Tonelata peshqish kanë ngordhur në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë. Shkak janë bërë punimet për rehabilitimin e shkarkuesit kryesor.

Në pamje shihet se rezervuari është tharë dhe mijëra peshq kanë mbetur në baltë. Një pjesë e tyre janë dekompozuar, duke krijuar ndotje mjedisore.

Shkarkuesi i rezervuarit prej kohësh ishte i bllokuar dhe për rehabilitimin e tij, Bashkia e Lushnjës ka akorduar një fond prej 32 milionë lekësh.

Ndërhyrja duhet të kishte përfunduar para 1 viti, por firma që ka fituar tenderin ka kërkuar shtyrje të afatit të punimeve.

Banorët thonë se rrjetat e vendosura përpara shkarkuesit nga ish-administratori i peshkimit kanë ndikuar në bllokimin e tij.

Megjithatë kjo pritet të sqarohet nga bashkia, e cila ende nuk ka reaguar për situatën e rëndë mjedisore dhe ecurine e punimeve në rezervuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:53
Tharja e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë, Korreshi: Një masakër, për të rregulluar hinkën e daljes është tharë e gjithë këneta (VIDEO)

Deputeti PD, Saimir Korreshi ka reaguar në lidhje me tharjen e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë. Ndërsa ka qenë në zonë dhe ka biseduar me disa banorë, Korreshi shprehet se kjo është një masakër.

"Çfarë do të bëjnë gropë plehrash?", dëgjohet t'u thotë Korreshi banorëve.

Në një postim tjetër në faqen e tij në Facebook, deputeti demokrat ndërsa e cilëson këtë situatë të rëndë, shprehet se 'për të rregulluar hinkën e daljes është tharë e gjithë këneta'.

Për peshqit e ngordhur, Korreshi thotë se ata janë një 'kërmë' e madhe në zonë.

"Tonelata peshqish të ngordhur kanë dalë në rezervuarin e Kasharajt. Tmerr i vërtet me atë që ka ndodhur në Rezervuarin e Kasharajt. Për të rregulluar hinkën e daljes është tharë e gjithë këneta. Peshqit ngordhën nje kërrmë e madhe tani.

Ndërkohë nga më bëjnë më dije ekspertet e fushës kjo dramë mund të ishte duke ndërtuar një mini argjinaturë përpara hinkës që të ruhej uji dhe të shpëtohej e gjithë kjo masakër. Por i kanë rënë shkurt më mirë e thajmë. Tmerr. Po pastrimi që nuk është në tender si me ja bërë", shkruan Korreshi në rrjete sociale.