Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe duke kërcënuar infrastrukturën detare të rajonit.
Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Kuleba, deklaroi se Moska po kryen sulme “sistematikisht” ndaj rajonit, duke paralajmëruar se fokusi i luftës mund të jetë zhvendosur drejt Odesës.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet e përsëritura synojnë të bllokojnë aksesin e Ukrainës në logjistikën detare, një element kyç për ekonominë dhe eksportet e vendit.
Në fillim të dhjetorit, presidenti rus Vladimir Putin kishte kërcënuar se do t’i ndërpriste Ukrainës daljen në det, si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj cisternave të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë në Detin e Zi. Ky term përdoret për qindra anije cisternë që Rusia i shfrytëzon për të shmangur sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
"Flota në hije" është një term që i referohet qindra anijeve cisternë të përdorura nga Rusia për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Të hënën në mbrëmje, sulmet goditën infrastrukturën portuale në Odesa, duke dëmtuar një anije civile, tha guvernatori rajonal.
Që nga gushti i vitit 2023, Odesa ka qenë pika fillestare e një korridori të rëndësishëm që i lejon asaj të eksportojë drithëra jashtë vendit, duke ndjekur vijat bregdetare të Rumanisë dhe Bullgarisë përpara se të arrijë në Turqi.
Zelensky, i cili më parë e ka akuzuar Rusinë për "mbjellje kaosi" mbi popullin e Odesës, tha se "të gjithë duhet ta shohin se pa presion mbi Rusinë, ata nuk kanë ndërmend t'i japin fund vërtet agresionit të tyre".
Komentet e tij erdhën ndërsa raundi i fundit i përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të përfundoi në Miami. SHBA-të u takuan veçmas me delegacionet ukrainase dhe ruse, me takimet që dhanë deklarata optimiste, por pa përparim të qartë për ta afruar më shumë fundin e luftës gati katërvjeçare të Moskës me Ukrainën.
I dërguari special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff tha se ai dhe homologu i tij ukrainas, Rustem Umerov, kishin punuar për "përafrimin e qëndrimeve" në një draft plan paqeje prej 20 pikash të paraqitur nga Ukraina në fillim të këtij muaji. Plani është një alternativë ndaj një propozimi të paraqitur nga SHBA-të në nëntor, i cili u pa si i favorshëm për Moskën.
Komente










