku shpjegonte sulmet dhe reagimin e qeverisë së tij.

Kreu i qeverisë izraelite ka një sfidë përpara për zgjedhjet e 27 tetorit e cila është bërë më e rëndë për të.

Në fund të verës lajmet se ai ishte informuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe Egjipti dhe inteligjenca e vendit të tij rënduan publikisht pozitat e tij.

Netanyahu ka hedhur poshtë përgjegjësinë për dështimin e sigurisë dhe u ka rezistuar thirrjeve për një hetim të pavarur. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te shumë izraelitë, përfshirë familjarët e personave të vrarë në sulme, disa prej të cilëve i janë bashkuar garës elektorale.

Sulmet e 7 tetorit 2023 ishin dita më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit. Militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1,200 njerëz dhe morën peng 251 persona. Ky inkursion përtej kufirit shkaktoi një traumë të thellë te izraelitët, të cilët kanë kërkuar që qeveria të mbajë përgjegjësi.

Bombardimet dhe operacionet tokësore që Izraeli ndërmori më pas në Gaza kanë vrarë më shumë se 74,000 njerëz, përfshirë të paktën 1,400 persona të vrarë gjatë vitit të fundit, që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja. Armëpushimi ndaloi luftimet e mëdha, por nuk ka arritur t’i japë fund sulmeve izraelite apo të sigurojë çarmatimin e Hamasit.

Ky përvjetor është i pari që nga marrëveshja e armëpushimit e 10 tetorit 2025, e cila e ka lënë Izraelin në kontroll të rreth dy të tretave të Gazës, ku ai ka shembur ndërtesat e mbetura dhe ka urdhëruar banorët të largohen.

Hamasi kontrollon pjesën e mbetur, rreth një të tretën e territorit, një brez të ngushtë bregdetar ku rreth 2 milionë banorë jetojnë kryesisht në çadra të improvizuara dhe ndërtesa të dëmtuara nga bombardimet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:51
3 vjet nga sulmi i Hamasit/ Von der Leyen: Asgjë nuk e justifikon terrorin, zgjidhja me dy shtete rruga drejt paqes

1777303412_vonderleyen.jpg

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përkujtuar 3-vjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke deklaruar se Bashkimi Europian është i gatshëm të kontribuojë për ta shndërruar armëpushimin e brishtë në një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete.

“Nderojmë viktimat dhe qëndrojmë pranë familjeve që vazhdojnë të mbajnë peshën e rëndë të dhimbjes”, shkroi von der Leyen, duke kujtuar “jetët e të rinjve të ndërprera gjatë një festivali muzikor dhe kalvarin e gjatë të pengjeve”.

Presidentja e Komisionit Europian theksoi se BE qëndron pranë të gjithë atyre, jeta e të cilëve ndryshoi përgjithmonë nga sulmi.

“Mizoria e papërshkrueshme dhe terrori i 7 tetorit nuk duhet të përsëriten kurrë. Asgjë nuk e justifikon terrorin. Bashkimi Europian mbetet i gatshëm të kontribuojë për ta shndërruar armëpushimin e brishtë aktual në një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, tha von der Leyen.

Ora 10:46
BE përkujton 3 vjetorin e sulmit të Hamasit në Izrael, Metsola: Të çrrënjosim antisemitizmin! Costa: Zgjidhja me dy shtete, e vetmja rrugë

Drejtuesit e institucioneve të Bashkimit Europian kanë përkujtuar viktimat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke dënuar terrorizmin dhe antisemitizmin, ndërsa kanë përsëritur angazhimin për paqe në Lindjen e Mesme.

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, tha se plagët e 7 tetorit mbeten ende të hapura dhe bëri thirrje për forcimin e luftës kundër antisemitizmit.

“Parlamenti Europian kujton viktimat e asaj dite tmerri, duke rinovuar angazhimin për t’i dhënë fund terrorizmit, për të gjetur një rrugë drejt paqes dhe për të dyfishuar përpjekjet për të çrrënjosur të keqen e vjetër të antisemitizmit”, tha Metsola.

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, tha se asgjë nuk mund ta justifikojë terrorin, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në paqe dhe siguri.

“Asgjë nuk mund ta justifikojë një terror të tillë, i cili nuk duhet të përsëritet kurrë. Zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e mundshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha Costa.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, e cilësoi sulmin e 7 tetorit një “akt barbar terrori” dhe shprehu solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre.

“Sot qëndrojmë përkrah Izraelit duke kujtuar çdo jetë të marrë dhe të shkatërruar nga terroristët e Hamasit. Mendimet tona janë me viktimat, të mbijetuarit, familjet e tyre dhe të gjithë ata që vazhdojnë të mbajnë dhimbjen e asaj dite të tmerrshme”, tha Kallas.

Ora 10:44
3 vjet nga sulmi i Hamasit/ Macron: Franca kundër antisemitizmit dhe terrorizmit! Merz: Gjermania në krah të Izraelit

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë përkujtuar 3-vjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Macron tha se Franca nuk harron viktimat e sulmit, ku u vranë mbi 1,200 persona, mes tyre 51 shtetas francezë.

“Të luftojmë antisemitizmin dhe terrorizmin, kudo dhe gjithmonë, dhe të punojmë për paqen dhe sigurinë e të gjithëve: ky është angazhimi i Francës”, shkroi Macron.

Merz deklaroi se “Gjermania qëndron fuqishëm në krah të Izraelit” dhe se do të luftojë antisemitizmin në të gjitha format e tij.

“Miqtë tanë izraelitë mund të mbështeten në angazhimin tonë që një krim i tillë të mos përsëritet më kurrë. Angazhohemi për sigurinë dhe ekzistencën e Izraelit”, tha Merz.

Kancelari gjerman rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete, duke e cilësuar krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit si rrugën për paqe dhe siguri për të dy popujt.

Ora 09:24
3 vjet nga sulmi i Hamasit në Izrael/ Rama: Ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë, antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në përvjetorin e sulmit të 7 tetorit në Izrael, duke kujtuar viktimat dhe pengjet e marrë nga Hamasi gjatë sulmit të vitit 2023. Në një mesazh të publikuar në X, Rama u shpreh se, edhe pas tre vitesh, “ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë” për familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit.

“Tre vjet kanë kaluar që nga tmerri i 7 tetorit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë se, për familjet, të dashurit e të cilëve u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata që jeta e të cilëve u copëtua dhe për të mbijetuarit që mbanin plagë që asnjë sy nuk mund t'i shohë, ai mëngjes nuk ka mbaruar kurrë vërtet”, shkruan Rama.

Kryeministri kujton edhe vizitën e tij në Nova, vendin ku në 7 tetor 2023 u zhvillua festivali muzikor dhe ku humbën jetën shumë të rinj.

“Më herët këtë vit, qëndrova në Nova. Ka vende ku heshtja flet më shumë se fjalët, dhe Nova është një prej tyre. Të rinj nga shumë kombe ishin mbledhur atje për të kërcyer, për të qeshur, për të festuar jetën, dhe jetët e tyre u vodhën nga errësira e urrejtjes dhe terrorit”, shprehet Rama.

Në vijim të mesazhit të tij, kreu i qeverisë u referua edhe konceptit shqiptar të “Besës”, duke e lidhur atë me historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit.

“Në Shqipëri, kemi një fjalë që përmban një kod të tërë moral: Besa. Një premtim që nuk mund të thyhet. Në orën më të errët të Evropës, gjyshërit tanë e mbajtën atë premtim duke strehuar hebrenjtë nga Holokausti, duke rrezikuar gjithçka për të shpëtuar njerëzit e shënuar për vdekje”, shkruan ai.

Rama thekson se kjo trashëgimi kërkon që kujtesa të ruhet dhe që antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve.

“Sot, kjo trashëgimi kërkon diçka nga ne. Ajo kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës, që dhembja të mos braktiset kurrë në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve, dhe që ne t'u qëndrojmë besnikë miqve tanë edhe në orët e tyre më të errëta. Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që mban zi sot: Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm”, përfundon Rama.