Ekspertët mendojnë se ndërhyrjet në shtretërit e lumenjve janë bërë prej vitesh pa studime duke prishur ekuilibrat natyrorë dhe shtuar rrezikun e rrëshqitjeve edhe në akse të tjera rrugorë. Në emisionin Sot Live në Shqipëri, inxhinieri hidroteknik Fitim Ballo, eksperti i mjedisit Abdullah Diku dhe gazetarja e ekonomisë në Report TV, Eliza Gjediku, paralajmëruan ajo që po ndodh në segmentin Librazhd-Prrenjas është pasojë jo vetëm e natyrës por edhe e mungesës së studimeve të mirëfillta. Kësisoj lind pyetja: A rrezikon të ketë shembje në pika të tjera Korridori 8?
“Patjetër ka. Në Elbasan. Atë që po bëjnë tani për Formula 1, një pjesë atje ka shkarë. Ka shenja të tjera në zonën e Shkumbinit, në Cërrik, ka shenja në Papër, në pjesën e sipërme të Shkumbinit. Rruga duhet shoqëruar me masa mbrojtëse. Kur mbron një krah duhet të mbrosh dhe krahun tjetër” tha Ballo.
Sipas Abdullah Dikut, ndërhyrjet në shtretërit e lumenjve janë bërë prej vitesh pa studime të plota. Ai tha se në lumin Shkumbin, nga Librazhdi deri te Ura e Rrogozhinës, janë identifikuar rreth 21 pika grumbullimi inertesh me afro 1 milion metra kub material. Një sasi që, sipas tij, ka prishur ekuilibrat natyrorë dhe ka shtuar erozionin në brigje.
“Është ndërhyrë në mënyrë të pastudiuar jo vetëm në atë aks por në të gjithë rrjetin hidrik lumor shqiptar, në të gjithë shtretërit e lumenjve. Tashmë kemi erozione në brigje që nuk i kemi pasur më parë kemi situate përmbytjesh dhe devijime të rrjeteve kryesore hidrike për shkak të këtyre ndërhyrjeve të pastudiuara që ne kemi bërë në të kaluarën. Një shpat i tillë në një zonë gjeologjike si ajo e Librazhdit nuk pranon shumë ndërhyrje, aq më tepër me lëndë plasëse, ndërhyrje që e destabilizojnë shpatin. Nëse i heq shpatit pjesën e poshtme mbrojtëse sigurisht që mbingopja me ujë e zonave të dobëta gjeologjike do të sjellë këto pasoja katostrofike. Në shpate të tilla të pjerrëta dhe në zona të paqëndrueshme gjeologjike atëherë ke bërë një ndërhyrje që nuk ka të ndalur më pas” tha Diku.
Edhe inxhinieri Fitim Ballo pranoi se zona ka qenë historikisht rrëshqitëse, por jo në këtë përmasë. Ai ngriti pyetje të drejtpërdrejta: kush e ka bërë studimin? Kush e ka projektuar? Kush e ka supervizuar? Edhe sipas tij, gërryerjet në shtratin e Shkumbinit janë një nga faktorët që mund të kenë ndikuar në rrëshqitjen e rrugës.
“Aty nuk duhej ndërhyrë fare, pa një studim të mirë hidro gjeologjik, nuk duhej ndërhyrë. Duheshin bërë planet e rrëshqitjes, por këto mesa duket nuk janë bërë sepse këtu ka një problem shumë të madh me projektet. Projektet nuk zbatohen dhe ndryshohen sipas qejfit. Duhet parë kush e ka bërë këtë projekt. Unë mendoj se pronari i kësaj pune është firma ndërtuese. Edhe në rrugën Qafe Pllocë Pogradec, edhe në rrugën e Gramshit, janë 20 rrugë të rrëshqitura në Shqipëri” shtoi ai.
Gjatë diskutimit, gazetarja Eliza Gjediku solli shifra konkrete: aktualisht janë 5 leje aktive për marrje inertesh në Shkumbin, shumica e lidhur me projekte të Korridorit 8. Katër kompani nxjerrin rreth 3.5 milionë metra kub zhavorr. Një prej tyre është kompania ANK, që po ndërton lotin ku ndodhi shembja, me leje nga 2024 deri në 2027 dhe rreth 490 mijë metra katror sipërfaqe shfrytëzimi.
“Të gjitha lejet janë të monitoruara nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe nuk është gjetur asnjë shkelje sa i takon koordinatave ku ata ushtrojnë veprimtari. Ajo që mua më shqetësoi ka të bëjë me faktin që duhet të kishte pasur një studim të mirëfilltë për ndërtimin e Korridorit 8. Ka ekspertë që thonë se nga presioni që ka shkaktuar rruga e re mund të ketë ardhur kjo rrëshqitje masive, ka të tjerë që thonë se ka ardhur nga gërmimet masive, sepse nuk janë leje për të marrë zhavorin por edhe për të përdorur burimet ujor enëntokësore ose sipërfaqësore. Ka leje për të ndërtuar pranë brigjeve të lumit Shkumbin, ka leje për ta përdorur për vaditje. Janë dhënë me 10 leje për këtë lumë por më të dëmshmet janë ato për marrjen e zhavorrit” shtoi Gjediku .
Ballo paralajmëroi se nëse zhavorri merret dhe nuk zëvendësohet, lumi do të gërryejë zona të tjera për të rikuperuar materialin e humbur. Ndërsa për bypass-in provizor 1.3 kilometra pranë lumit, ai tha se mund të mos jetë zgjidhje afatgjatë dhe se rrëshqitjet mund të vazhdojnë.
“Mos kujtoni se do mbyllet kjo punë me kaq. Nëse sot ka shkarë nje pjesë rruge, nesër do të shkasë më shumë po tek kjo rrugë. Problemi është kompleks” tha ai.
Ekspertët identifikuan gjithashtu mungesën e oponencës teknike në projekte madhore. Sipas Dikut projektet merren të mirëqena dhe puna fillon pa analizuar çdo detaj.
“E keqja më e madhe është që në shumicën e projekteve tona madhore, ka humbur oponenca teknike, pra një grup projektuesish që paraqesin një projekt duhet të kenë oponencë përballë që analizojnë ccdo shkak dhe detaj. Por tani, projekti meret i mirëqenë dhe menjëherë fillon zbatimi gjë që është e gabuar, pra oponenca teknike, cilësia e kontrollit të punimeve, supervizionit etj, duhet të kemi një tjetër qasje. Ajo që më shqetëson është që thuhet se është dhënë leje për të marrë inerte në lumin Shkumbin, gjë që sot për sot nuk ka pasoja, por ai shtrat lumi dhe ajo trajektore lumi është krijuar në qindra mijëra vite ndaj një ndërhyrje sot shumë shpejt lumi do të gjejë mënyrën e re për të kompensuar atë që po I merret në mënyrë të pastudiuar” tha Diku.
Diku ngriti alarmin edhe për gërryerjen e lumit buzë rrugës së Arbrit ndërsa Ballo shprehu shqetësim për pasoja më të gjëra mjedisore si pasojë e ndërhyrjeve në lumenj.
“Aty është ngushtuar shtrati i përroit për të mbrojtur rrugën por ka shkaktuar devijimin e lumit që përplaset me malin përballë. Menjëherë aty ka filluar erozioni i fuqishëm masiv. Tokat bujqësore nuk do të jenë për 3-4 vjet sepse intensiteti i erosionit është I frikshëm. Ne mendojmë të zgjidhim një problem vetëm sot për sot” tha Diku.
Sipas tij, këto ndërhyrje pa kriter janë arsye përse Shqipëria është zvogëluar.
“Nga viti 1990 deri në vitin 2010, Shqipëria është zvogëluar me 2000 km katror dhe kjo ka ndodhur për shkak të spostimit të vijës bregdetare, nga marrja e inerteve nëpër lumenj, nga prerja e pyjeve, nga mos-ndërtimi i pritave të lumenjve. Në Shqipëri, të gjitha plazhet janë zvogëluar. Plazhi i Semanit, Patokut, Velipojës, Durrësit, janë zvogëluar për shkak të dëmit që kanë sjellë lumenjtë” tha Ballo
E nëse natyra ka bërë pjesën e saj në izolimin e juglindjes së vendit, ekspertët ranë dakord në Report TV se njeriu mund ta ketë shtyrë situatën drejt pikës së çarjes.
Zona ku sot po shembet rruga në Librazhd-Prrenjas ishte konsideruar problematike që në vitin 1955. Sipas inxhinierit hidroteknik Fitim Ballo, projekti i asaj kohe për hekurudhën ishte menduar krejt ndryshe nga si është ndërtuar sot rruga. Ballo tregoi se projekti ishte hartuar nga rusët dhe shmangte pjesët e paqëndrueshme të terrenit.
"Në atë zonë, ka pasur projekt ndërtimi për hekurudhën që në vitin 1955. Ka qenë projekt që e bënë rusët. Ata e kaluan projektin gjatë lumit Shkumbin herë në një krah e herë në një tjetër, por me tunele dhe me ndërtime. Nuk ishin dakord që hekurudha të kalonte në pjesën e sipërme, sepse kjo pjesë ishte e pastabilizuar dhe ishte zonë shkarëse. Rruga e re që duhej bërë duhej kombinuar me tunele. Këto rrugë që janë dëmtuar kanë një problem të madh. Këto janë ndërtuar gjysmë në gërmim e gjysmë në mbushje dhe këtë defect rrugët e japin me vonëse, sidomos kur ka reshje shiu. Mos kujtoni se do mbyllet kjo punë me kaq. Nëse sot ka shkarë nje pjesë rruge, nesër do të shkasë më shumë po tek kjo rrugë. Problemi është kompleks” tha Ballo.
Sipas Ballos, terreni në atë zonë ka qenë gjithmonë i njohur si i paqëndrueshëm dhe kërkon zgjidhje inxhinierike më të forta, ndërsa paralajmëroi se rrëshqitjet mund të vazhdojnë nëse nuk trajtohet thelbi i problemit.
Komente












