Dy vite luftë kundër agresionit rus, liderët perëndimorë në Kiev: Ukraina, shtëpia jonë, ne do ta mbrojmë! Ndihma të reja ushtarake nga Londra: Putin do të dështojë

Kiev- Katër liderë perëndimorë mbërritën në Kiev të shtunën, 24 shkurt, për ta shfaqur mbështetjen e tyre për Ukrainën në ditën e dyvjetorit të pushtimit të saj nga Rusia, i cili u ka kushtuar me jetë dhjetëra mijëra njerëzve dhe e ka shkatërruar ekonominë e vendit.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës , Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sot në Kiev mbahet një seri ceremonish për të kujtuar brutalitetin e pushtimit dhe rezistencën vendase me rastin e dy vjetorit të fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Pasdite do të ketë një takim virtual të G7, i pari i organizuar nga presidenca italiane. Ndërkohë, Londra ka përgatitur një paketë të re të madhe ndihme dhe ka njoftuar financimin me 245 milionë £ për të furnizuar ushtrinë ukrainase me municion.

"Italia është atje dhe mendoj se kjo merr më shumë kuptim tani që jemi edhe vend president i G7. Ne vazhdojmë të garantojmë mbështetjen tonë për Ukrainën, sot do të nënshkruajmë edhe garancitë tona të sigurisë sepse besojmë se në Ukrainë po luftojmë edhe për lirinë dhe interesin tonë kombëtar”  deklaroi në Kiev kryeministrja Giorgia Meloni.

"Ajo që ka ndodhur në dy vitet e fundit, me shpërthime krizash që shtohen, është rezultat i atij pushtimi - shtoi ajo -. Kur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dështojnë, ne gjejmë veten në një botë në të cilën ai që është ushtarakisht më i fortë pushton fqinjin e vet.”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:02
Zelensky: Çmenduria ruse nuk do të mbretërojë në tokën tonë! Gati për mbërritjen e avionëve luftarakë F-16

1703490222_volodymyrzelensky.jpg

“Putini duhet të dështojë në gjithçka, siç ndodhi këtu në Hostomel. Vetëm në këtë mënyrë do të fitojë paqja.” Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një deklaratë për shtyp gjatë një ceremonie në aeroportin Hostomel, në veri të Kievit, me rastin e dyvjetorit të pushtimit rus. “Fati ynë varet vetëm nga ne, ne mund ta arrijmë qëllimin tonë që është paqja, çmenduria ruse nuk do të mbretërojë në tokën tonë."

Zelensky diskutoi gjithashtu ndihmën e re nga disa aleatë evropianë dhe të tjerë ndërkombëtarë, veçanërisht Danimarka, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re:
“Në Danimarkë është shpallur paketa e 15-të e mbrojtjes. Municione, dronë, përforcime për luftëtarët tanë. Faleminderit. Vlerësoj që të gjitha marrëveshjet tona po zbatohen në mënyrë perfekte. Mbretëria e Bashkuar – ka një njoftim për përgatitjen e një pakete. Në veçanti, do të kontribuojë në zmbrapsjen e sulmeve ruse. Ekziston një paketë nga Zelanda e Re që do të forcojë logjistikën, inteligjencën dhe komunikimin tonë.”

Zelensky thotë se përgatitjet përfundimtare për mbërritjen e F-16 janë duke u zhvilluar.

Mbërritja e avionëve luftarakë F-16 ishte çështja kryesore në fjalimin e tij. Zelensky tha se, përveç çështjeve të tjera urgjente të diskutuara në takimin e mëngjesit të stafit të tij atë ditë, ekipi i tij përshkroi përgatitjen e vendit për përdorimin e F-16, me një raport të veçantë për këtë.

“Parametrat për grupin e parë të avionëve: data specifike të dorëzimit, mbështetja e nevojshme teknike dhe infrastrukturore. Detajet janë pozitive”, tha Zelensky.
Në veçanti, ai theksoi nevojën për të forcuar Forcën Ajrore të Ukrainës për të punuar drejt arritjes së epërsisë ajrore në qiellin ukrainas. “Këtë vit, Forca jonë Ajrore do të bëhet më e fortë dhe kjo është një detyrë themelore. Konkretisht, kjo do të thotë mbrojtje kundër bombave të drejtuara ruse dhe aftësive të reja në vijën e frontit në përgjithësi”, tha ai.

Ora 12:33
Meloni në Kiev: Kini kujdes të mos përfundoni viktima të propagandës ruse

1703713750_giorgiameloni.JPG

"Në fillim menduam se ishte një operacion Blitzkrieg dhe nuk ishte. Më pas menduam se Rusia do të pushtonte gjysmën e territorit ukrainas dhe kjo nuk ndodhi. Më pas Ukraina çliroi një pjesë të territoreve të saj. Kini kujdes, të mos bëhemi viktima të propagandës ruse që ne e njohim mirë”. Kështu tha kryeministrja Meloni, duke dalë nga aeroporti Antonov - Hostomel në Kiev, në fund të ceremonisë për nder të mbrojtësve të aeroportit, në prani të Presidentit të Ukrainës Zelensky, Presidentit të Komisionit të BE-së, Von der Leyen dhe kryeministrave të Belgjikës dhe Kanadasë, Alexander De Croo dhe Justin Trudeau.

Në përvjetorin e dytë të pushtimit të plotë të Rusisë, Britania e Madhe njofton se do të japë 245 milionë £ (287 milionë euro) për të rritur rezervat e municionit të artilerisë së Ukrainës deri në vitin e ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Londër.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Misteri: 24/02/2024 19:17

    E cuditshme, si mund te jete kjo lufte reale, kur Kievi vizitohet nga gjithe Kreret e vendeve Perendimore. Kjo esht per te qeshur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik

Dyshime për sabotim pas dëmtimit të kabllos nënujore elektrike në Detin Baltik