TIRANË, 11 Dhjetor /ATSH/- Agjencia për Zhvillimin e Zonave Malore (MADA) po zbaton projektin "Malet drejt tregut" me vlerë 18 milionë USD, në mbështetje të fermerëve dhe ekonomisë rurale në zonat e thella malore të vendit.
Rustem Strugaj, kreu i Agjencisë MADA u shpreh të enjten se, projekti synon integrimin e zonave malore në zhvillimin e bujqësisë, ndërsa zbatimi i këtij projekti përfundon vitin e ardhshëm .
Sipas tij, nga ky projekt do të përfitojnë 65 mijë fermerë dhe nismat e tij do të nxisin zhvillim e qëndrueshëm në 21 rrethe të vendit.
Projekti ka katër komponentë:
1. Zhvillimi i Tregjeve Rurale dhe Strategjia e Investimeve
Ky komponent synon të gjenerojë, shpërndajë dhe shndërrojë në veprim, informacionin e siguruar, i cili do të garantojë investime të qëndrueshme dhe komercialisht të vlefshme në ndërmarrje bujqësore ose jo-bujqësore. Komponenti identifikon mënyra për shfrytëzimin/ndërtimin e avantazheve konkurruese në zonën e Programit, nëpërmjet studimeve dhe vlerësimeve të Mundësive të Tregut për të siguruar informacion, i cili përbën bazën për hartimin e 10 Programeve të Investimeve Strategjike (SIP) për produkte ose aktivitete jashtë ferme me mundësi më të mira komerciale/konkurruese.
SIP-et janë analiza të fokusuara mbi pengesat dhe mundësitë në zinxhirin e vlerave të produkteve. Prioritizimi i SIP-eve për mbështetje do të bëhet në bazë të shkallës së përfitimit të grupeve primare target të Programit në terma të varfërisë dhe "gender".
Gratë e varfëra rurale janë një grup i rëndësishëm për Programin dhe të paktën një e treta e SIP-eve do të jenë mbi zinxhirin e vlerës të produkteve në të cilat femrat do të kenë një interes dhe potencial ekonomik predominues. SIP-et do të identifikojnë investimet në infrastrukturën rurale si dhe investime të bizneseve komerciale/konkurruese.
2-Investimet strategjike në Entitetet e Tregjeve
Ky komponent synon të ofrojë një sistem të granteve dhe mbështetje kreditimeve për tri grupet target të Programit, për t'i lejuar ata të marrin pjesë në investime që lidhen me SIP-et dhe rrjedhimisht të mundësojnë përfitimet e Programit. Ky komponent përfshin tri lloj grantesh:(a) Grante për trajnim profesional për anëtarë të familjeve shumë të varfra pa aktivitet bujqësor dhe asete apo punësim të biznesit rural. Seksioni i Shërbimeve Teknike i MADA-s do të organizojë trajnime ndërmjet grupeve të aplikantëve me aftësi të njëjta, duke marrë parasysh se trajnimet janë në përputhje me SIP-et e mbështetura nga Programi dhe me ndërhyrjet e tjera të programit.(b) Grante të vogla për prodhuesit e vegjël, por potencialë dhe për siguruesit e shërbimeve. Grantet nuk do të kalojnë masën prej 30% të kostos totale të investimit të propozuar, ku pjesa tjetër sigurohet nga aplikanti. Propozimi për investim duhet të jetë brenda konteksit të SIP-it.(c) Lehtësi Mbështetëse për Kredi në formën e një instrumenti garantues për ndërmarrjet e organizuara për të lehtësuar kërkesat e kolateralit nga institucionet financiare, si rrjedhim do të lehtësojë aksesin për kredi të këtyre ndërmarrjeve. Skema synon të garantojë mbi 40% të investimeve të propozuara, duke përfshirë kapitalin e punës për kreditë mbi 100 000 USD për aplikantë.
3- Ndërtimi i Kapaciteteve për Gratë
Komponenti synon të sigurojë asistencë teknike dhe trajnime si pjesë të një pakete mbështetëse gjithëpërfshirëse për gratë rurale të varfëra ekonomikisht, të organizuara në grupe formale dhe jo-formale dhe shoqata që synojnë:
(a) Forcimin e organizimit të tyre për të marrë pjesë në tregun e punës nëpërmjet trajnimeve dhe mbështetjeve teknike të domosdoshme për forcimin e vetëmenaxhimit, vetëorganizimit të grave, veprimit kolektiv dhe kapaciteteve të marketingut;
(b) Rritjen e të ardhurave nga aktivitetet fitimprurëse nëpërmjet trajnimeve dhe mbështetjes teknike për të përmirësuar aftësitë prodhuese të grave dhe organizatave të tyre;
(c) Rritjen e aksesit të tyre në zhvillimin e mundësive ekonomike, duke përfshirë Programe dhe iniciativa mbështetëse (p.sh. grantet e trajnimit profesional dhe grantet për të varfërit, por që janë potencialisht prodhues, përpunues dhe sigurues shërbimesh).
4-Shërbimet Mjedisore Rurale
Ky komponent synon të krijojë një paketë investimesh në funksion të mbrojtjes së ambientit. Si hap i parë, MMP do të vlerësojë gjendjen dhe mundësitë për shërbime mjedisore rurale në zonat e varfëra dhe malore që mbulon Programi. Mbi këtë bazë, MMP do të iniciojë tre ose katër aktivitete pilote të përshtatshme për zbatim nga përfituesit e varfër ruralë, si dhe që sigurojnë qëndrueshmëri për mjedisin dhe komunitetin në përgjithësi. Disa nga aktivitetet e mundshme për t'u përfshirë janë: (i) rigjenerimi i ujëmbledhësve që furnizojnë rezervuarët që prodhojnë energji duke eliminuar në këtë mënyrë sedimentimin, duke zgjatur jetëgjatësinë e rezervuarit dhe duke ulur kostot e mirëmbajtjes; (ii) rigjenerimin e zonës pyjore për reduktimin e erozionit dhe sedimentimin dhe rritjen e izolimit të karbonit; dhe (iii) promovimin e adoptimit të metodave bashkëkohore të konservimit për rigjenerimin e kullotave që lidhet gjithashtu edhe me reduktimin e erozionit dhe sedimentimit dhe izolimit të rritur të karbonit. e,xh//m.m/