Lufta për dyqanet e Rinasit/ Gruaja e Gjin Gjonit ‘fundoset’ nga Ministria e Financave në gjykatë, nuk informoi për humbjen e tenderit

Përfaqësuesit e kompanisë Albania Duty Free Distribution, në pronësi të bashkëshortes së Gjin Gjonit, Elona Çaushi, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, të kompanisë koncensionare TIA që menaxhon aeroportin e Rinasit si dhe të kompanisë amerikane International Cruise Duty Free shprehën sot para gjyqtarit Avni Sejdi pretendimet e tyre mbi konfliktin e paprecedentë për menaxhimin e hapësirave Duty Free (dyqaneve pa taksa) në Aeroportin e Rinasit.

Tenderin dhe kontratën për dyqanet i ka fituar kompania amerikane që në mes të vitit 2019, por këto ambiente shfrytëzohen sot nga kompania e gruas së Gjin Gjonit, përmes manovrave, segmenteve të administratës publike dhe dy gjyqtarëve, Avni Sejdi dhe Mimoza Kajo Brahimi. Në një kohë kur kontrata me TIA i mbaronte në 27 gusht, zëvendësministri i Financave Elton Haxhi i rinovoi autorizimin Albania Duty Free Distribution në 16 gusht për të vijuar për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Por, në fund të muajit shtator 2019, Ministria e Financave i anuloi autorizimin kompanisë Albania Duty Free Distribution për ushtrimin e aktivitetit në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Kompania e gruas së Gjin Gjonit i kërkon gjykatës që të detyrojë ministrinë t’i japë autorizimin, i cili është vendimtar për të vijuar të shfrytëzojë dyqanet jashtë vullnetit të TIA në Rinas.

Sot, në Gjykatën Administrative të Tiranës, përfaqësuesit e kompanisë Albania Duty Free Distribution pretenduan se në bazë të Kodit Doganor, Ministria e Financave duhej ta lajmëronte 60 ditë për mbarimin e autorizimit, mbarim i cili diktohej nga përfundimi i kontratës me TIA-n në 27 gusht 2019. Ministria nuk e ka respektuar një detyrim të tillë. Ky është argumenti kryesor i Albania Duty Free Distribution për të kontrolluar dyqanet në Rinas.

Por, gjatë seancës së sotme, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave theksuan se është kompania Albania Duty Free Distribution ajo e cila duhej të informonte e para ministrinë se nuk plotësonte më kushtet për të mbajtur autorizimin. Ata iu referuan pikës 6, të nenit 634 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 651, datë 10.11.2017, e cila parashikon që “Mbajtësi i autorizimit duhet të informojë ministrin përgjegjës për financat dhe Drejtorinë e  Përgjithshme të Doganave për të gjithë faktorët e dalë pas dhënies së autorizimit të cilët mund të ndikojnë në vazhdimësinë apo përmbajtjen e tij”.

Ministria e Financave pohoi se kompania Albania Duty Free Distribution është informuar zyrtarisht në 22 shkurt 2019 nga TIA se ka humbur tenderin për menaxhimin e dyqaneve në Rinas. Tenderin e fitoi kompania amerikane International Cruise Duty Free, e cila lidhi edhe kontratën me TIA-n në korrik të këtij viti. Sipas ministrisë, humbja e tenderit sillte si pasojë mbarimin e kontratës në 27 gusht dhe humbjen e licencës. Kompania e Elona Çaushit nuk e ka informuar ministrinë për këtë zhvillim, çka ka sjellë si pasojë shkakun e dy që pretendon ADFD, pra mosinformimin nga ministria 60 ditë para për mbarimin e licencës.

Po pse Ministria e Financave ia rinovoi autorizimin Albania Duty Free Distribution në 16 gusht? Përfaqësuesit e ministrinë thanë se nuk ishin në dijeni se Albania Duty Free Distribution kishte humbur tenderin e organizuar nga TIA. Ky pretendim i ministrisë komprometon rëndë kompaninë e bashkëshortes së Gjin Gjonit, e cila kur ka kërkuar rinovimin e autorizimit në gusht, nuk ka paraqitur të dhënat e plota. Këto informacione të paplota dhe të pasakta bënë që ministria t’i anulojë autorizimin në fund të muajit shtator 2019. Neni 644 i vendimit të qeverisë nr. 651, datë 10.11.2017, për zbatimin e kodit doganor, parashikon që ministri i përgjegjës për financat, anulon një autorizim për magazinë doganore private (duty free shop), në qoftë se autorizimi është dhënë bazuar në informacion të pasaktë ose të paplotë dhe kur personi, ndaj të cilit është dhënë vendimi, ishte në dijeni ose objektivisht duhej të ishte në dijeni që informacioni i dhënë ishte i pasaktë ose i paplotë. Që ADFD-ja ishte në dijeni të humbjes së tenderit, kjo konfirmohet edhe nga vetë Elona Çaushi në një letër me firmën e saj, ku pranon humbjen e tenderit. Letra hedh poshtë alibinë e ADFD se nuk ishte në dijeni të humbjes së tenderit, që solli për pasojë mbarimin e kontratës dhe licencës.

Ndërkaq, kompania koncensionare TIA që menaxhon aeroportin e Rinasit, gjatë seancës, ka hedhur poshtë pretendimin e Albania Duty Free Distribution se nuk është informuar 60 ditë para për licencën, duke pohuar se autorizimi ishte dhënë me kodin e vjetër doganor, ndaj si i tillë nuk i nënshtrohej kushteve të rinovimit. Nga ana tjetër, kompania amerikane International Cruise Duty Free, e cila ka fituar tenderin dhe ka firmosur kontratën me TIA-n, u shpreh se ligji parashikon pasjen e një kontrate për t’u pajisur me licencë. Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, gjyqtari Avni Sejdi vendosi zhvillimin e seancës së ardhshme në 17 janar.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani

Lufta/ Aeroportet e Moskës mbyllen përkohësisht! Lavrov: Një armëpushim në Ukrainë do të ishte i padobishëm tani