Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish, këtë herë në Ngushticën e Hormuzit, ku Irani dhe Shtetet e Bashkuara po shkëmbejnë akuza për shkelje të armëpushimit dhe sulme ushtarake.
Një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi se SHBA kanë sulmuar anije iraniane në Hormuz, duke shkelur armëpushimin.
“Ne do t’i përgjigjemi çdo sulmi me forcë dhe pa hezitim”, tha ai, ndërsa mediat iraniane raportuan për sulme me raketa dhe dronë ndaj tre shkatërruesve amerikanë.
Sipas agjencisë iraniane Fars, në Ngushticën e Hormuzit po zhvillohen “përplasje sporadike” mes forcave iraniane dhe anijeve amerikane.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore Amerikane, Centcom, konfirmoi se forcat amerikane kanë kryer sulme ndaj objektivave iraniane, duke i cilësuar si veprime vetëmbrojtjeje.
“Forcat amerikane patën sulme të paprovokuara nga Irani dhe iu përgjigjën me sulme vetëmbrojtëse. Ne eliminuam kërcënimet dhe goditëm objektet ushtarake iraniane të përdorura për të sulmuar forcat amerikane”, deklaroi Centcom.
Më vonë, ushtria amerikane njoftoi se një avion luftarak F/A-18 Super Hornet hapi zjarr ndaj dy cisternave iraniane në Gjirin e Omanit, duke goditur oxhaqet e tyre me municione precize për t’i nxjerrë jashtë funksionit.
Sipas Centcom, cisternat po tentonin të hynin në porte iraniane “në shkelje të bllokadës detare amerikane”, ndërsa ushtria amerikane deklaroi se aktualisht po pengon mbi 70 cisterna me kapacitet transporti prej më shumë se 166 milionë fuçi nafte iraniane. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi nga Roma se Uashingtoni pret përgjigjen e Iranit për propozimin amerikan të paqes “brenda ditës së sotme”.
“Shpresa është që të jetë një ofertë serioze që mund të na vendosë në një proces real negociatash”, tha Rubio.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo tentativë e Iranit për të kontrolluar trafikun në Ngushticën e Hormuzit do të ishte “e papranueshme”.
“Normalizimi i kontrollit iranian mbi një rrugë ujore ndërkombëtare është i paligjshëm”, deklaroi Rubio.
Pavarësisht tensioneve, Teherani tha sot se propozimi amerikan për paqe “mbetet ende në shqyrtim”, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se vendi mbetet “nominalisht në një situatë armëpushimi”.
Ndërkohë, situata është tensionuar edhe në kufirin Izrael-Liban. Hezbollahu njoftoi se ka goditur me raketa një bazë ushtarake izraelite në veri të Izraelit, si kundërpërgjigje për një sulm izraelit në periferi të Bejrutit ku u vra një komandant i grupit.
Rubio deklaroi se SHBA presin bisedime të reja mes Izraelit dhe Libanit javën e ardhshme dhe akuzoi drejtpërdrejt Hezbollahun për përshkallëzimin e konfliktit.
“Arsyeja pse Libani bombardohet është Hezbollahu”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, është shprehur se Italia mund të jetë një ‘lojtar’ kyç në Liban, pas marrëveshjes mes Izraelit dhe Bejrutit zyrtar.
“Në Liban, ne mund të jemi lojtarë kyç në një fazë pas marrëveshjes midis Izraelit dhe Bejrutit, për trajnimin e forcave të armatosura libaneze. Ne tashmë marrim pjesë në trajnimin e forcave të armatosura, por mund të bëjmë më shumë, sepse qëllimi duhet të jetë çarmatosja e Hezbollahut", tha ministri Tajani.
Komentet Tajani i bëri në një intervistë me Bruno Vespa në Cinque Minuti, të transmetuar mbrëmjen e sotme në Rai1.
"Ne gjithashtu mund të jemi shumë të dobishëm, për shembull në përpjekjet e Guardia di Finanza për të luftuar financimin e paligjshëm të terrorizmit. Këto janë ide që mund t'i zbatojmë për të qenë lojtarë kyç në një epokë të ndryshme paqeje në Liban", shtoi ai.

Hezbollahu ka marrë përgjegjësinë e sulmit në një bazë ushtarake në Izrael të premten, duke shënuar kështu herën e parë që grupi militant i mbështetur nga Irani ka marrë publikisht përgjegjësinë për një sulm ndërkufitar, që kur u urdhërua një armëpushim delikat midis Izraelit dhe Libanit në mesin e prillit.
Në një deklaratë, Hezbollahu tha se ata shënjestruan një bazë ushtarake në jug të qytetit të Nahariyas me "një breshëri raketash të përparuara" të premten pasdite.
Më herët të premten, Forcat Ajrore Izraelite interceptuan një lëshim raketash pasi “një numër lëshimesh raketash u zbuluan drejt territorit izraelit”, sipas ushtrisë izraelite.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Hakan Fidan, për të diskutuar zhvillimet e fundit rajonale.
Transmetuesi iranian IRIB, duke raportuar për telefonatën, tha se Araghchi e informoi homologun e tij mbi atë që ai e përshkroi si "shkelje të armëpushimit nga Shtetet e Bashkuara" dhe ia atribuoi trazirat në Ngushticën e Hormuzit "paligjshmërisë dhe aventurizmit ushtarak" të SHBA-së.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij do të vijoi të luftojë kundër SHBA-së dhe Izraelit (të cilët ai i cilësoi si shtypës), nëse sipas tij, këto vende do vijojnë me politikat e ‘kolonializmit’.
"Politika e Republikës Islamike të Iranit është të zgjerojë marrëdhëniet miqësore bazuar në respektin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta. Politikat e kolonializmit dhe shfrytëzimit nuk do të kenë vend në botën e së ardhmes. Ashtu si toleranca është thellësisht e rrënjosur në kulturën e popullit tonë, lufta kundër shtypjes shkëlqen në historinë e kësaj toke", shkroi Presidenti iranian Masoud Pezeshkian në një postim në 'X'.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, James David Vance, do të takohet me Kryeministrin e Katarit për të diskutuar negociatat me Iranin, tha një zyrtar amerikan për faqen e internetit të lajmeve Axios.
Burimi shtoi se Katari është një kanal kyç midis SHBA-së dhe Iranit në negociatat mbi marrëveshjen për t'i dhënë fund luftës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei ka theksuar se propozimi i SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme është ende duke u vlerësuar.
"Lidhur me negociatat, propozimi i SHBA-së është ende duke u vlerësuar. Sapo të arrihet një përfundim, padyshim që do ta shpallim atë", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, për agjencinë iraniane të lajmeve Tasnim.
Lidhur me shkeljet e mundshme të armëpushimit, Baghaei deklaroi se Teherani mbetet "nominalisht në një situatë armëpushimi", duke shtuar se forcat e armatosura të vendit po monitorojnë nga afër zhvillimet.

Foto: Marco Rubio
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në një konferencë për shtyp pas takimeve të tij qeveritare në Romë tha se presin një propozim serioz nga Irani sot.
"Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të ketë një zhvillim në orët e ardhshme. Gjërat janë të fragmentuara në Iran, por unë shpresoj vërtet për një propozim serioz prej tyre", tha Rubio.

Foto: Abbas Araghchi
Irani është gati të mbrohet "një mijë përqind" dhe qytetarët iranianë "nuk i përkulen kurrë presionit", pavarësisht "taktikave" dhe "mashtrimit" të Shteteve të Bashkuara, tha Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një postim në X.
"Sa herë që vihet në tryezë një zgjidhje diplomatike, Shtetet e Bashkuara nisin një aventurë ushtarake të pamatur. A është thjesht një taktikë e verbër për të ushtruar presion? Apo është mashtrimi i një sabotatori që dëshiron ta tërheqë presidentin amerikan në një moçal të ri edhe një herë? Cilado qoftë arsyeja, rezultati është gjithmonë i njëjtë: iranianët nuk përkulen kurrë nën presion, por është gjithmonë diplomacia ajo që humbet", shkroi Araghchi.
Ministri më pas mohoi disa informacione që i atribuohen CIA-s në lidhje me aftësitë ushtarake të Teheranit, duke deklaruar se agjencia amerikane "gabohet".
"Rezervat tona të raketave dhe kapaciteti i lëshuesve nuk janë në 75 përqind të asaj që ishin më 28 shkurt; Shifra e saktë është 120 përqind. Dhe gatishmëria jonë për të mbrojtur popullin tonë: 1000 përqind!", përfundoi ai.

Foto: Kamala Harris
Ish-zv.presidentja amerikane Kamala Harris kritikoiadministratën Trump për luftën me Iranin, duke thënë: “Është e gjitha thjesht budallallëk!”
“Kur shikon këtë luftë në Iran, të cilën populli amerikan nuk e do, që nuk është autorizuar nga Kongresi, por edhe nëse do të ishte, nuk duhej të ishte nisur. Ai foli për shkatërrim total, dhe pastaj tha se e bëri… është e gjitha thjesht budallallëk" tha Harris para një takimi me demokratët në Nevada, në Las Vegas.
“Më parë kam premtuar se nuk do të përdor më fjalë të tilla në publik,” shtoi ajo me ironi, citon CNN.
Deklaratat e Harris vijnë ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëroi Iranin të nënshkruajë një marrëveshje “shpejt” pas sulmeve ndaj anijeve luftarake amerikane në Ngushticën e Hormuzit.
“Doni të dini kush është fituesi më i madh i luftës me Iranin? Rusia. Për shkak të çështjes së naftës, çfarë ka bërë ai? Ka hequr sanksionet ndaj Rusisë. E dini çfarë do të thotë kjo? Ata po fitojnë para duke shitur naftë që më parë nuk mund ta shisnin. Çfarë tjetër do të thotë? Ne po dërgojmë artileri, municione dhe mbrojtje ajrore që përndryshe do të shkonin në Ukrainë. Pra, pasojat janë të mëdha,” tha ajo.
“Unë nuk do ta quaj thjesht idiot. Ai është i rrezikshëm. Ai është i rrezikshëm!”, shtoi më vonë Harris.
Ish-zv.presidentja gjithashtu komentoi opinionin e fundit të Gjykatës Supreme për Ligjin e të Drejtës së Votës, duke thënë se ai do të ketë një “ndikim të madh” në zgjedhjet e mesmandatit.
“Ata po e bëjnë qëllimisht më të vështirë për njerëzit të votojnë, sepse e dinë që njerëzit nuk janë budallenj dhe po i kushtojnë vëmendje kostos së karburantit, kostos së banesave dhe kostos së kësaj lufte,” tha Harris duke iu referuar përpjekjeve të republikanëve për rishpërndarjen e zonave zgjedhore.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përsëritur me vendosmëri refuzimin e tyre për çdo formë takse ose tarife për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Kështu deklaroi nga Nju Jorku Përfaqësuesi i Përhershëm i Emirateve të Bashkuara Arabe në Kombet e Bashkuara, Mohammed Abu Shehab, gjatë një takimi mbi projekt-rezolutën e Gjirit dhe SHBA-së në lidhje me kalimin detar.
“Ne hedhim poshtë vendosjen e çdo tarife për kalimin në Ngushticën e Hormuzit. Këto rrugë ujore ndërkombëtare nuk duhet t'i nënshtrohen shantazhit", tha Abu Shehab duke akuzuar Iranin për "vendosjen e minave dhe vendosjen e taksave" në zonë.
Diplomati theksoi se "kërcënimet dhe sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit nuk kanë ndalur", duke e quajtur projekt-rezolutën, e cila bën thirrje për heqjen e minave, jetësore për të siguruar lirinë dhe sigurinë e lundrimit.

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan sot se mbrojtja e tyre ajrore është e angazhuar për sulmet me raketa dhe dronë nga Irani.
“Mbrotja ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe po përballet aktualisht me sulme me raketa dhe dronë që vijnë nga Irani”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në një postim në platformën X.
Ofensiva vjen vetëm disa orë pas shkëmbimit të zjarrit midis forcave amerikane dhe Republikës Islamike, duke përshkallëzuar më tej tensionet në një zonë ku armëpushimi i brishtë, në fuqi për gati një muaj, tani duket se është pranë fundit.
Komente











Vance per ti ber kanosje katarit dhe ti marr ndonje trilion $ Lufta nafta dhe reprezalje ne lindjen e mesme per te vjedhur sa me shume nga lindja e mesme nafte dhe $
Përgjigju