I biri i Ali Khameneit, Mojtaba Khamenei është zgjedhur lideri i ri Suprem i Iranit. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump reagoi më parë duke thënë se qëndrimi i liderit të ri në pushtet nuk do të zgjasë pasi nuk është marrë miratimi i Amerikës.

"Ai do të duhet të marrë miratimin tonë. Ne duam të sigurohemi që nuk do të na duhet të kthehemi këtu çdo dhjetë vjet, kur ndoshta nuk do të keni një president si unë që është i gatshëm ta bëjë këtë", tha Trump. Ndërkohë Izraeli ka thënë se do të ndjekë penalisht çdo pasardhës të Khameneit dhe këdo që përpiqet ta emërojë atë.

Në javën e dytë të luftës, sulmet e koordinuara amerikano-izraelite goditën 5 impiante nafte në provincat Teheran dhe Alborz gjatë natës, raportoi Keramat Veyskarami, drejtor ekzekutiv i Kompanisë Kombëtare Iraniane të Shpërndarjes së Produkteve të Naftës. Të paktën 4 persona u vranë si pasojë e sulmeve. Irani u kundërpërgjigj duke thënë se mund të godasë infrastrukturën e naftës në rajon nëse Izraeli vazhdon sulmet ndaj veprave energjetike të vendit. Paralajmërimi erdhi nga shtabi ushtarak Khatam al-Anbiya, i lidhur me Gardën Revolucionare.

Ndërkaq, të dielën një predhë e nisur nga Irani ra në një zonë të banuar në Arabinë Saudite duke lënë të vdekur 2 persona dhe të plagosur 12 të tjerë. Irani sulmoi me dron edhe një ndërtesë qeveritare dhe çisternat e karburantit në aeroportin ndërkombëtar të Kuvajtit.

Një ngjarje tjetër, e dyshuar si e lidhur me luftën në Iran, ishte edhe një shpërthim i fuqishëm që u regjistrua pranë ambasadës amerikane në Oslo.

Mediat izraelite raportuan sot se Emiratet e Bashkuara Arabe i janë kundërpërgjigjur sulmeve të Iranit. Ky lajm u përgënjeshtrua nga Abu Dhabi, por duke theksuar të drejtën për tu vetëmbrojtur.

Trump gjithashtu sot zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin  Britanisë së Madhe Keir Starmer. Në fokus të bisedës ishte lufta në Lindjen e Mesme si dhe bashkëpunimi ushtarak nëpërmjet përdorimit nga ana e SHBA të bazave ushtarake ushtarake britanike.  Nga ana tjetër Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i Donald Trump, do të vizitojë Izraelin të martën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:58
SHBA-të urdhërojnë diplomatët në Arabinë Saudite të largohen nga vendi

Departamenti Amerikan i Shtetit u ka kërkuar diplomatëve amerikanë në Arabinë Saudite të largohen nga vendi. Raporton New York Times, duke cituar burime që thonë se urdhri për t'u larguar tregon ndërgjegjësimin e administratës për rreziqet në rritje në rajon. Kjo është hera e parë që nga fillimi i bombardimeve që Departamenti i Shtetit ka miratuar një urdhër për t'u larguar nga një vend.

Ora 22:20
Djali i Ali Khameneit trashëgon pushtetin, Mojtaba Khamenei emërohet Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit

Mojtaba Khamenei, djali i Ali Khameneit, i cili u vra në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt, është zgjedhur si Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit nga Asambleja e Ekspertëve. "Duke përkujtuar kujtimin e këtyre udhëheqësve hyjnorë dhe popullorë, deklaron se, pas një shqyrtimi të kujdesshëm dhe të plotë dhe duke përdorur kapacitetin e Nenit 108 të Kushtetutës, në përputhje me detyrën dhe besimin e tij fetar në qëndrimin para Zotit të Plotfuqishëm, në seancën e jashtëzakonshme të sotme, Ajatollah Sejjid Mojtaba Hosseini Khamenei (Zoti e ruajtë) emërohet dhe paraqitet si udhëheqësi i tretë i sistemit të shenjtë të Republikës Islamike të Iranit me votën vendimtare të përfaqësuesve të nderuar të Asamblesë së Ekspertëve", thuhet në deklaratë.

"Në përfundim, me vlerësim për anëtarët e këshillit të përkohshëm sipas Nenit 111 të Kushtetutës, Asambleja u bën thirrje të gjithë popullit fisnik iranian, veçanërisht elitave dhe intelektualëve të botës fetare dhe akademike, të zotohen për besnikëri ndaj udhëheqjes dhe të ruajnë unitetin rreth boshtit të Kujdestarisë. Gjithashtu kërkon hirin dhe favorin e vazhdueshëm të Zotit të Plotfuqishëm mbi këtë vend dhe popullin e tij të madh", përfundon deklarata.

Ora 21:08
Ushtari amerikan vdes nga plagët e marra në sulmin ndaj Iranit

Një tjetër ushtar amerikan ka vdekur nga plagët e marra gjatë një sulmi iranian në një bazë amerikane në Arabinë Saudite, njofton Komanda Qendrore e SHBA-së.

Kjo është vdekja e shtatë e ushtarëve amerikanë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, pasi SHBA-të dhe Izraeli shënjestruan Iranin.

Ora 20:35
Macron telefonon presidentin iranian: Garantoni lundrimin e anijeve në ngushticën e Hormuzit, ndërprisni sulmet ndaj vendeve të rajonit

1770471804_emmanuelmacron.jpg

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.

“Theksova domosdoshmërinë që Irani të ndërpresë menjëherë sulmet e tij kundër vendeve në rajon”, shkroi Macron në X. “Irani duhet gjithashtu të garantojë lirinë e lundrimit duke i dhënë fund mbylljes de facto të Ngushticës së Hormuzit.”

Udhëheqësi francez tha gjithashtu se siguria dhe riatdhesimi i Cecile Kohler dhe Jacques Paris, një çift francez i burgosur që aktualisht ndodhet brenda ambasadës franceze, është një "prioritet absolut".

Ai përsëriti shqetësimet e Francës në lidhje me programet bërthamore dhe balistike të Iranit, si dhe "tërësinë e aktiviteteve të tij destabilizuese në rajon".

Të dy udhëheqësit ranë dakord të qëndrojnë në kontakt, tha Macron.

Ora 19:14
Irani zgjedh liderin e ri, kleriku: Emri i Khameneit do të vazhdojë

Irani është drejt shpalljes së liderit të ri suprem pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit në fillim të luftës.

Ajatollah Hosseinali Eshkevari, anëtar i këshillit që zgjedh liderin e ri, tha në një video të publikuar nga mediat iraniane se është përzgjedhur personi që do të vazhdojë rrugën e Republikës Islamike.

“Me shumicë votash është zgjedhur personi që do të vazhdojë rrugën e Imam Khomeinit dhe të imamit martir Khamenei. Emri i Khameneit do të vazhdojë. Votimi është bërë dhe do të shpallet së shpejti”, tha ai.

Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se emri i liderit të ri do të shpallet nga sekretari i Asamblesë së Ekspertëve, pasi ky organ ka përfunduar votimin për pasardhësin e Khameneit.

Sipas një tjetër kleriku iranian, Ahmad Alamolhoda, emri i liderit të ri do të shpallet nga sekretari i Asamblesë së Ekspertëve, Hosseini Bushehri.

Ora 18:53
Irani kërcënon: Nëse sulmet vazhdojnë, çmimi i naftës shkon mbi 200 dollarë

Rafineri nafte në Lindjen e Mesme

Irani kërcënoi të dielën se mund të godasë infrastrukturën e naftës në rajon nëse Izraeli vazhdon sulmet ndaj veprave energjetike të vendit.

Paralajmërimi erdhi nga shtabi ushtarak Khatam al-Anbiya, i lidhur me Gardën Revolucionare. Në deklaratë thuhet se nëse sulmet vazhdojnë, masa të ngjashme mund të ndërmerren ndaj objekteve energjetike në rajon.

Autoritetet iraniane paralajmëruan gjithashtu se përshkallëzimi i konfliktit mund të çojë çmimin e naftës mbi 200 dollarë për fuçi.

“Nëse mund ta toleroni një çmim të naftës mbi 200 dollarë për fuçi, atëherë vazhdoni këtë lojë”, tha zëdhënësi i komandës ushtarake qendrore iraniane, Ebrahim Zolfaghari

Ora 18:47
Dhëndri i presidentit Donald Trump do të vizitojë Izraelin

Jared Kushner

Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i president Donald Trump, do të vizitojë Izraelin të martën. Lajmi u raportua nga televizioni izraelit Channel 12.

Kjo do të jetë vizita e parë e një zyrtari amerikan në rajon që nga shpërthimi i luftës.

Udhëtimi i Kushner vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas përplasjes mes Iranit dhe aleancës SHBA-Izrael. Ende nuk janë bërë publike detaje të tjera për takimet apo agjendën e vizitës së tij në Izrael.

Ora 18:35
Hezbollahu merr përsipër sulmin me raketa ndaj bazës logjistike izraelite

Në një deklaratë për mediat, Hezbollahu tha se luftëtarët e tij shënjestruan bazën Misgav në veri të Izraelit, të cilën e përshkroi si një bazë logjistike. Mbetet e paqartë nëse ka pasur viktima.

Grupi tha se sulmi erdhi pas asaj që e përshkroi si sulme izraelite në dhjetëra qytete dhe qyteza libaneze, përfshirë periferitë jugore të Bejrutit. 

Ndërkohë ministri libanez i Çështjeve Sociale njoftoi sot se gjysëm milioni njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Liban pas shpërthimit të luftës së re mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Nga kjo shifër, 117.228 persona janë strehuar në qendrat dhe strehimoret e hapura nga qeveria.

Ora 18:04
Mediat iraniane: Zgjidhet lideri i ri Suprem që do të pasojë Ali Khamenein! Emri nuk bëhet me dije

Asambleja Iraniane e Ekspertëve arriti një marrëveshje për emrin e ri pas vrasjes së Ali Khameneit. Ajatollah Mohammad-Mahdi Mirbagheri tha se "u bënë përpjekje të mëdha për të përcaktuar udhëheqësin" dhe se u ra dakord për "një mendim vendimtar dhe unanim".

"Kandidati më i përshtatshëm, i miratuar nga shumica e Asamblesë së Ekspertëve, është përcaktuar", tha sot Mohsen Heydari, një anëtar i organit përzgjedhës, sipas agjencisë së lajmeve ISNA të Iranit.

Ora 17:26
Sulmet iraniane në Arabinë Saudite, predha bie në zonë të banuar! Vdesin 2 persona, 12 të tjerë mbesin të plagosur

Dy persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur pasi një predhë ra mbi një vendbanim në qytetin Al-Kharj të Arabisë Saudite, njofton Mbrojtja Civile Saudite.

Dy personat e vrarë ishin të kombësisë indiane dhe bangladeshiane, shton ajo në një postim në X.

Garda Revolucionare e Iranit tha më herët sot se kishte shënjestruar sisteme radarësh në vende, përfshirë Al-Kharj të Arabisë Saudite.

Ora 17:14
‘Kritikat’ e Trump për Britaninë, Starmer telefonatë me presidentin e SHBA-së: Diskutuam për luftën në Iran dhe për bashkëpunimin ushtarak

Kryeministri britanik Keir Starmer zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së Donald Trump më herët sot, thuhet në një deklaratë të zyrës së Starmer.

“Udhëheqësit filluan duke diskutuar situatën e fundit në Lindjen e Mesme dhe bashkëpunimin ushtarak midis Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së përmes përdorimit të bazave të RAF [Forcave Ajrore Mbretërore] në mbështetje të vetëmbrojtjes kolektive të partnerëve në rajon”, tha një zëdhënëse nga zyra e Starmer në një deklaratë.

“Kryeministri gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta me Presidentin Trump dhe popullin amerikan pas vdekjes së gjashtë ushtarëve amerikanë”, thuhet në deklaratë. “Ata mezi prisnin të flisnin përsëri së shpejti.”

Trump e ka kritikuar ashpër Starmerin ditët e fundit, duke thënë se ai nuk po bashkëpunon mjaftueshëm me sulmet SHBA-Izrael ndaj regjimit iranian.

Ora 16:39
Izraeli nis një tjetër valë sulmesh kundër Iranit

Forcat Ajrore Izraelite kanë filluar një valë “të gjerë” sulmesh ajrore kundër infrastrukturës së regjimit iranian në Teheran dhe zona të tjera të Iranit, njofton IDF.

Ora 16:13
Sulmet në Iran, ministri izraelit i Mbrojtjes Katz: Sekretari ushtarak i Khameneit është eliminuar

1772982927_xgfujiaza.jpg

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se sekretari ushtarak i Khameneit është eliminuar.

Deklarata e tij vjen pasi gjatë 24 orëve të fundit, Izraeli dhe SHBA-të kanë kryer bombardime të fuqishme në Teheran, ku u goditën 5 rafineri nafte.

Ora 16:13
Pas sulmit me dron pranë bazës britanike, Gjermania dërgon anije luftarake në Qipro

Anija FGS Nordrhein-Westfalen e marinës gjermane

Gjermania ka dërguar një anije luftarake në Qipro, duke shtuar praninë ushtarake në ishull pas tensioneve të fundit në rajon.

Anija FGS Nordrhein-Westfalen e marinës gjermane mbërriti në portin e Limasolit, vetëm pak ditë pasi një dron goditi zonën pranë bazës britanike RAF Akrotiri.

Sipas BBC-së, Gjermania nuk është e vetmja që po rrit praninë e tyre ushtarake në Qipro, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet.

Franca ka dërguar tashmë anijen luftarake FS Languedoc, ndërsa presidenti Emmanuel Macron pritet të vizitojë ishullin të hënën.

Edhe Italia dhe Spanja kanë njoftuar dërgimin e anijeve të tyre ushtarake ITS Federico Martinengo dhe Cristobal Colon, duke shtuar praninë detare europiane në Mesdhe.

Ora 16:09
Trump: Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit nuk do të zgjasë pa miratimin tonë, duhet të sigurohemi që mos të kthehemi më këtu pas 10 vitesh

1772808526_donaldtrump.jpg

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Udhëheqësi i ardhshëm Suprem i Iranit "nuk do të zgjasë shumë" nëse nuk merr miratimin e Uashingtonit, duke shtuar se është i gatshëm të punojë me çdo element të mbetur të regjimit aktual.

"Ai do të duhet të marrë miratimin tonë", tha ai për ABC News në lidhje me trashëgimtarin e Ali Khameneit. "Nëse nuk e merr, nuk do të zgjasë shumë". "Ne duam të sigurohemi që nuk do të na duhet të kthehemi këtu çdo dhjetë vjet, kur ndoshta nuk do të keni një president si unë që është i gatshëm ta bëjë këtë", vazhdoi Trump. "Nuk dua të duhet të bëj të njëjtën gjë përsëri pas pesë vjetësh, ose më keq, t'i lejojmë ata të kenë një armë bërthamore".

Ora 16:02
Ministri i Jashtëm i Iranit e pranon: Moska na ndihmon në shumë mënyra, nuk është sekret

1772982327_xtsraza.jpg

Mediat amerikane kanë aluduar gjatë këtyre ditëve se Rusia po ndihmon Iranin me informacione sekrete dhe me ndihma ushtarake, për t’ju kundërvënë SHBA-së dhe Izraelit.

"Bashkëpunimi midis Iranit dhe Rusisë nuk është asgjë e re, nuk është sekret", tha Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, kur u pyet nga NBC News në lidhje me ndihmën që thuhet se po ofron Moska në konfliktin me SHBA-në dhe Izraelin.

"Ata po na ndihmojnë në shumë mënyra të ndryshme, por unë nuk kam informacion të detajuar rreth kësaj", shtoi ministri Araghchi.

Ora 15:54
Lufta në Iran/ Shtëpia e Bardhë: Trupat tokësore nuk janë pjesë e planit aktual, por Trump nuk e ka përjashtuar këtë mundësi

1772650727_shtepiaebardhe.webp

Vendosja e trupave tokësore në Iran nuk është pjesë e planit aktual të Donald Trump, por presidenti "nuk e ka hequr opsionin nga tavolina".

Sipas mediave të huaja, kështu deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një intervistë me Fox News, duke theksuar se operacioni kundër Iranit do të vazhdojë për momentin të jetë një fushatë sulmesh ajrore.

Ora 15:47
Ministri Tajani: 25 mijë italianë u riatdhesuan nga zonat e prekura nga konflikti me Iranin

1772981383_zrstuoo.jpg

25 mijë italianë janë riatdhesuar nga zonat e prekura nga konflikti në Iran, njoftoi Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani gjatë një konference për shtyp në Farnesina.

"Midis mbrëmjes së djeshme dhe sot, 5,000 italianë të tjerë janë kthyer", shpjegoi ministri. "Ata po kthehen nga pjesë të ndryshme të botës: Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Omani, Izraeli, Maldivet, Tailanda, Kamboxhia, Sri Lanka. Ata po kthehen gjithashtu nga Izraeli", shtoi ai më tej.

"Pra, do të thoja se tensioni është lehtësuar ndjeshëm. Ka gjithashtu më pak kërkesa nga ambasadat tona, konsullatat tona dhe këtu në Task Forcën e Gjirit", vazhdoi ministri.

"Pra, do të thoja se ka një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me dje dhe pardje në lidhje me bashkëqytetarët tanë", shtoi ai.

Ministri Tajani shtoi se megjithë punën e mirë që është bërë, ka ende një numër të konsiderueshëm italianësh që presin riatdhesimin, të cilët ndodhen kryesisht në Maldive.

"Ende ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh në Maldive, por duhet të them se puna e konsullatës dhe ambasadës sonë në Kolombo është shumë efikase", vazhdoi zëvendëskryeministri.

"Shumë falënderime vijnë nga qytetarë të vendeve të tjera, të cilët e njohin efikasitetin e konsullatës sonë dhe zyrtarëve të tjerë që dërguam për të përshpejtuar punën, sepse ata kanë arritur rezultate që vendet e tjera nuk kanë qenë në gjendje t'i arrijnë, sepse ne ishim i vetmi vend i pranishëm nga pikëpamja organizative", përfundoi ministri.

Ora 15:31
Goditjet në Lindjen e Mesme, Irani: Po sulmojmë bazat amerikane, jo vendet e rajonit!

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi 

Irani thotë se nuk po sulmon vendet e Lindjes së Mesme, por bazat dhe instalimet amerikane që ndodhen në territorin e tyre. Këtë e deklaroi ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi gjatë një interviste për NBC.

Sipas tij, objektivat e Teheranit janë vetëm burimet ushtarake të SHBA-së, të cilat “fatkeqësisht ndodhen në territorin e fqinjëve tanë”. Ai theksoi se Irani po reagon ndaj sulmeve që, sipas tij, kanë nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Araghchi tha gjithashtu se presidenti iranian Masoud Pezeshkian u ka kërkuar falje vendeve arabe që janë prekur nga sulmet iraniane, për “vështirësitë që kanë përjetuar si pasojë e agresionit amerikan dhe kundërpërgjigjes së Iranit”.

Ministri iranian shtoi se është Donald Trump ai që duhet të kërkojë falje për “vrasjet dhe shkatërrimet” në rajon.

Sa i përket mundësisë për armëpushim, Araghchi tha se para se Irani ta shqyrtojë një gjë të tillë, SHBA dhe Izraeli duhet të shpjegojnë pse nisën sulmet. Sipas tij, lufta i është imponuar Iranit dhe veprimet e Teheranit janë “akte të ligjshme vetëmbrojtjeje”.

Ora 15:09
Ushtria e Izraelit: 200 anëtarë të Hezbollahut janë vrarë që nga java e kaluar

1772979297_xtyduiaa.jpg

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se afërsisht 200 anëtarë të Hezbollahut dhe grupeve të tjera terroriste janë vrarë në sulmet izraelite në Liban, që kur konflikti u përshkallëzua javën e kaluar.

Sipas mediave të huaja, IDF pretendon se ka kryer mbi 600 sulme në Liban, duke përdorur mbi 820 bomba, pasi Hezbollahu filloi të sulmonte Izraelin të hënën, në përgjigje të vrasjes së udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Nga 200 oficerët e vrarë, IDF thotë se ata përfshijnë 80 anëtarë të Forcës elitare Radëan të Hezbollahut, 70 personel artilerie të Hezbollahut dhe disa komandantë të lartë, përfshirë kreun e Xhihadit Islamik Palestinez në Liban.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, sulmet izraelite javën e kaluar vranë 394 persona.

Ora 14:57
Mediat izraelite raportuan sulm në Iran, reagojnë Emiratet e Bashkuara Arabe: Është lajm i rremë!

Emiratet e Bashkuara Arabe mohuan se kanë kryer një sulm ndaj Iranit, duke e quajtur “fake news” raportimin e mediave izraelite për një goditje ndaj një impianti uji.

Pamje nga Teherani sot me 8 Mars

Ministria e Jashtme e Emirateve deklaroi se vendi nuk kërkon përshkallëzim të konfliktit, edhe pse thekson se ka të drejtën e plotë të mbrojë sigurinë e tij përballë asaj që e cilëson si agresion iranian.

Edhe Rashid Al Nuaimi, kreu i Komisionit për Mbrojtjen, Punët e Brendshme dhe të Jashtme në Këshillin Kombëtar Federal të Emirateve, reagoi publikisht në rrjetin X duke e quajtur lajmin një sajesë.

“Kur bëjmë diçka, kemi guximin ta shpallim”, shkroi ai, duke shtuar se Emiratet nuk e barazojnë popullin iranian me regjimin e Teheranit.

Ndërkohë, në Abu Dhabi janë dëgjuar shpërthime të forta, sipas dëshmitarëve. Kryeqyteti i Emirateve është goditur disa herë që nga fillimi i luftës rajonale të shkaktuar pas sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit.

Ora 14:34
Zelensky: Ekspertët tanë të dronëve do të jenë së shpejti në Lindjen e Mesme! Në këmbim kërkon sisteme mbrojtëse ajrore amerikane

1770796843_volodymyrzelensky.jpg

Foto: Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ekspertët e dronëve të Kievit do të jenë në terren në Lindjen e Mesme javën e ardhshme, ndërsa ai kërkon sisteme mbrojtëse ajrore amerikane në këmbim të ekspertizës së dronëve.

"Mendoj se javën e ardhshme, kur ekspertët të jenë në terren, ata do të shqyrtojnë situatën dhe do të ofrojnë ndihmë", tha Zelensky në një konferencë për shtyp.

Ora 13:54
Netanyahu: Ne kemi një plan specifik për dobësimin e regjimit në Iran

1772521840_1760855199benjaminnetanyahu.webp

Foto: Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se kanë një plan specifik për dobësimin e regjimit në Iran

“Ne kemi një plan specifik me mundësi të shumta për të dobësuar regjimin iranian dhe për të sjellë ndryshime”, shkroi kryeministri izraelit në llogarinë zyrtare X IsraelPersian.

Ora 13:17
Libani: Të paktën 394 të vdekur nga sulmet izraelite, përfshirë 83 fëmijë dhe 42 gra

1772972316_sazryedtri.jpg

Sulmet izraelite në Liban kanë vrarë të paktën 394 persona brenda një jave, përfshirë 83 fëmijë dhe 42 gra.

Sipas mediave të huaja, të dhënat i ka bërë të ditura ministri i Shëndetësisë së Libanit, Rakan Nassereddine, përmes një konference për shtyp.

Ditën e djeshme numri i viktimave ishte 294, që kur Libani u përfshi në konfliktin rajonal të hënën e kaluar pas një sulmi ndaj Izraelit nga grupi shiit pro-iranian Hezbollah.

Ministri denoncoi sulmet që synonin "ekipet mjekësore dhe ambulancat", duke specifikuar se nëntë ndihmës të emergjencës u vranë.

Ora 12:57
Vijojnë sulmet, raketa iraniane drejt Izraelit dhe një baze ajrore në Jordani

Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se kishte lëshuar raketa drejt qyteteve izraelite të Tel Avivit dhe Bereshevës, si dhe një baze ajrore në Jordani.

"Vala e 28-të e Operacionit 'Honest Promise 4' u lëshua nga raketat e gjeneratës së ardhshme të Forcave Hapësinore të Gardës kundër zonave të Beershevës, Tel Avivit dhe bazës ajrore Al-Azraq", tha IRGC në një deklaratë, të raportuar në televizionin shtetëror.

Ora 12:52
Media izraelite: Emiratet e Bashkuara Arabe sulmojnë për herë të parë në Iran

Avion F-16  i Emirateve të Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë goditur për herë të parë një objektiv në territorin e Iranit që nga nisja e luftës. Lajmi u raportua nga mediat izraelite, të cilat thonë se në shënjestër ishte një impiant iranian për pastrimin e ujit.

Sipas këtyre raportimeve, sulmi shihet më shumë si një sinjal paralajmërues ndaj Teheranit. Megjithatë, nëse sulmet iraniane ndaj Emirateve shtohen, ekziston mundësia që Abu Dhabi të përfshihet në konflikt në mënyrë të kufizuar.

Autoritetet në Emirate thanë se mbrojtja ajrore ka zbuluar 17 raketa balistike iraniane, nga të cilat 16 janë shkatërruar dhe një ka rënë në det. Po ashtu janë identifikuar 117 dronë, ku 113 janë rrëzuar ndërsa 4 kanë rënë në territorin e vendit.

Gjatë fundjavës, televizioni publik izraelit raportoi se kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi edhe një telefonatë me presidentin e Emirateve, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, pikërisht për sulmet iraniane.

Sipas të dhënave të publikuara nga Abu Dhabi, që nga fillimi i sulmeve iraniane janë identifikuar 238 raketa balistike, nga të cilat 221 janë shkatërruar, 15 kanë rënë në det dhe 2 në territorin e vendit. Janë zbuluar gjithashtu 1.422 dronë iranianë, ku 1.342 janë interceptuar ndërsa 80 kanë rënë në tokë. Autoritetet thonë se janë shkatërruar edhe 8 raketa lundruese.

Sulmet kanë shkaktuar katër viktima dhe 112 të plagosur me lëndime nga të lehta në mesatare. Në mesin e të plagosurve ka qytetarë nga disa vende, përfshirë Emiratet, Egjiptin, Sudanin, Filipinet, Indinë, Pakistanin dhe Turqinë.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve tha se vendi është plotësisht i përgatitur për çdo kërcënim dhe do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo sulmi që cenon sigurinë dhe stabilitetin e tij.

Ora 12:46
Papa Leone XIV bën thirrje për ndaljen e luftës: Le të heshtin armët në Lindjen e Mesme

1772970533_cq5dam.thumbnail.cropped.750.422.jpeg

Papa  Leone XIV bëri sot  thirrje për ndaljen e menjëhershme të luftës në Lindjen e Mesme, duke kërkuar që “të heshtin armët” dhe të hapet rruga për dialog.

Gjatë lutjes në Sheshin Shën Pjetër në Vatikan, ai tha se lajmet që vijnë nga Irani dhe rajoni  po shtojnë frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Papa paralajmëroi se ekziston rreziku që lufta të zgjerohet dhe të përfshijë vende të tjera të rajonit, mes tyre edhe Libanin, i cili sipas tij mund të rrëshqasë sërish drejt paqëndrueshmërisë.

Ai u bëri thirrje palëve që të ndalet dhuna dhe bombardimet, të hapen hapësira për dialog dhe të dëgjohet zëri i popujve që kërkojnë paqe.

Ora 12:22
Garda Revolucionare e Iranit: Gati të luftojmë për të paktën gjashtë muaj kundër SHBA-ve dhe Izraelit

Foto: Ali Mohammad Naini

Irani ka paralajmëruar se është i aftë të luftojë "për të paktën gjashtë muaj të tjerë intensivisht kundër SHBA-së dhe Izraelit me ritmin aktual të operacioneve", tha Ali Mohammad Naini, zëdhënës i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.

"Ne kurrë nuk do të dorëzohemi", thanë forcat iraniane.

Sipas vlerësimeve të dhëna nga disa zyrtarë amerikanë në Kongres, Teherani ka ende 50% të programit të tij të raketave dhe një pjesë edhe më të madhe të dronëve, raporton New York Times.

Ora 12:01
U goditën nga Izraeli, pamjet kur impiantet e naftës në Teheran shpërthejnë në flakë (VIDEO)

Tymi i dendur mbuloi qiellin e Teheranit pas sulmeve izraelite ndaj strukturave të naftës gjatë natës. Pamjet e publikuara nga Associated Press tregojnë qiellin e skuqur nga flakët e dendura.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, në shënjestër u vunë katër depo për ruajtjen e naftës dhe një qendër transferimi të produkteve të naftës në provincat Teheran dhe Alborz. Kjo përbën goditjen e parë ndaj impianteve industriale të naftës të Iranit që nga fillimi i konfliktit. 

Ora 11:48
Izraeli godet mbi 400 objektiva ushtarake në Iran brenda 24 orëve

1772967093_Screenshot20260308115056.png

Shpërthim në Teheran

Avionët luftarakë të Izraelit kanë goditur mbi 400 objektiva ushtarake në Iran vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Sulmet u përqendruan kryesisht në zonat perëndimore dhe qendrore të vendit.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se avionët e tyre realizuan një valë të gjerë bombardimesh, ku u hodhën një numër i madh municionesh mbi infrastrukturën ushtarake iraniane.

Sipas ushtrisë izraelite, në shënjestër ishin lëshues raketash balistike dhe disa objekte që përdoren për prodhimin e armëve. Sulmet, sipas tyre, janë pjesë e operacioneve kundër kapaciteteve ushtarake të Iranit.

Ora 11:36
Media: Teherani synon të shkatërrojë radarët e mbrojtjes ajrore amerikane në Gjirin Persik

Foto: Pamje satelitore e Bazës Ajrore Ali Al Salem në Kuvajt

Irani po synon radarët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore në disa vende të Gjirit Persik, përfshirë Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Bahreinin, Kuvajtin dhe Arabinë Saudite, raporton Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë e analistë amerikanë.

Imazhet satelitore tregojnë dëmtime të konsiderueshme, përfshirë një radar në Bazën Ajrore Al-Udeid në Katar, ku ndodhet objekti më i madh amerikan në rajon, dhe një radar Tipi 2 i bashkangjitur një baterie THAAD në Jordani.

 Ndër të tjera u goditën gjithashtu kupolat e radarëve në Kampin Arifjan në Kuvajt, antena satelitore në selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein dhe një radar në Bazën Ajrore Prince Sultan në Arabinë Saudite. Zyrtarët amerikanë thanë për Journal se mbrojtjet mbeten plotësisht funksionale dhe se po vendosen interceptorë dhe pajisje të reja.

Admirali Brad Cooper deklaroi se që nga fillimi i konfliktit, sulmet me raketa janë ulur me afërsisht 90% dhe sulmet me dronë me 83%, megjithëse mbi 100 dronë vazhdojnë të godasin Emiratet e Bashkuara Arabe çdo ditë. Ekspertët theksojnë se sulmet nxjerrin në pah cenueshmërinë e radarëve dhe vështirësinë e mbrojtjes kundër një game të plotë kërcënimesh ajrore, nga raketat te dronët.

Ora 11:07
Teherani: Kemi arritur marrëveshje për zgjedhjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit

1772964509_strtdrdrt.jpg

Asambleja e Ekspertëve të Iranit ka arritur një marrëveshje se kush do të zgjidhet si udhëheqësi i ri suprem i Iranit pas vrasjes së Ali Khameneit.

Sipas mediave të huaja lajmin e bëri të ditur Ajatollah Mohammad-Mahdi Mirbagheri, një anëtar i këtij organi për agjencinë e lajmeve Fars.

Mësohet se ai deklaroi se "u bënë përpjekje të mëdha për të përcaktuar udhëheqësin" dhe se u ra dakord për "një mendim vendimtar dhe unanim".

Në një intervistë tjetër me agjencinë e lajmeve Fars, Hojjatoleslam Jafari, përfaqësuesi i Zanjanit në Asamblenë e Ekspertëve, tha se shpresonte që "i gjithë populli iranian të jetë i kënaqur sa më shpejt të jetë e mundur".

"Vonesa në zgjedhjen e udhëheqësit të tretë është e hidhur dhe e padëshiruar për të gjithë, dhe nuk ka alternativë, kështu që nuk duhet të kemi mendime të këqija për përfaqësuesit tanë në këtë moment të vështirë", mësohet se tha kleriku.

Sipas Kushtetutës iraniane, Asambleja e Ekspertëve, aktualisht me 88 anëtarë, është e ngarkuar me zgjedhjen e një udhëheqësi të ri suprem pas mandatit gati 37-vjeçar të Khameneit, i cili u vra në një sulm amerikan në Teheran më 28 shkurt.

Ajatollah Mohsen Heidari Alekasir, një tjetër anëtar i Asamblesë, tha se kandidati u zgjodh bazuar në këshillën e Ali Khameneit, i cili thoshte se udhëheqësi iranian do të duhej të "urrehej nga armiku".

"Edhe Satani i Madh (SHBA) e përmendi emrin e tij", tha Heidari Alekasir. Ditë më parë, Trump e quajti djalin e Khameneit, Mojtaba, një zgjedhje "të papranueshme". Pra mesa duket, Mojtaba, djali i Ajatollah Ali Khameneit është përzgjedhur për të qenë lideri i ri Suprem i Iranit.

Ora 11:03
VIDEOLAJM/ Godina qeveritare në Kuvajt përfshihet nga flakët pas sulmeve me dron iranianë

Një zjarr masiv përfshiu një kullë në Kuvajt City pas sulmeve me dronë iranianë  në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Flaka shpërtheu në një ndërtesë qeveritare të drejtuar nga Instituti Publik për Sigurimet Shoqërore,.

Departamenti tha se "ndërtesa kryesore e organizatës ishte në shënjestër, duke rezultuar në dëme materiale".

Ora 10:53
Lufta në Lindjen e Mesme, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe: Ne nuk jemi pre e lehtë

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka dhënë komentet e tij të para publike që nga fillimi i luftës në Iran.

"Ne do ta kryejmë detyrën tonë ndaj vendit tonë, popullit tonë dhe banorëve tanë që janë gjithashtu pjesë e familjes sonë", deklaroi ai.

Mohamed bin Zayed Al Nahyan këmbënguli se "gjithçka është mirë" në vend dhe falënderoi forcat e armatosura për "rolin jetësor që po luajnë dhe për shërbimin e tyre të jashtëzakonshëm" gjatë luftës.

"Emiratet e Bashkuara Arabe janë tërheqëse; Emiratet e Bashkuara Arabe janë të bukura, Emiratet e Bashkuara Arabe janë një model. Mos u mashtroni nga pamja e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lëkurë të trashë dhe mish të hidhur - ne nuk jemi pre e lehtë", përfundoi ai.

Ora 09:51
Ushtria izraelite paralajmëron: Do të ndjekim çdo pasardhës të Khameneit dhe këdo që e emëron atë

1772469536_alikhamenei.jpg

Foto: Ali Khamenei

Ushtria izraelite ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ndjekë çdo pasardhës të Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, i vrarë në sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit, dhe këdo që përpiqet ta emërojë atë.

"Pas neutralizimit të tiranit Khamenei, regjimi terrorist iranian po kërkon të rindërtojë veten dhe të zgjedhë një udhëheqës të ri. Asambleja Iraniane e Ekspertëve, e cila nuk është mbledhur për dekada, do të mblidhet së shpejti në qytetin e Qomit.

Ne do të vazhdojmë të ndjekim çdo pasardhës dhe këdo që përpiqet të emërojë një pasardhës. Ne i paralajmërojmë të gjithë ata që synojnë të marrin pjesë në takim se nuk do të hezitojmë t'ju shënjestrojmë. Ky është një paralajmërim!" shkruhej në një postim të botuar nga IDF në persisht.

Kërcënimi erdhi pasi agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se organi fetar që do të zgjedhë Udhëheqësin e ardhshëm Suprem kishte arritur një marrëveshje me shumicë dërrmuese.

Ora 08:40
Izraeli godet disa avionë luftarakë F-14 në aeroportin e Isfahanit në Iran

Disa avionë luftarakë iranianë F-14 u shkatërruan gjatë sulmeve në aeroportin e Isfahanit, tha IDF. F-14-at e prodhuar në SHBA iu furnizuan Iranit para Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Ushtria izraelite shtoi se u goditën edhe sistemet e zbulimit dhe mbrojtjes "që përbënin rrezik për avionët e Forcave Ajrore Izraelite".

Ushtria thotë se shkatërrimi i F-14-ave, së bashku me sulmet e së premtes që shkatërruan 16 avionë të operuar nga Forca Quds e IRGC-së në Aeroportin Ndërkombëtar Mehrabad të Teheranit, janë pjesë e përpjekjeve për të forcuar kontrollin e Izraelit mbi qiellin iranian. Të paktën 11 persona u vranë në sulmet e Isfahanit.