Deputeti socialist Erion Braçe e nisi fjalën në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027 duke kujtuar firmat piramidale që lulëzuan gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Braçe tha se ai që ndërtoi atë ekonomi vijon të flasë për ekonominë në Kuvend.

“Thuajse 30 vjet më parë, ditë më ditë, CEO-ja e bankës më të madhe në vend, doktoreshë Maksude Kadëna, shpalli falimentimin, duke shtuar se ishte në pritje të kompensimit. Pas saj, me radhë, edhe CEO-t e pesë bankave të tjera shpallën falimentimin. Të gjitha pjesët e ekonomisë së dragonjve, që ishte ndërtuar nga viti 1991 në këtë vend që ishte në Europë dhe jo në Azi, kishin pasur lidhje me Azinë, por çuditën Europën me marrëzinë e parave që rriteshin në pemë, shtoheshin po aty, vidheshin po andej dhe haheshin masivisht.

Nga ajo kohë s’ka mbetur më asgjë. Nuk e di nëse janë gjallë CEO-t e dragonjve të ’96-s. Por ai që e ndërtoi atë ekonomi është gjallë dhe vijon të flasë për ekonominë në Kuvend. Ekonomia e të njëjtit vend vlerësohet sot nga Standard & Poor’s në nivelin BB, me perspektivë të qëndrueshme. Moody’s e përmirësoi perspektivën nga e qëndrueshme në pozitive, duke theksuar qartë rritjen e qëndrueshme ekonomike, rritjen e të ardhurave dhe uljen e borxhit publik”, tha Braçe.

Braçe vlerësoi uljen e borxhit publik, nivelin e deficitit dhe rritjen e investimeve publike. Sipas tij, buxheti nuk i bëhet barrë ekonomisë dhe ndihmon në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Por deputeti kritikoi mosrealizimin e shpenzimeve të planifikuara, një problem që sipas tij përsëritet prej vitesh edhe kur të ardhurat realizohen. Dhe për këtë tha se cilido ministër që rrezikon realizimin e buxhetit duhet të largohet.

“Buxheti i këtij viti përmbush të gjitha detyrimet e tij dhe ul në kufijtë e poshtëm rreziqet për të dhe prej tij, pra rreziqet për ekonominë. Nga perspektiva e 30 viteve më parë, disiplina ligjore fiskale ka një rëndësi shumë të madhe. Nisur nga kjo, dua të them se buxheti ka të ardhura të planifikuara dhe shpenzime në rritje. Borxhi publik është ulur në 52,4% dhe investimet publike janë tri herë më të larta se deficiti buxhetor. Ky buxhet nuk i bëhet barrë ekonomisë kombëtare. Paga mesatare arriti në 967 euro, deficiti mbeti në 2,3% dhe balanca primare ishte pozitive. Për ata që i dëgjuan dhe thonë se nuk i kuptuan, dua të them se këto shifra janë elemente të qëndrueshmërisë ekonomike. Buxheti jo vetëm që nuk bëhet barrë, por shërben edhe si stimul për zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend.

A ka rreziqe dhe mangësi ky buxhet? Buxheti është më i vogël se ekonomia, ndërkohë që ekonomia është burimi i vetëm i buxhetit. Ajo që nuk pranoj është që qeveria ta rrezikojë buxhetin. Më saktë, mosrealizimi i të ardhurave apo i shpenzimeve buxhetore është i papranueshëm, sidomos kur ndodh ajo që po përsëritet prej disa vitesh, kur të ardhurat realizohen, por shpenzimet jo. Ministrat që nuk realizojnë shpenzimet duhet të ikin nga qeveria, thashë vjet. Askush nuk ua ka borxh padijen për ta përdorur me efektivitet paranë publike. Abuzimin me të, jo e jo. I mbetem së njëjtës kërkesë. Kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell rrezik serioz për të, nuk ka pse të rrijë më në qeveri”, vijoi Braçe.

Braçe kërkoi një reformë në industri dhe propozoi heqjen e taksës doganore për lëndët e para të industrisë së lehtë. Për bujqësinë, deputeti tha se fondet janë rritur, por mungon një plan i qartë për mbështetjen e bujqve.

“Me aq shumë burime, ne vijojmë të biem në industri. Duhet një reformë totale në sektorin e industrisë. Duhet të ndalim krizën që ka ardhur nga modeli dhe abuzimi skandaloz. Këtu kam edhe një vërejtje. Bëhet fjalë për industrinë e lehtë. E kam dëgjuar qeverinë të thotë se ata duhet të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit, por kjo kushton dhe shpenzimet i paguajnë gjithmonë ata. Duhet të sugjerojmë si bëhet kjo. Ata njerëz meritojnë qoftë edhe një favor, të çlirohen nga taksa doganore për lëndët e para.

Bujqësia ka më shumë para se një vit më parë. Është skema mbështetëse e drejtëpërdrejtë, por këto nuk mjaftojnë. Na mungon një plan i qartë që të përcaktojë se çfarë do të bëjmë me dy asetet, me tokën dhe me bujqit”, vijoi Braçe.

Braçe kritikoi edhe përqendrimin e ekonomisë në dy sektorë, duke thënë se kompanitë e ndërtimit po kthehen në punëdhënësit e vetëm. Ai e lidhi fuqinë ekonomike me rrezikun e ndikimit në politikë.

“Ekonomia është përqendruar në dy sektorë, aq sa operatorët e ndërtimit po kthehen në punëdhënësit e vetëm. Asnjë përqendrim nuk është i mirë, kudo që ndodh. Ne e kemi aktualitetin partiak të tillë. Janë drejtuesit, dhe jo votat, që caktojnë mbajtësit e pushtetit, ministrat, këshilltarët, drejtorët. Do të jetë e rëndë që të pasurit të caktojnë kryetarët dhe deputetët e tyre përmes fuqisë ekonomike dhe kontrollit mbi punëtorët e tyre”, vijon Braçe.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Buxheti 2027 diskutohet në Kuvend, ministri Malaj i përgjigjet pyetjeve të opozitës: Fermerët s'do të preken nga ulja e pragut të TVSH-së, ekonomia rritet me 4%