Transporti ajror global është futur në krizën më të madhe që nga pandemia e Covid-it. Mijëra fluturime janë anuluar dhe qindra mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa përshkallëzimi i luftës SHBA–Izrael kundër Iranit ka paralizuar Lindjen e Mesme.

Aeroportet dhe linjat ajrore në Gjirin Persik kanë pezulluar operacionet normale deri të paktën në orën 10:00 GMT të së martës. Nga Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të nisen vetëm disa fluturime speciale për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar.

Sipas të dhënave nga Cirium, deri në orën 10:00 të së hënës janë anuluar të paktën 1,555 fluturime drejt Lindjes së Mesme. Shifra reale mund të jetë më e lartë për shkak të mungesës së të dhënave nga Irani dhe Emiratet. Platforma FlightAware raportoi rreth 2,800 anulime të shtunën dhe mbi 3,100 të dielën.

Tre gjigantët e Gjirit – Emirates, Etihad Airways dhe Qatar Airways – kanë ndalur shumicën e fluturimeve nga qendrat e tyre. Dubai, qendra më e ngarkuar në botë për fluturime ndërkombëtare, është mbyllur për të tretën ditë radhazi.

Hapësira ajrore mbi Iran, Irak, Kuvajt, Izrael, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar mbetet pothuajse bosh, sipas Flightradar24. Ndikimi është përhapur nga Azia në Europë. Air India ka anuluar fluturime nga Delhi, Mumbai dhe Amritsar drejt qyteteve të mëdha në Europë dhe Amerikën e Veriut.

Edhe Qipro është prekur. easyJet ka anuluar disa fluturime mes Britanisë dhe Paphos e Larnaca, ndërsa British Airways ka hequr nga orari shërbimin drejt Larnaca-s.

Presidenti Donald Trump ka sinjalizuar se veprimi ushtarak amerikan mund të zgjasë edhe katër javë të tjera, duke shtuar pasigurinë në tregje. Aksionet e kompanive ajrore dhe turistike kanë rënë ndjeshëm. Tui ka humbur 9%, ndërsa IAG, pronari i British Airways, rreth 5%. Rënie kanë pësuar edhe Lufthansa, Air France-KLM, Qantas, Singapore Airlines dhe United Airlines.

Çmimi i naftës Brent është rritur deri në 13%, duke arritur në 80 dollarë për fuçi, me paralajmërime se mund të shkojë deri në 100 dollarë. Për linjat ajrore kjo do të thotë kosto më të larta, ndërsa fluturimet devijohen dhe ekuipazhet janë shpërndarë nëpër botë.

Analistët thonë se një mbyllje kaq e gjatë e qiellit mbi Lindjen e Mesme dhe bllokimi i tre qendrave kryesore të tranzitit në Gjirin Persik është diçka e paprecedentë. Dhe rreziku i një kaosi të zgjatur mbetet real./The Guardian