SHKODËR - Edhe pse sot nuk jeton, emri i Luigj Mark Shkozës,  kujtohet me respekt nga komuniteti i Bashkisë së Vaut të Dejës, zonë ku jetoi dhe shërbeu si ndihmësmjek për 45 vite me radhë.
Në nderim të kësaj figure, Këshilli i bashkisë së Vaut të Dejës, akordoi për Luigj Shkozën, titullin e lartë, "Qytetar Nderi" (Pas vdekjes).
Në ceremoninë e dorëzimit të titullit, krahas miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëre te  Shkozes, ishin të pranishëm drejtues të lartë vendorë,  autoritete  nga Tirana e Kosova,  të cilët, vlerësuan  figurën e ndihmësmjekut të palodhur, profesional dhe të përkushtuar për komunitetin.
"Luigj Mark Shkoza, nga viti 1950 që ka filluar të punojë si ndimësmjek deri në vitin 1995, ka qenë një shërbyes i devotshëm, i palodhur dhe i pasionuar pas punës së tij. Duke qenë i gatshëm në shërbim të njerëzve , pavarësisht vështirësive të largësisë, kur pjesën më të madhe të rrugës e bënte në këmbë, shumë herë me  kushte të vështira të motit, ai tregoi cilësitë më të mira si ndihmësmjek i Vaut të Dejës", u shpreh gjatë fjalës së tij, kreu i bashkisë së Vaut të Dejës, Gjon Marku.
Sipas kryebashkiakut, Marku, ajo që e bën të veçantë këtë dekorim, është fakti se në familjen e Luigj Mark Shkozës janë edhe dy nderime të tjera për merita të veçanta dhe shërbim ndaj komunitetit.
Njëri është djalin e Luigj Shkozës, të mirënjohurin, Anton Shkoza, i spikatur me talentin dhe rezultatet  fillimisht si xhudist dhe tashmë si trajner dhe president i Albania Judo Kodokan, i cili mban titullin "Qytetar Nderi" i Vaut të Dejës që në vitin 2000.
Ndërkohë  eshte dhe Aurora Shkoza, vajza e Anton Shkozës dhe mbesa e Luigjit, si kampione absolute e judos shqiptare, pjesëtare e ekipit kombëtar, e nderuar në vitin 2010 me titullin "Mirenjohja e Vaut të Dejësit".
Një tjetër vlerësim që sollën në sallë referuesit, ishte edhe ajo që familja "Shkoza", është e njohur dhe e respektuar prej më shumë se 200 vitesh në zonën e Vaut të Dejësit, edhe për kontribute dhe shërbime të veçanta ndaj komunitetit, duke spikatur edhe si familje patriotike nacionaliste, po ashtu mikpritëse e njerëzve të veçante e patriotë si, Ymer Prizreni, Hasan Prishtina etj.
Me emocione për të pranishmit u përcoll momenti kur Kryetari i Këshillit të Bashkisë, Myftar Babaj dorëzoi titullin "Qytetar Nderi i Bashkisë Vau Dejws (Pas vdekjes)" për Luigj Shkozën, me motivacion - "Për kontribut të veçantë në fushën e shërbimit shëndetësor për banorët e Bashkisë Vau Dejës." Emocionet vijuan edhe më tej, kur titullin e mori në dorëzim, djali i tij, Anton Shkoza, person i cili, falë vullnetit të madh që e karakterizon, edhe pse prej disa vitesh në kushte të një paralize të pjesshme, aksidentuar në një ndeshje judo, vazhdon të jetë shumë aktiv në drejtimin e Judos së Vaut të Dejësit, si dhe të ekipeve të Vllaznisë së Shkodrës./ATSH/