Më poshtë fjala e plotë në tryezën mbi Memorialin Kombëtar në nder të viktimave të ish – diktaturës

Të nderuar miq,
 
Shumë faleminderit, e vlerësoj jashtë mase ftesën. Më vjen mirë që shikoj miq të vjetër, bashkëpunëtorë të ministrisë dhe kolegë të rinj që kam njohur nga kjo punë.
 
Besoj që do të dal pak nga ajo që kisha përgatitur për ta filluar ku në fakt e mbaroi Valteri. Kjo është një tryezë e pazakontë, ose të paktën kryesia e kësaj tryeze është e pazakontë. Ne jemi disa përfaqësues të majtë, në qeverinë qendrore dhe në qeverinë lokale, mbledhur këtu rreth një fondacioni të djathtë, pra që tipikisht punon me të djathtën shqiptare. Unë besoj që Valteri e goditi gozhdën në kokë kur tha që në fakt kjo është njëçështje që duhet të na bashkojë, jo të na përçajë. Ndaj dhe e vlerësoj jashtë mase dhe jam këtu me këtë mision të bashkisë, për njëçështje që ka të bëjë me të kaluarën tonë, si një mënyrë për të ecur më mirë në të ardhmen tonë.
 
Më lejoni të them që në krye të fjalës sime se i afrohem me shumë përulje por edhe pa asnjë lloj kompleksi këtij diskutimi për të pasur një memorial që përkujton të kaluarën dhe vuajtjet e të përndjekurve politikë në Shqipëriashtu si dhe çdo diskutimi që ka të bëjë me çështjet e ish - të përndjekurve politikë. Shumë prej miqve që janë të pranishëm këtu e dinë se sa është e vërtetë kjo, me prova dhe fakte konkrete, nga bashkëpunimi që kemi pasur së bashku për hartimin e ligjit të dosjeve apo zgjidhjen e problemit të pagesave për dëmshpërblimet.
Më vjen mirë që ligji i dosjeve ka kaluar nëParlament por ky është momenti për ti bërë një apel Parlamentit shqiptar që teksa e vlerësojmë apo e mirëkuptojmë rëndësinë që ka reforma në drejtësi apo reformat e tjera, besojmë se ky ligji i dosjeve dhe implementimi tani nëpërmjet një komisionit për hapjen e dosjeve është jetik dhe është kyç për të treguar që vërtetësia me të cilën kaluam ligjin do të përkthehet në një realitet të hapjes së dosjeve dhe të një introspektive që shoqëria jonë do t’i bëjë vetvetes.
 
Më vjen mirë gjithashtu që ministria që sot drejtohet me shumë sukses nga Blendi Klosi, teksa po hapja gazetat e mëngjesit pashë publikimin për këstet e gjashta dhe të shtata dhe dua t’u kujtoj që kur e filluam këtë punë në vitin e parë, ende diskutohej një pjesë e këstit të parë. Dhe besoj se këto dy detyrime janë një provë e qartë se përtej fjalëve ka disa aksione konkrete për të treguar këtë gatishmëri. Këtu dua të falenderoj publikisht dy miq, edhe autorë të ligjit të dosjeve por edhe njerëzit kyç në avancimin e kauzës së dëmshpërblimeve, Genta Sulën dhe Bilal Kolën që meritojnë një duartrokitje nga të gjithë ne dhe mirënjohjen tonë. Si shpjegohet që në një vend ku është folur aq shumë për antikomunizmin e ku janë ngritur buste për sa e sa personazhe herë kontroversë e herë anonimë, nuk është gjetur deri më sot mundësia për të bërë atë që duhet të ishte gjëja më elementare: ngritja e një monumenti, një objekti fizik që të simbolizojë vuajtjet dhe respektin për të përndjekurit?
 
Flas sot si kryetar i Bashkisë së Tiranës ku vetëm vitin e fundit kam zbuluar që një pjesë e madhe e rrugëve në Tiranëu dedikohen njerëzve që janë absolutisht anonimë, absolutisht pa asnjë kontribut, vetëm me njohje personale, që kanë arritur të trajtojnë si qokë emërtesat tona publike. Disa herë kemi emra rrugësh të njerëzve që janë duke shërbyer burgjeve me dënim sa një jetë për krime të kryera por që kanë pasur mjaftueshëm lidhje me politikën për t’u simbolizuar me emra rrugësh. Kjo sa për të vendosur pak kontekst se ku i kemi vendosur vlerat në shoqëri, në kujtimet publike të hapësirave tona. Një pikë në hapësirën publike të qytetit përpara së cilës qytetarët duhet të ngadalësojnë hapin një çast, tëndalen një moment dhe kujtohen për një nga periudhat më të errëta të historisë sonë dhe ata që i përjetuan ato vuajtje e këto tragjedi.
 
Gjatë këtyre 25 vjetëve në shoqërinë shqiptare janë përplasur vazhdimisht dy shkolla mendimi lidhur me përballjen që duhet të kemi me të kaluarën. Në njërën anë avokatët e kujtesës, ata që besojnë se me të shkuarën, me të vërtetën duhet tëpërballemi pavarësisht nga çmimi. Në anën tjetër, janëata që mendojnë se ndonjëherë shoqëria ka nevojë të harrojë. Ka nevojë për atë që shkrimtari i njohur antifashist spanjoll Jorge Semprun e quan “një amnezi e vullnetshme dhe kolektive.” Kjo është në fakt ajo që në mënyrë hileqare është tentuar të bëhet edhe në Shqipëri, pavarësisht se është folur shumë për komunizmin e në emër të antikomunizmit. Por në të vërtetëështë avokuar me hile kjo amnezi, harresë e vullnetshme dhe kolektive.
 
Unë besoj se çështja e kujtesës historike është në fakt një sfidëshumë e madhe me të cilën përballet sot shoqëria shqiptare. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: a mund të lejojmë ne që ajo periudhë të harrohet kaq thjesht? Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht e vetëm për hapjen e dosjeve të ish- Sigurimit. Këtu bëhet fjalë për njohjen dhe analizën e të gjithë asaj periudhe ku ish- Sigurimi ishte veç një nga instrumentete represionit në një ngrehinë shumë herë më të madhe që ishte diktatura komuniste.
 
Një miku im gazetar më tregonte pak kohë më parë, sesi gjatë përgatitjes së një emisioni mbi regjimin kishte intervistuar të rinj e të reja jo shumë larg moshës time. Por mbeta i tronditur, më tha, nga njohuria totalisht sipërfaqësore që kishin ata djem e vajza mbi komunizmin dhe krimet e regjimit. A mund të pranohet një situatë e tillë? Aq më tepër në një vend ku pjesa më e madhe e popullsisë sot ose ka lindur pas rënies së regjimit ose ka qenë në moshë aq të vogël në dekadën e fundit të regjimit sa të mos kujtojë personalisht asgjë?
 
Unë bëj pjesë, me zgjedhjen time personale, te avokatët e kujtesës, jo të harresës dhe amnezisë. Besoj se ne nuk e kemi luksin të hiqemi sikur komunizmi është një histori që nuk ka lidhje me realitetin e shoqërisë shqiptare sot. Sepse çdo shoqëri që ka zgjedhur këtë rrugë, të harresës pra, vazhdon sot e kësaj dite të vuajë pasojat e saj edhe në zhvillimin e institucioneve edhe nëfunksionimin demokratik të vendit. Dhe besoj se gjatë këtyre viteve qëndrimi ynë si mazhorancë ka qenë qartazi në favor të përballjes me të kaluarën dhe jo fshehja apo harresa e saj. Jo rastësisht zgjodhëm pikërisht modelin gjerman në hartimin e ligjit për hapjen e dosjeve.
 
Por nëse keni dyshim se si kjo harresë impakton edhe sot kulturën politike, mjafton të ndizni televizorin ditën e enjte në parlament ku i njëjti stil komunist i degradimit dhe denigrimit personal të kundërshtarit politik si e njëjta teknologji përçmuese, jo si ballafaqim idesh por si degradim i njeriut për njeriun, është mjeti politik i preferuar për të kuptuar që tradita komuniste ende vazhdon sot në komunikimin publik.
 
Më kujtohet kur lexova unë vetëpër herë të parë kujtimet e At Zef Pllumit. Kisha dëgjuar natyrisht për krimet e komunizmit, për të përndjekurit, internimet, burgjet e pushkatimet. Por përballë një dëshmie njerëzore, në vetë të parë si ajo e At Zefit kuptova se të gjitha ato kishin qenë thjesht fjalë boshe e abstrakte që nuk të krijonin asnjë mbresë dhe që nuk të shenjonin asgjë në mendje siç mund ta bëjë historia e treguar personalisht nga dikush. Dhe besoj se ky është pikërisht thelbi i problemit prej të cilit vuan ende sot përballja e shoqërisë shqiptare me të kaluarën. Ne flasim shumë për të kaluarën, por kemi bërë shumë pak edhe për ta kujtuar edhe për ta njohur atë.
 
Në mbyllje të fjalës time dua të them qartë e shkoqur, që ngritja e një monumenti në qytetin e Tiranës, në një nga qendrat tona të Tiranës policentrike, në nder e respekt të viktimave të regjimit komunist, është një domosdoshmëri dhe dua të ofroj mbështetjen time, ashtu siç kam premtuar në fushatë, mbështetjen time të plotë për këtë projekt. Ne jemi tashmë vonë në këtë përpjekje, ndërsa dëshmitarët e gjallë të përjetimit të atyre vuajtjeve janë duke u tretur nga dita në ditë. Edhe kjo tavolinëështë më e vogël se ajo që bëmë tre vite më përpara ku disa fatkeqësisht, edhe për çështje biologjike, sot nuk janë më me ne.
 
Ne jemi borxhlinj ndaj viktimave dhe ndaj trashëgimtarëve të tyre që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e secilit prej tyre dhe të afërmve të tyre. Çdo vonesë në këtë trajtim, siç e kanë përjetuar shumë vende që zgjodhën një qasje tjetër, përfshirë dhe Shqipëria deri më sot, sjell një kosto të lartë për gjithë shoqërinë. Ndja unë sot si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e mirëpres, e mezipres dhe do ta bashkëfinancoj një projekt të tillë për qytetin e Tiranës.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre