Mësimet e Ballkanit për
një Siri në copëtim

Mësimet e Ballkanit për<br />një Siri në copëtim
Siria nuk po shkon rrugës së paqes nëpërmjet formës aktuale të planit gjashtëpikësh të Kofi Annanit, të mbështetur nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Plani bazohet në vullnetin e mirë të Presidentit Assad për të ndalur shtypjen e pakënaqësisë politike dhe veprimet ndëshkuese ushtarake kundër komuniteteve, ku kryengritja ka lindur gjatë vitit të fundit. Plani presupozon po ashtu që kur represioni dhe vrasjet të ndalen, një “dialog tranzicioni” të fillojë.

Autoritetet siriane nuk kanë nxitje për të ndryshuar modelin aktual të sjelljes. Këshilli i Sigurimit parashikoi vendosjen e 30 monitoruesve të OKB-së në Siri, për t’u zgjeruar në 300; javët dhe muajt në vijim mund të kalojnë duke argumentuar kot nëse në vend të 300 monitoruesve aty duhet të vendosen 3000, mirëpo modeli i sjelljes nuk do të ndryshojë, siç mund të na mësojë rasti i Ballkanit.

Gjatë viteve nëntëdhjetë, komuniteti ndërkombëtar kishte vendosur në Ballkan një numër shumë më të madh monitoruesish (madje edhe paqeruajtësish në Bosnjë), por kjo gjë nuk ndaloi gjakderdhjet. Përpjekja për të ndaluar vrasje nëpërmjet monitorimit është për t’u mbështetur në ekspozimin e turpit si një imperativ kufizues moral.

Por, një regjim që tashmë ka vrarë 10 000 njerëz për 14 muaj ka humbur çdo konsideratë morale të këtij lloji, nëse ka pasur më herët. Nuk është vetëm mosbindja që aktualisht vjen nga regjimi, por ka këtu edhe një element frike: Ata që kanë vrarë deri më tash i druajnë ndëshkimit të së ardhmes, veçanërisht nëse opozita vazhdon ta kërkojë, në mënyrë joreale, si parakusht kokën e Presidentit.

Në të vërtetë, regjimi jo vetëm se vazhdon të vrasë, me apo pa monitorues, por edhe po pretendon se përbrenda kësaj kornize të dhunës po e kryen një proces reformimi nëpërmjet zgjedhjeve shumëpartiake.

Plani gjashtëpikësh prandaj po dështon si në ndaljen e dhunës në Siri, ashtu edhe në garantimin e një dialogu politik. Regjimi pretendon se mund të zvarrisë implementimin e planit për aq kohë sa nuk ka ndonjë alternativë tjetër në horizont. Po supozon, sikurse edhe ish-presidenti i Serbisë, Millosheviç, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, se Perëndimi nuk ka oreks për të nisur një intervenim ndërkombëtar kundër tij. Dhe duket se regjimi sirian këtu ka të drejtë.
Llogaritja është se Perëndimi druan se intervenimi do ta çojë vendin drejt shpërbërjes në vija sektare dhe etnike. Ky skenar makthi i Ballkanit për krijimin e minishteteve për alevitë, kurdët dhe druzetë, ndër të tjera, i lidhur me valët e spastrimeve etnike dhe të identitetit do të ishte në mënyrë eksponenciale më kërcënues se sa ambientet ndërkombëtare e kishin paramenduar: Si do të reflektojë e gjithë kjo në Turqi, në çështjen kurde, në Rrafshnaltën e Golanit, Libanin?

Dhe, kush do ta udhëheqë Sirinë post-Assad? Edhe po të kishte vullnet për të intervenuar, a do të ndodhte sipas mënyrës së Kosovës, pa legjitimitetin e plotë ndërkombëtar?

Regjimi po e rrit hovin bazuar në këto droja perëndimore, veçanërisht tani në vitin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Por atëherë, nuk ka nevojë për skenarë makthi: Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se tashmë ka indikacione për luftë civile në disa pjesë të shtetit.
Vazhdimi i vrasjeve në Siri nuk do ndalet dhe gjërat ndoshta do të bëhen edhe më keq, me spiralen e dhunës që po e radikalizon shoqërinë në tërësi. Plani gjashtëpikësh i Annanit duhet të rishqyrtohet urgjentisht nga SHBA-të, Rusia dhe BE-ja në Këshillin e Sigurimit. Duhet të përmirësojë menjëherë dy nga pikat e saj.
E para, duhet ta theksojë tranzicionin në Siri në terma të qartë. Tranzicioni nuk është ajo që Assadi po e bën për momentin, duke pretenduar të mbajë zgjedhje shumëpartiake derisa lagjet po bombardohen. Nuk është reale të pritet as që tranzicioni do të ishte dorëheqja e qartë e Assadit, siç kërkohet nga opozita. Tranzicioni duhet të nënkuptojë proces të monitoruar ndërkombëtarisht të themelimit të institucioneve demokratike, nëpërmjet një procesi elektoral të kryer në një ambient paqësor. Kjo do të thotë një tranzicioni që nis me zgjedhje presidenciale brenda gjashtë muajve të ardhshëm, të përgatitura përreth një tryeze të rrumbullakët ndërmjet qeverisë dhe opozitës të përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar sirian (me përfaqësim të rëndësishëm në të nga komitetet e koordinimit lokal), ndërmjetësuar nga një palë e tretë ndërkombëtare. Parakushtet e vrazhda ligjore për një proces të tillë tashmë janë të turbullta, me kushtetutën e re të miratuar në shkurt, për të cilën Presidenti Assad pretendon se e hap shtetin për demokraci.

E dyta, duhet t’i vë theks sigurisë. Me qëllim të drejtimit të një procesi politik tranzicional, duhet të ketë ndryshim radikal sjelljeje në terren. Ushtria duhet të kthehet në kazerma dhe të qëndrojë aty, ndërsa në të njëjtën kohë Këshilli Kombëtar opozitar i Sirisë duhet të bëjë thirrje për ndalje të çdo lloj aktiviteti kryengritës gueril të Ushtrisë së Çlirimit të Sirisë. OKB-ja duhet të vendosë paqeruajtës të armatosur lehtë, nën një komandë neutrale (le të themi skandinave), në perimetrat e qyteteve. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, një mision i lartë i policisë ndërkombëtare duhet të monitorojë aktivitetet themelore të policisë si pjesë e përgatitjeve për një proces paqësor zgjedhor.

Mandati i monitoruesve të Annanit në Siri do të përfundojë në korrik. Nuk ka nevojë të pritet deri në përfundimin e mandatit të tyre për ta kuptuar se ata nuk mund ta ndryshojnë situatën. Shumë përpara se mandati i tyre të skadojnë, brenda 45 ditëve të ardhshme, duhet të bëhet një përmirësim në planin gjashtëpikësh. Brenda kësaj kornize kohore, SHBA-të, Rusia dhe BE-ja, në konsultim me Ligën Arabe, duhet të përgatisin kushtet për negociata ndërmjet qeverisë dhe opozitës, sipas Kapitullit VII të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Si pikë reference për këto negociata duhet të përfshihen edhe parimet e panegociueshme, siç është heqja dorë nga dhuna në procesin politik dhe privatizimi i integritetit dhe i sovranitetit të Sirisë bashkë me karakterin multietnik dhe multikultural (sektar) të tij. Ato duhet të përfshijnë po ashtu edhe ndryshimet e domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të drejta (klauzolat jodiskriminuese, klauzolat e lirisë së fjalës dhe shprehjes, e tjerë). Presidenti Assad duhet ta kuptojë se përdorimi i mëtutjeshëm i ushtrisë dhe i shtypjes me ose pa uniformë do të përkthehet, për sponsorët e kësaj rezolute, si një kërcënim për paqen rajonale.

Treshja (SHBA, Rusia dhe BE), nëpërmjet një procesi konsultimesh në mesin e palëve siriane, duhet të ndihmojë po ashtu në zgjerimin e axhendës së negocimit. Ndër çështjet e tjera që do duhej diskutuar është edhe karta e të drejtave të komuniteteve, që është një faturë e të drejtave për sirianët, të cilët e gjejnë veten në pozitën e minoritetit – një parakusht esencial për një shtet që lëviz nga sundimi minoritar në atë të shumicës.
Është përsëritur nga ndërmjetësit dhe diplomatët se sirianët në fund të fundit duhet të gjejnë vetë rrugën e tyre drejt së ardhmes. Kjo tingëllon e vërtetë dhe duhet të jetë kështu. Mirëpo t’ia lësh popullin sirian vetvetes është sikur ta dënosh atë me një luftë të stërzgjatur dhe gjakderdhëse. Ky është një konflikt që nuk do të fitohet me forcë: Regjimi nuk do ta ketë fuqinë të ndalë me forcë vullnetin e shumicës dhe opozita nuk mund ta mposhtë ushtrinë siriane, ashtu siç ajo është sot dhe për një kohë të konsiderueshme në të ardhmen.

Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të rrijë mënjanë apo të mbështetet në formula, si ato që tashmë janë rrëzuar nga tragjedia e Ballkanit.
Marre nga Panorama
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Aplikimet në Akademinë e Sigurisë/ Rrumbullaku: 100 më të mirët, do të nisin studimet në vitin akademik 2024-2025

Aplikimet në Akademinë e Sigurisë/ Rrumbullaku: 100 më të mirët, do të nisin studimet në vitin akademik 2024-2025