Lulëzim Haxhi Qamili

Lulëzim Haxhi Qamili

Ngjarja e datës 14 mars në Elbasan ku një grup militantësh të PD-së i ulëritën Edi Ramës ndërsa ai kalonte në shetitoren e qytetit të Elbasanit si dhe përleshja më pas e militantëve të të dyja krahëve, pasoi aktet rugaçërore të Ilir Metës dhe u shfaqën si vijim i të gjitha akteve të dhunës që kanë shoqëruar Shqipërinë qysh nga dita kur Lulëzim Basha u thirr në zyrën e Sali Berishës dhe u urdhërua të dalë nga Parlamenti dhe të nisë revolucionin vetëshkatërrues. Këto çeta që i ulërasin Edi Ramës në fytyrë me sloganet nga më të ulëtat dhe që çojnë në ekstazë Gridën dhe Albanën ne i mbajmë mend sidomos nga koha e fushatës për zgjedhje lokale, kohë në të cilën PS-ja hyri e vetme në zgjedhje, ndërsa PD-ja dhe ata që e ndjekin atë dhe që quhen aleatë, nxirrnin një repart të gatshëm që kishte vetëm një punë : t’i ulërinte në sy Edi Ramës kur ai shkonte sa në një qytet në tjetrin. Mesa duket Lulëzim Basha është dorëzuar përsëri dhe strategjia e tij në këto zgjedhje do të jetë mobilizimi i një çete apo një trupe këmbësorie të lehtë të cilët në vend të parrullës që ulërisnin haxhiqamilistat e kohës së parë « Dum Babën », do të ulërasin « Rama ik ».

Me qenë se përmenda në fillim Haxhi Qamilin dhe haxhiqamilistat më duhet të hap një parantezë. Pse pas 30 vjetësh tranzicion ne, shqiptarët, nuk arrijmë të prodhojmë ide, por prodhojmë dhunë verbale dhe zhurmë, shumë zhurmë. Pse, pas 30 vjetësh, ne, shqiptarët, nuk jemi shkëputur ende nga sindroma që e sheh atdheun apo Shqipërinë si një « tokë të xanun » ?  Mund të ketë shumë arsye, por siç e kam theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm («Si e harruam ambasadorin italian dhe u morëm me Gridën »), mua më duket se është e nevojshme të shpjegojmë mitin e krijimit të shtetit tonë. Në Ballkan ne jemi të rrethuar nga shtete që krijimin e kombit të tyre e lidhin me mite të largëta me frymëzim fetar. Serbët kanë mitin e Kosovës, grekët kanë mitin e « megalidhesë ». Rilindësit tanë u munduan të ndërtonin mitin e Skënderbeut dhe mbi atë mit donin të ndërtonin edhe shtetin e ri duke i paraqitur shqiptarët si pasardhës të atij kampioni të madh i cili kishte në identitetin e tij dy shenja : Perëndimin dhe krishtërimin. Mirëpo, ky mit i kombit tonë mbeti në narrativë. Naimi, Konica, Noli, Fishta dhe gjithë ata që ndërtuan narrativën historike dhe krijuan mitin e shqiptarit, e harruan se vendi që e kishte prodhuar këtë mit, nuk ishte më i njëjti. Ata harruan sindromën e Haxhi Qamilit, sindromë që u shfaq menjëhëre sapo Shqipëria u ndërtua si shtet me orientim perëndimor dhe në krye vuri një princ katolik. Pikërisht, kjo sindromë apo kjo sëmundje u fut në trupin e shtetit të ri shqiptar dhe Shqipëria nuk do të vështrohej asnjëherë si entitet i shenjtë që qëndron mbi palët. Përkundrazi, sindroma e Haxhi Qamilit, ashtu si ato viruset e frikshme që nuk shqiten nga trupi asnjëherë, do të shfaqet vazhdimisht e vazhdimisht. Nuk dua të bëj historinë e të vështroj se si kjo sindromë e ka shoqëruar fatin e këtij vendi nga 1912-a e këtej, por po mjaftohem të them se si ka mundësi që Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulëzim Basha janë kundër aletaëve perëndimorë dhe, në emër të luftës për pushtet dhe të krimit që kanë kryer, janë gati ta ndezin përsëri këtë vend ? Si ka mundësi që çetat e sotme të PD-së që ulërasin dhe që shkaktojnë dhunë verbale dhe fizike ngjajnë me çetat haxhiqamiliste ? Si ka mundësi që Shqipëria nuk arrin të prodhojë ide, platforma, debat, por prodhon sherr, sharje dhe dhunë verbale dhe fizike ?

Si ka mundësia që ashtu si Haxhi Qamili që kërkonte largimin e Princ Vidit dhe u vuri flakën e dogji sarajet e disa familjeve të mëdha edhe PD-ja e sotme dhe Sali Berisha e  Ilir Meta, sidomos, kërkojnë largimin e kancelerive të huaja nga ndikimi në vendimmarrje dhe duan të djegin pronat e atyre që tani i quajnë « oligarkë » ?

Fataliteti më duket se është në origjinën e mitit të krijimit. Në atë mit ne kemi edhe një personazh. Ai quhet Lulëzim Haxhi Qamili, pasardhës i Sali Ilir Qamilhaxhiut.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aktakuzë kundër 5 të dyshuarve për krime lufte në Kosovë

Aktakuzë kundër 5 të dyshuarve për krime lufte në Kosovë