Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duan që lufta mes Ukrainës dhe Rusisë të përfundojë deri në muajin qershor, duke shtuar se të dyja palët janë ftuar në SHBA për bisedime javën e ardhshme.

Sipas tij, propozimi erdhi fillimisht nga amerikanët. “Amerika propozoi që dy ekipet negociuese të Ukrainës dhe Rusisë të takohen brenda një jave në Shtetet e Bashkuara, ndoshta në Miami. Ne e konfirmuam pjesëmarrjen tonë”, tha Zelensky.

Duke folur për gazetarët të shtunën, Zelensky dha detaje edhe për raundin e dytë të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Abu Dhabi, të cilat përfunduan të premten pa ndonjë përparim të dukshëm.

Ai pranoi se “çështjet e vështira mbetën të vështira”, përfshirë presionin ndaj Ukrainës për lëshime territoriale. Sipas tij, palët diskutuan për herë të parë edhe mundësinë e një takimi trepalësh mes udhëheqësve.

I pyetur nëse ishte vendosur një afat konkret për arritjen e një marrëveshjeje, Zelensky u përgjigj shkurt: “Amerikanët thonë se duan të bëjnë gjithçka deri në qershor”.


Lajmi kryesor:

Ushtria ruse humbet ritmin në Ukrainë, shkak i ftohti ekstrem dhe ndërprerja e komunikimit nga mohimi i përdorimit të satelitëve Starlink