Më rastisi këtë fillim jave të shkoj në Shkup, pas disa vitesh mungesë. E kam pëlqyer gjithmonë qytetin se më dukej shumë më i qetë se Tirana, dhe më pëlqente ajo hapësira e madhe në qendër ku njerëzit mund të ecin në këmbë pa smogun dhe zhurmat e makinave duke shijuar pjesën historike të Shkupit. Kësaj here isha me të vërtet kurioze për të parë nga afër madhështinë e Aleksandrit të Madh, që “mbikqyr” krenar dhe me shpatën ngritur qytetin. Kisha dëgjuar shumë të flitej për ato statuja gjigande dhe projektin Shkupi 2014 që ka për qëllim t’i japë Maqedonisë një fytyrë të re. Kështu kurioze u ndjeva shumë e vogël nën madhështinë e këtyre statujave ndërsa i kaloja njëra pas tjetrës dhe padyshim që më mahnitën nga ana arkitekturore, megjithëse e them këtë si qytetare e thjeshtë, pasi s’jam shumë eksperte në këtë drejtim.

E ndërsa ecja mbi një prej urave të qytetit, po mendoja se vërtet ishte transformuar, ose të paktën ishte krejt ndryshe nga ce kisha parë unë rreth 5 vjet më parë. M’u duk i madhërishëm dhe me një pamje europiane. Të jepte ndjesinë se gjërat kishin ndryshuar, për mirë natyrisht. Pas shëtitjes dhe këqyrjes gjithë ëndje të projektit madhështor të qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, u ula të haja ca qebapë në një nga lokalet buzë rrugës në pjesën e vjetër të qytetit bashkë me një kolegun tim gazetar britanik. E ndërsa i komentoja mahnitjen time me shndërrimin e qytetit, çështja e emrit të Maqedonisë dhe gjithë polemikat që shoqëruan propozimin e fundit grek që vendi të quhet Maqedonia sllavo-shqiptare.

 Mendoj se s’ka njeri në këtë botë që nuk e di çështjen e mosmarrëveshjes mes Greqisë e Maqedonisë, për emrin kushtetues të kësaj të fundit e megjithatë edhe pas 12 vjetësh, sa herë ka diçka të re për atë që mund të jetë emri i mundshëm i Maqedonisë që të kënaqë Greqinë, mediat në rajon shfaqin interest ë jashtëzakonshëm ndërsa bëhet temë bisede kudo në vend. E ndërsa flisja me kolegun tim britanik Neil për këtë, më shumë për të marrë një këndvështrim europian aq më tepër nga një ish gazetar i BBC-së, dhe shijoja qebapët me salcë, biseda jonë u ndërpre të paktën 5 herë nga lypës rruge që na flisnin maqedonisht, por që as unë e as Neil nuk e kishim idenë se çfarë thonin. Pak skeptikë dhe të pamësuar as me monedhën vendase, u treguam disi të ngurtë për ti dhënë para dhe mbase edhe egoistë që të dy.

Por i pesti ishte një djalë jo më shumë 10 vjeç i cili m’u afrua dhe përveç se vazhdonte të përsëriste një fjali që nuk po e shqipëroja dot, më bënte me shenjë për tek qoftet. Gjestikulacioni fitoi ndaj padijes time për gjuhën dhe e kuptova që nuk donte gjë tjetër veçse ushqim. I zgjata dy qoftet që kishin mbetur në pjatë dhe iku i qeshur. E pyeta kolegun tim, i cili kishte gati 3 javë në Shkup, nëse e kish vënë re që ka shumë lypës në këtë qytet kaq madhështor apo ishte thjesht përshtypja ime. “Oh këtu ka shumë, vërtet shumë”-më tha Neil. Kur kamarieri u afrua për të marrë paratë, vuri re që mes denarëve të mi kish dhe lekë, atëherë m’u kthye në shqip, sepse gjithë kohës ju drejtova anglisht jo vetëm për respekt të mikut tim të huaj në tavolinë por edhe sepse mendoja se ishte maqedonas. “Po ti je prej Shqipërie?”-më tha disi i kënaqur.

Ishte një burrë i shkurtër rreth të 50-ave, goxha i vuajtur m’u duk, por mbase e paragjykova. Folëm pak minuta me Ibrahimin, kështu quhej kamarieri, dhe më pyeti se çfarë bëja në Shkup e prej nga ish miku im i huaj. Në fund nuk ndejta dot pa bërë gazetaren. “O Ibrahim, po çfarë thuhet këtej për këtë punën e emrit, si po mendon ta zgjidhë qeveria?”-e pyeta më shumë për muhabet.
“E çka po më duhet mue kjo punë, mue më duhet veç të vijnë sa më shumë njerëz ktu, e të marr ato pare t’i çoj në shpi të fëmit”-ishte përgjigja e tij, aq e sinqertë e aq domethënëse që në fakt më bëri të ndihem keq, se mund t’i isha dukur shpërfillëse duke e pyetur për diçka aspak jetike dhe të rëndësishme për të……

Pas disa orësh punë, darkova me disa miq të tjerë gazetarë maqedonas, ku sërisht çështja e emrit ishte tema më interesante për të cilën doja t’i ngacmoja. “Ohuuu, na kanë lodhur aq shumë saqë njerëzve nuk u bëhet më vonë se çfarë emri do kemi. E kupton, që kemi halle të tjera aq shumë saqë nuk mund të merremi vetëm me këtë”-m’u përgjigj Meri Jordanovska, një kolege e imja që punon për të përjavshmen Focus. Edhe ndaj saj u ndjeva si e bezdisur por doja të dija se çfarë mendonin për propozimin e fundit që ishte hedhur kështu si në ajër. Gjithësesi mësova nga të tjerët se nëpër koridoret e politikës së Shkupit thuhet se edhe Ali Ahmeti i BDI-së është lodhur shumë me zvarritjen e kësaj çështjeje me Greqinë që vazhdon të mbajë peng vendin, e ka kërkuar një zgjidhje brenda dhjetorit, përndryshe do të dalë nga koalicioni qeverisës.

Gjithësesi asgjë e konfirmuar zyrtarisht, siç dhe ndodh rëndom. “Erjona, e kupton që është thjesht politikë, për të mos u marrë me hallet tona. Njerëzve nuk u bie ndërmend se si do të jetë emri në pasaportë nëse nuk kanë çfarë të hanë, dhe të tillë ka shumë këtu”-më tha Goran, një tjetër mik gazetar. Ndërsa Meri dukej e inatosur që gjithë vëmendja e të huajve që vijnë është pikërisht ose tek emri ose tek bashkëjetesa ndëretnike. “Nuk na bëhet vonë fare për këtë, dhe nuk ka as urrejtje mes nesh dhe shqiptarëve. Miqtë e mi më të mirë janë shqiptarë, se vetëm atyre u besoj. Po si dreqin nuk flet njeri për të papunët, apo për gazetarët që burgosen, por veç emri, emri, Greqia dhe tensionet ndëretnike”-m’u hakërrye në shenjë proteste.

Në fakt revolta e saj më kujtoi një lajm të pak ditëve më parë për dënimin me 4 vjet e gjysmë burg të një gazetari maqedonas me akuzën se kish publikuar emrin e një dëshmitari nën mbrojtje për një rast vrasje të 2008-ës. Çuditërisht lajmi shokoi Reporterë pa Kufij dhe bëri shumë bujë nëpër Europë, por kaloi pa u vënë fort re në Shqipëri…..
Nuk e di pse por dalëngadalë po më shembeshin gjithë statujat e Shkupit para syve ndërsa më shfaqej ai djali i vogël që më mori qoftet. Ky vend ka gati 30 % të popullsisë të papunë dhe po kaq jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Mendova, mbase Gruevski mendon se këto statuja “madhështore” dhe krenare do t’i bëjnë shqiptarët dhe maqedonasit të harrojnë se kanë mbetur jashtë dyerve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, vetëm e vetëm nga egoizmi i kryeministrit Gruevski, por dhe mospërfillja e Athinës. “Çështja e emrit është komplekse dhe mbetet si një lloj gangrene që e ha Maqedoninë, në kontinuitet. Dëmet nga mozgjidhja janë shumë dimensionale pasiqë qytetarët e duan Bashkimin Europian dhe NATO-n-n si bukën por në vend të tyre "hanë" statujat e projektit Shkupi 2014. Shikojeni dhe do e shihni se si pjesa e vjetër e Shkupit është mbuluar dhe më nuk duket asgjë, as ura e vjetër e gurit, as Çarshia e vjetër, as kalaja, thjesht kemi një qytet tjetër”-thotë miku im studiues Arsim Sinani nga Tetova.

Aty thjesht më lindi pyetja: E si mund të harxhohen dhjetra miliona euro për disa statuja bronxi, ndërsa njerëzit nuk kanë ç’të hanë? S’kam asgjë kundër krenarisë kombëtare dhe dëshirës për tu mburrur me vlerat dhe historinë e lavdishme, e deri diku justifikoj edhe karshillëkun ndaj Athinës egoiste në këtë drejtim, por jo kaq rëndë në kurriz të qytetarëve, qofshin shqiptarë apo maqedonas.

E sa për bashkëjetesën ndëretnike mes tyre, sa herë vendi vuan nga momente të vështira ekonomike, ka një ndezje krejt papritur të frymës nacionaliste dhe incidenteve. Politika maqedonase mesa duket ka gjetur çelësin e artë për t’i shpëtuar llogaridhënies për hallet e njerëzve, duke i fryrë herë pas herë zjarrit të nacionalizmit. Ndërsa statujat madhështore padyshim më mashtruan, m’u duk se vendi kish ndryshuar, por thjesht më treguan se si me hijeshi arkitekturore, Gruevski mendon më shumë për bronxin e akulltë dhe të ftohtë se sa për ngrohtësinë e shpirtit të qytetarëve të këtij vendi.

Dhe mbase do të vazhdojë ta bëjë për sa kohë të jetë në pushtet, duke luajtur herë me shqiptarët e herë me grekët. Kështu, në përpjekje për t’i dhënë Maqedonisë pa emër një imazh të ri, Nikolla Gruevski në fakt s’ka bërë gjë tjetër përveçse ka harxhuar më kot paratë nga taksat e qytetarëve duke krijuar një imazh të rremë të një madhështie që në fakt nuk ekziston, sepse madhështia më e madhe është ajo e lirisë së shpirtit të njeriut, gjë që qytetarëve të këtij vendi ka shumë kohë që u mungon.
 
Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)