TIRANË- Ndonëse Dritan Goxhaj është përfolur si luftëtar i UÇK-së, kryeministri Edi Rama ka publikuar një dokument, përmes së cilit tregohet se si Goxhaj ka refuzuar të luftojë për pavarësinë e Kosovës në 1999-ën. Në dokumentin e UÇK-së të tregohet se si më 14 prill 1999, në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan mbërritën si vullnetarë katër oficerë të Ushtrisë Shqiptare, Arqile Mandro, Ermir Begaj, Driton Çyrmishaj dhe Agim Sallaku. Të katërt oficerët ishin transportuar aty nga Dritan Goxhaj, ndërsa sipas dëshmive të zbardhura në dokument, Goxhaj i pyetur nga oficerët nëse do të qëndronte për të luftuar për çlirimin e Kosovës është përgjigjur: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës”.

Rama thotë se dokumentin ia dërgoi një person i cili humbi familjen gjatë luftës së Kosovës, ndërsa shkruan se sikur krejt botën t’ia falin, nuk hedh asnjë pikë balte mbi flamurin e UÇK-së, jo më për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman.

“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!

Ndërsa këto janë fjalët e mia:  Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, shkruan Rama.

Postimi i këtij dokumenti vjen pasi Dritan Goxhaj u shfaq dje në protestë dhe artikuloi kërkesat kundrejt Ramës, duke nisur nga dorëheqja e tij, krijimi i një qeverie teknike dhe kufizimi i ushtrimit të mandatit të kryeministrit deri në 2 mandate. Mirëpo, në kërkesa nuk u përmend në asnjë moment opozita e Sali Berisha.  

Dokumenti i publikuar nga kryeministri Edi Rama