Lulzim Basha raprezalje ndaj
romëve që mbledhin kanaçe

TIRANË - Vend grumbullimi ku romët depozitojnë mbeturinat plastike (shishe plastike e kanaçe) që mbledhin nga kazanët e plehrave të Tiranës, gjatë mesditës së djeshme është shndërruar në një vend “përleshje” mes policisë bashkiake dhe romëve. Rreth orës 11:00 të mesditës, në pikën e grumbullimit që ndodhet pas burgut 313, tek shinat e stacionit të trenit, ka mbërritur kreu i policisë bashkiake Florenc Hoxha i shoqëruar me dhjetra policë bashkiake, një fadromë dhe një kamion i madh, të cilët, pavarësisht kundërshtimeve të forta të romëve dhe të pronarit që kishte këtë pikë grumbullimi janë futur brenda saj dhe kanë marrë motorat që ndodheshin në atë moment në këtë pikë grumbullimi dhe mbeturinat.

Madje, në këtë pikë ka pasur edhe një "përleshje" mes kreut të policisë bashkiake Hoxha, i cili ka nxjerrë shkopin e gomës dhe ka filluar t'i ofendojë ata dhe vetë romëve. Ndërkohë që disa prej romëve të pranishëm në këtë moment tensioni, kanë regjistruar gjithçka (pamje që do transmetohen sot në “A1-Report”, kur kreu i bashkiakes ka dalë në krye të sulmit për të prishur vendgrumbullimin. Romët kanë bërtitur: "Mos i prekni", ndërkohë që kreu i bashkiakes u ulëret:"Iu q..robt", sharje që në fakt ai i ka marrë mbrapsht edhe nga romët e pranishëm. Kjo situatë është përsëritur disa herë dhe duket se Hoxha vetëm falë agresivitetit të tij ka mundur t'i mbajë larg punëtorët që kanë parë t'u shkatërrohet gjithçka.

Më pas, qindra kilogramë me shishe plastike dhe kanaçe, që ishin mbledhur nga romët nëpër kazanët e mbeturinave, së bashku me motorët e tyre janë ngarkuar në kamionin e madh dhe janë dërguar diku tjetër. Forcat e policisë bashkiake kanë qëndruar në këtë pikë grumbullimi të mbeturinave deri në orët e pasdites, ndërkohë që në përkrahje të romëve ka shkuar edhe këshilltari i majtë në këshillin bashkiak, Florian Pullazi, që nuk u ka shpëtuar kërcënimeve të kreut të bashkiakes. Romët e mbetur pa punë, kanë denoncuar jo vetëm dhunën që është ushtruar ndaj tyre, por kërkojnë llogari nga shteti për këtë situatë që po ndodh. Ata thonë se tashmë nuk kanë më se ku të shkojnë dhe e vetmja mundësi që u mbetet për të siguruar bukën e fëmijëve të tyre është të dalin dhe të vjedhin. Mirela Myrtaj, është bashkëshortja e rojtarit të kësaj pike grumbullimi, të cilët prej vitesh të tëra e sigurojnë jetesën në këtë mënyrë. "Policia bashkiake ka ardhur rreth orës 11 të paradites dhe e ka bllokuar pikën. Askush nuk ka të drejtë ta bllokoj atë, kam gjashtë kalamaj për të ushqyer. Rri gjithë ditën në kazanët e mbeturinave dhe i shesh me 200 lekë të vjetra kilen, mezi na bëhen 4-5 mijë lekë të vjetra në ditë. Mund ta bllokonte mallin, por jo të na e merrte. Personi që ka këtë makinën këtu, - na thotë ajo, duke treguar makinën e kreut të policisë bashkiake, Florenc Hoxha, - na ka kërcënuar me shkop gome dhe na ka fyer duke përdorur një fjalor jo etik. Jemi 1 mijë veta që ushqehemi me bukë me këtë punë. Ne kërkojmë që shteti të ndërhyjë, pasi ne nuk kemi se me çfarë të ushqehemi. Çfarë të bëjmë? Të dalim të vjedhim tani??", - na thotë ajo e irrituar nga ajo që ka ndodhur mesditën e djeshme.

Ndërkohë shoqatat e romëve thonë se i kanë kërkuar bashkisë së Tiranës se mbi ç'baza e ka marrë vendimin për sekuestrimin e mjeteve motorike, por nuk kanë marrë një përgjigje. Ata na thonë se presin që gjatë ditës së sotme të marrin një përgjigje nga bashkia për kthimin e mjeteve të sekuestruara, në rast të kundërt do të hidhen në protesta.

ROMET BLEJNE MOTORRE TE RINJ
Prej disa ditësh, policia bashkiake e Tiranës ka nisur një sulm kundër romëve që mbledhin shishet plastike dhe kanaçet nga kazanët e mbeturinave. Fillimisht, pa ndonjë urdhër apo paralajmërim, Policia Bashkiake u mori romëve mjetet motorike, biçikletat, por madje vetë romët tregojnë se u ka marrë edhe qeset që mbanin në duar me shishe plastike, dhe i ka grumbulluar në oborrin e policisë bashkiake. Por një pjesë e tyre sërish nuk e kanë lënë punën e tyre. Ata na tregojnë se pasi policia bashkiake u ka marrë mjetet motorike, ata kanë blerë sërish të reja. "Mua ma mori policia bashkiake motorin një javë më parë. E kisha blerë 850 mijë lekë të vjetra, tani bleva një tjetër dhe e fshehim mes pallateve që të mos na e gjejnë. Te disa familje në Selitë kanë shkuar dhe ua kanë marrë në oborret e shtëpive. Nuk e kuptojmë se çfarë po ndodh. Ne duam vetëm të na lënë të punojmë", - na rrëfen Besimi, që tashmë kontrollon në koshat e mbeturinave që ndodhen në periferi. Ndërsa një shoku i tij, na thotë se dy ditë më parë e kapi policia bashkiake, por i dha 3 mijë lekë të reja dhe nuk ia morën mjetin. Romët i dërgojnë ata që gjejnë nëpër kazanët e mbeturinave te pika e grumbullimit që u shkatërrua dje, ndërsa kjo e fundit ua shet fabrikave që merret me riciklimin e plastikës.

LUFTA PER 100 MIJE TON MBETURINA
Lufta për kazanët e mbeturinave që po zhvillohet mes policisë bashkiake dhe romëve, duket së në të vërtetë ka qëllime krejt të tjera. Burime konfidenciale na thonë se gjithçka bëhet për të favorizuar një kompani që merret me riciklimin e mbetjeve plastike, kompani e cila është afër familjarëve të kreut të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Sipas tyre, në gjithë këtë biznes romët janë kthyer në një pengesë serioze, pasi ata ndërhyjnë që në kazanët e mbeturinave dhe i dërgojnë kanaçet dhe shishet plastike që mbledhin nëpër pika të ndryshme grumbullimi.

"Qëllimi i bashkisë është t'ia japë riciklimin e mbeturinave vetëm një kompanie, që është pranë familjarëve të Bashës. Dhe romët në këtë mes prishin punë. Ata ndërhyjnë që në kazanët e mbeturinave dhe gjithçka që mbledhin e dërgojnë në pikat e grumbullimit që kanë interes, duke bërë që plastika, pra lënda e riciklueshme të mos shkojë vetëm në një vend, në Sharrë. Bashkia këtë do të bëjë. T'ia japë Sharrën një kompanie private dhe që këtu ajo mund të marrë të gjitha llojet e mbeturinave, dhe bëhet fjalë për rreth 100 mijë ton mbeturina plastike të riciklueshme. Ndaj dhe bashkia ka nisur aksionin kundër romëve" - na thonë burime konfidenciale. Por duket se edhe vetë romët, të cilët kanë pësuar sulmet këto ditët e fundit, e dinë se çfarë po ndodh realisht. Ata na thonë se në të vërtetë bashkia, po lë pa punë 1 mijë persona për të mbajtur në punë njerëzit e tij, duke aluduar kështu që firma që do të marrë përsipër riciklimin e mbeturinave të Tiranës është e familjarëve ët tij. "Fajin për marrjen e këtyre mbetjeve e ka ai që Basha e ka të vetin. Por ai nuk mund të lërë pa bukë 1 mijë persona vetëm për të punuar një person që do ai", - na thonë romët të cilët ishin dje te vendgrumbullimi i shkatërruar.

Mbeturinat
Shqipëria thyen rekorde edhe përsa i përket sasisë së mbeturinave që krijon gjatë një viti. Sipas studimeve të bëra nga Instituti i shëndetit Publik, bashkia e Tiranës apo edhe institucione të tjera rezulton se në 2008-ën Shqipëria prodhonte rreth 800 mijë ton mbeturina urbane, ndërkohë që sipas parashikimeve të ekspertëve të mjedisit, në 2015-ën do të prodhojmë rreth 1.2 milionë ton mbeturina në vit. Rrethet më problematike përsa i përket sasisë së mbetjeve janë Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, dhe Elbasani. Ndërkohë që ISHP, IFC dhe një studim i bërë nga bashkia e Tiranës më 1997 kanë treguar se rreth 10% e tyre e përbëjnë mbeturinat e plastikës. Pra nga totali prej 800 mijë ton mbeturinash në vit, plot 80 mijë ton janë plastikë. Vetëm në Tiranë në një vit shtohen rreth 22.700 ton mbetje, kurse në Shqipëri shtohen afro 40.000 ton mbetje. 1 ton është e barabartë me 5.5 m3 mbetje urbane. Në total në vendin tonë nga e gjithë kjo sasi vetëm 10 % riciklohen.

(aq/ek/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Kuvendi Rinor i Tiranës, Veliaj: Nuk ka forcë në botë që më ndalojë, të bëj fushatën më fuqishëm për fitoren e PS dhe Edi Ramës

Kuvendi Rinor i Tiranës, Veliaj: Nuk ka forcë në botë që më ndalojë, të bëj fushatën më fuqishëm për fitoren e PS dhe Edi Ramës