Kryetari i PD-së, Lulzim Basha rreth orës 15:00 të ditës së sotme mblodhi Kryesinë e partisë dhe kryetarët e degëve për të angazhuar anëtarët që të nisin organizimet për të kontaktuar sa më shumë njerëz për protestën e 16 marsit para Kryeministrisë.  Ndërkohë që pas mbledhjes së kryesisë, Basha ishte në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, ku ripërsëriti thirrjen për protestën e 16 marsit, ndërsa theksoi se më këtë qeveri nuk do të hapen negociatat për Shqipërinë.

Opozita është e përqendruar në organizimin e protestës së 16 marsit, e cila është cilësuar sipas saj më e madhja në këto 30 vite. Gjatë paradites së sotme një tjetër protestë është organizuar dhe nga simpatizantët e PD-së në Greqi, kundër qeverisë Rama, përpara ambasadës shqiptare në Athinë.Emigrantët janë shprehur se në datën 16 Mars do të marrin pjesë në protestën e thirrur nga opozita.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:23
Basha: Negociatat nuk do hapen, Rama kufomë politike, ejani ta largojmë më 16 mars

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha iu bashkua protestës së një grupi banorësh te Unaza e Re, që vijon prej disa muajsh. E ndërsa ripërsëriti akuzat për Ramën dhe Gjiknurin për projektin, Basha bëri thirrje për protestën e 16 marsit para Kryeministrisë. Ai tha se Rama është kufomë politike, që duhet të largohet për t'i hapur rrugë Shqipërisë Europiane, pasi me këtë qeveri nuk kanë për t'u hapur as negociatat.

"Kjo është qëndresa më popullore. Keni hyrë në muajin e pestë dhe për këtë meritoni respektin. Cdo protestë është një vendim dhe këta banorë e kanë marrë vendimin. Lleshaj, kjo vegël e krimit të organizuar dhe Ramës, dhunoi qytetarët, por nuk i theu dot, as me analistët e blerë. Do ta pastrojmë këtë llum. Rama është një kufomë politike dhe banda e tij që qeveris vendin i ka ditët e numëruara. Vendimet mendoj se mund ti marrë ai tani e gjashtë vite me faturat e larta.

Rama është i paligjshëm, ilegjitim, ndaj sot nga Unaza kam një mesazh për cdo qytetar, ka ardhur koha që vendimet ti merrni ju, ju duhet të vendosni. Djegia e mandateve është vendimi më i ligjshëm, më demokrat dhe patriotik, i ndërmarrë ndonjëherë. Ne dolëm në krah të popullit. Me këtë vendim tashmë kemi hapur rrugën që cdo vendim tjetër të mos jetë në dorën e asamblesë së krimit, populli duhet të vendosë.

Ju duhet të vendosni për parlamentin dhe qeverinë që meritoni. Koha ka ardhur ti japim zgjidhje kësaj emergjence,  duhet të largojmë Ramën. Nuk shkohet në Europë me zgjedhje të diktuara nga krimi dhe që godet të pambrojturit. Zgjidhja politike është zgjidhja e vetme. Ju ftoj të gjithëve, në 16 mars kemi një takim me historinë e triumfit të shqiptarëve. Me Ramën nuk ka për të pasur Europë dhe negociata, këtë e dinë të gjithë, edhe socialistët e ndershëm
" përfundoi Basha.

Ora 16:58
Basha mbledh kryesinë: Thirrje për protestë, kontaktoni sa më shumë njerëz

Në takimin e organizuar me anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike është diskutuar mbi protestën që opozita do të organizojë në datë 16 Mars.

Gjatë takimit, Basha është shprehur se largimi i Ramës është çështje e emergjencës kombëtare duke i bërë thirrje anëtarëve të kryesisë të oganizojnë sa më shumë njerëz për pjesëmarrje në protestat që do të oganizojë opozita. 

Anëtarët e kryesisë dhe ish-deputetët e PD-së kanë marrë direktivat për rolin e tyre në organizimin e tubimit që opozita do të mbajë në datë 16 Mars, e cila është konsideruar si kryedemokrati si protesta kombëtare që do të çojë në rrëzimin e Ramës.

Ora 16:21
A do ketë dhunë në protestë?! Balliu për Report Tv: Nëse do ketë provokime dimë si të përgjigjemi

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD-se, ish-deputeti Klevis Balliu ka folur për Report Tv mbi atë çka u fol në mbledhje duke deklaruar se protesta do të vijojnë deri në rrëzimin e Edi Ramës. Balliu tha se protesta e 16 Marsit do të jetë më e madhe se ajo e 16 shkurtit. 

"Gjatë mbledhjes u diskutua mbi protestën që do të mbajë opozita. Nuk do të ketë asnjë hap pas. Vendi është në ditët e tij më të zeza. Protesta do të vazhdojë deri në rrëzimin e Ramës. Protesta e 16 Marsit do të jetë më e madhe se ajo e 16 shkurtit. Nëse do ketë provokime qyetarët do të dinë t'i përgjigjen. Kësaj here qytetarët nuk do të bien më pre e provokimeve të policisë", u shpreh Balliu.