Dalja e Dritan Goxhajt në krye të artikulimit të kërkesave të protestës së të hënës ka sjellë një seri reagimesh nga qeveria. Pasi kryeministri Edi Rama publikoi një dokument që rrëzon pretendimet e Goxhajt për përfshirjen në luftën e Kosovës, në debat është përfshirë edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, me një reagim ku ndalet te UÇK-ja, protesta dhe roli i atyre që flasin në emër të luftës.
Nufi shpërndau postimin e Ramës dhe e shoqëroi me një koment ku vë në kontrast ata që morën pjesë në luftë me ata që, sipas tij, e mbështesin atë vetëm në fjalë. Ai e lidhi gjithashtu qëndrimin e tij me protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke deklaruar se është e lehtë të kërkosh mbështetje nga sheshi për kauza që, sipas tij, nuk janë të qarta as për vetë pjesëmarrësit.
Në reagimin e tij, ministri i Mbrojtjes shprehet se nuk mund të përdoret emri i UÇK-së për interesa personale apo politike, ndërsa e cilëson të papranueshme që dikush të flasë në emër të luftës së Kosovës duke cenuar, sipas tij, figurën e luftëtarëve dhe sakrificën e tyre.
" Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njejtë si sot të marrësh “pëlqime” nga sheshi i një proteste, e cila nuk dihet nga ata që e përkrahin as se kush e drejton apo çfarë realisht kërkon të arrijë! Nuk ka turp më të madh se sa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së – luftës më të lavdishme të popullit shqiptar për liri në trojet e veta duke e lidhur atë me sharlatanë që guxojnë të flasin në emër të heronjve të vërtetë. Turp vërtet i madh që dikush pretendon të flasë në emër të tyre apo në emër të patriotizmit duke dëmtuar drejtpërsëdrejti interesat kombëtare shqiptare! Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe/apo gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka!
Ndërkohë, Komandanti i vërtetë i UÇK-së është në Hagë, i mbajtur padrejtësisht! Ndërsa arkitekti i vërtetë i revolucionit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes së vlerave evropiane, duke bërë një transformim të jashtëzakonshëm për vendin është Edi Rama dhe këtë e kanë treguar më së miri shqiptarët me votën e tyre duke përkrahur atë masivisht dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë!" shkroi Nufi
Lajmi kryesor:
Rama nxjerr dokumentin kur Goxhaj refuzoi të luftojë krah UÇK-së për Kosovën: S’më ka marrë koka erë! Kryeministri: Është manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman











