Aty nga fundi i vitit të kaluar, ‘Shqiptarja.com’ parashikonte në një koment të botuar në faqet e saj, se 2014-a do të ishte viti i hartimit të ndryshimeve kushtetuese. Dhe, ky parashikim ishtë orientuar jo vetëm nga fakti që Ligji Themelor i Shtetit tonë është miratuar afro 16 vjet më parë, ndonëse hartimi i një dokumenti të tillë bazik kurdoherë i nënshtrohet idesë për qendrueshmëri.

Parashikimi i dokohshëm u orientua, gjithashtu, edhe prej përvojës së këtij harku kohor jo shumë të madh, gjatë të cilit Kushtetuta është ndryshuar, është ndryshuar edhe në mënyrë të nxituar, jo fort të studiuar (kujto prillin 2008), duke u lënë shteg të hapur presioneve të mazhorancës parlamentare dhe qeverive të dala prej saj për të tuteluar dhe madje për të devijuar veprimtarinë e institucioneve të tjera kushtetuese dhe atyre të pavarura. Por, parashikimi i gjashtë muajve më parë ishtë orientuar mbi të gjitha te fakti, sipas të cilit, Republika jonë nuk është konceptuar për të qënë thjesht parlamentare, por më së shumti konstitucionale. Në këtë kuptim, deri tani nuk mund të thuhet se është arritur te një konfigurim plotësisht i tillë.

Tashmë, pas hyrjes në fuqi të akordimit Shqipërisë të statusit të Shtetit Kandidat për në Bashkimin Evropian, disa ndryshime kushtetuese bëhen të domosdoshme, ndoshta edhe më shumë se sa përpara kësaj kthese historike. Bëhen të domosdoshme, sepse përmbushja e të paktën pesë prioriteteve apo kritereve kryesore të përcaktuara, të besuara dhe të pranuara deri në çeljen e bisedimeve për anëtarësim të plotë, si emërues të përbashkët kanë konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Pra kanë këtë vektor, të njohur prej kohësh si mjeti, me anë të të cilit, sistemi funksional i demokracisë dhe ai i vlerave të tjera, që së bashku përcaktojnë identitetin evropian, shtrihet dhe depërton plotësisht te mekanizmat juridikë, pa të cilat nuk mund të ndërmerren reforma radikale, të rëndësishme për ndryshimin e vizionit të zhvillimeve të ardhshme dhe të imazhit të vendit në hapësirat kontinentale e më gjerë. Te ato mekanizma, që gjenerojnë jetëgjatësisht kapacitetet e veta me përcaktimin e tyre në dispozita kushtetuese.

E pra, shanset jo vetëm për të hartuar ndryshimet, por edhe për t’i miratuar ato me konsesus të gjerë të faktorit politik, duket se realisht po afrojnë. E themi këtë meqë, nëse pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar u konfigurua Kuvendi i Shqipërisë me një mazhorancë të gjerë si asnjëherë tjetër, duke disponuar një shumicë të cilësuar votash prej tri të pestave të të gjithë deputetëve, kjo nuk mjaftonte për të vendosur dhe aprovuar e vetme amendamente të tekstit të Ligjit Themelor në fuqi.

Dhe aq më pak mund të ndodhte kjo, kur gjatë kësaj kohe në veprimtarinë parlamentare ka mbizotëruar një klimë tensioni e ashpër ndërmjet dy krahëve kryesorë të politikës shqiptare, të përfaqësuar në organin më të lartë legjislativ të vendit. Domethënë, nuk mjaftonte ngaqë ky tekst vërtet që nuk i jep Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë fizionominë e llojit të ngurtë, por e klasifikon në ato elastike, sidoqoftë ai parashikon në Pjesën e Shtatëmbëdhjetë (Rishikimi i Kushtetutës), se “Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit” (neni 177/3). Atëhere, përse po u afrokërka praktikisht shansi për të kryer ndryshime kushtetuese?    

Pikërisht, pas përftimit të statusit zyrtar të Shtetit Kandidat për në Bashkimin Evropian pritej një ndryshim skenari, pak a shumë i mjaftueshëm, për t’u nxitur, ndërmarrë dhe realizuar nisma kruciale, brenda një kohe që arsyetohet se nuk pret shumë. Nisma kruciale, mbi të cilat do të qendronte ajo për disa ndryshime kushtetuese, te të cilat të përcaktohen, veç të tjerash, realitetet e reja për të sotmen dhe të ardhmen e Popullit të Shqipërisë: përfshirja në një Aleancë të sigurisë kolektive të Shteteve të Perëndimit (NATO) dhe aderimi në integrimin evropian drejt anëtarësimit të plotë në BE. Këto realitete nuk mund të mohohen nga asnjë forcë politike edhe brenda vendit, qofshin këto aktualisht në mazhorancë parlamentare dhe qeverisëse, qofshin në opozitë. Në të kundërtën, ato sigurisht që do të braktiseshin nga elektorati, duke u dënuar ose të rrijnë në bisht të zhvillimeve të të gjithë vendit, ose të eleminohen për t’u zëvendësuar nga forca të reja me lidership të kohës.

Në këtë vështrim, ku spikat qëndrimi i vullnetshëm i partive të mazhorancës, të bashkuara në Aleancën për Shqipërinë Evropiane, duke hedhur hapa konkretë në përmbushjen e obligimeve që dikton dhënia e statusit të shumëpritur, nga opozita parlamentare shkëputet Partia për Demokraci, Integrim dhe Unitet, pesë deputetët e së cilës nuk iu bindën të enjten e kësaj jave kolegëve të tyre të krahut të djathtë për të ndjekur ritin e zakonshëm të braktisjes së seancave parlamentare.

Me ç’u kuptua, anëtarët çamë të Kuvendit qendruan në sallë jo thjesht se nuk mund të pajtoheshin me motivin banal të braktisjes së fundit (vendimi i Byrosë së Kuvendit, për përjashtimin dhjetë ditë nga veprimtaria parlamentare gojështhururin destruktiv Sali Berisha), por sepse tashmë – sipas tyre - janë pjekur kushtet që aspiratat e popullsisë që përfaqësojnë imponojnë lëvizjen e tyre krah mazhorancës. Pra, me këtë veprim jo të rastit dhe as të përkohshëm, numri i votave kuvendore nga rradhët progresiste, këtej e tutje arrin në plot 90. Por, edhe ky shtim kartonash, teknikisht nuk mjafton për t’u aprovuar amendamente kushtetuese, të cilat për t’u aprovuar kërkojnë, siç cituam më lart, votat e jo më pak se sa dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Thënë ndryshe, për të mbursuar këtë përcaktim të Kushtetutës, në tabelën elektronike do të duhej të shfaqej së paku numri 94.

Nuk do t’i linim një fakti të tillë, vendin e duhur në rradhët e këtij komenti, nëse nuk do të krijohej edhe një rrethanë tjetër e re, që meriton vëmendje edhe sepse vjen ndoshta e diktuar nga ato të treguara më sipër, veçanërisht nga spostimi i PDIU. Të nesërmen e seancës plenare të fundit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paraqitet në një takim të shoqatës së bashkiakëve të vendit, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të grupeve parlamentare të dy partive të mazhorancës.

Por, edhe kjo mbase s’do të na thoshte shumë, po qe se ky Lulzim Basha nuk do të shprehej, se Partia Demokratike do të ishte e gatshme që më së fundmi të bashkëpunonte me mazhorancën për kryerjen e reformës administrative – territoriale. Madje, duke shtuar që me këtë gatishmëri nuk nënkuptonte vetëm mbështetjen për këtë reformë, por dhënien e konsensusit për më gjerë. Me gjithë divergjencat e vërejtura brenda rradhëve të kësaj Partie kryesore të opozitës, diçka është e qartë: kur gjatë lëvizjes, një treni zënë i shkëputen vagonët, lokomotiva nuk ka kuptim që të vazhdojë të harxhojë kohë dhe karburantpër të lëvizur mbi shinat e veta të vjetra.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)