Presidenti Biden duke firmosur ligjin e ri për ndihma ushtarake për Ukrainën
Ligjvënësit amerikanë pritet të votojnë sot për një projektligj që do të autorizonte dhënien e të paktën 33 miliardë dollarëve në ndihma ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Përpara votimit, Presidenti Joe Biden tha se administrata e tij ka ezauruar pothuajse të gjithë autoritetin për të dërguar armë dhe paisje të tjera ushtarake nga rezervat e Pentagonit.
Presidenti Biden nënshkroi dje një ligj të veçantë që i jep atij autoritet të mëtejshëm për të përshpejtuar dërgimin e furnizimeve dhe paisjeve ushtarake drejt Ukrainës, sipas shembullit të një programi që u vu në përdorim gjatë Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar vendet që luftonin Gjermaninë naziste, të njohur si “hua-qera”. Dallimi është se këtë radhë agresori është Rusia.
“Mizoritë në të cilat janë angazhuar rusët janë të papranueshme. Dhe kostoja e luftës nuk është e paktë, por dorëzimi përballë agresionit mbart kosto edhe më të larta”, tha Presidenti Biden.
Ligji “hua-qera”, i miratuar nga Kongresi në mars 1941, i dha Presidentit Roosevelt pothuajse autoritet të pakufizuar për të dërguar ndihma materiale si municione, tanke, aeroplanë, kamionë dhe ushqim për përpjekjet e luftës në Evropë, pa ndryshuar pozicionin zyrtar të vendit për neutralitet.
Ligji autorizoi dhënien e ndihmës materiale për vendet që mbronin Shtetet e Bashkuara. Nuk kishte kufizime për armët e huazuara, fondet apo përdorimin e porteve amerikane. Ai i lejoi presidentit të transferonte materiale në Britani pa pagesë, siç parashikohej nga Ligji i Neutralitetit.
Projektligji i ri për ta ndihmuar Ukrainën nëpërmjet dhënies në përdorim të paisjeve ushtarake, i jep Presidentit Biden autoritetin për të arritur me shpejtësi marrëveshje me Ukrainën dhe vende të tjera evropiane për këto furnizime ushtarake, duke anashkaluar disa prej procedurave të rënda burokratike të Uashingtonit.
Si një shembull i rrallë në Uashington, projektligji u kalua nga ligjvënësit me vota të shumta muajin e kaluar, duke demonstruar kështu mbështetjen për qeverinë e Kievit që lufton me forcat ruse.
Në Ditën e Fitores, kur rusët kujtuan fitoren ndaj luftës brutale të Adolf Hitlerit, Presidenti Putin fajësoi në fjalimin e tij Ukrainën dhe Perëndimin për atë që e quajti “një kërcënim i papranueshëm”.
Por, Presidenti ukrainas Zelenskyy u zotua se forcat ukrainase do të luftojnë ashtu si stërgjyshërit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve ukrainas dhe denoncoi përsëritjen e krimeve të tmerrshme të regjimit të Hitlerit dhe kopjimin e filozofisë naziste.
Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës deri më tani rreth 4 miliardë dollarë armatime dhe paisje dhe Presidenti Biden i ka kërkuar tashmë Kongresit edhe 33 miliardë dollarë të tjera për të furnizuar me paisje ushtarake Ukrainën deri në muajin shtator.
Lajmi kryesor: