Mafia shqiptare ka arritur të dominojë tregun e kokainës në kantonin zviceran të Ticinos, duke përdorur një rrjet të rinjsh shqiptarë që veprojnë si shpërndarës droge me pagesa mujore dhe lëvizje të shpejta për t’i shpëtuar policisë. Fenomeni po konsiderohet alarmues nga autoritetet zvicerane për shkak të rritjes së arrestimeve dhe pasojave sociale që po sjell përdorimi i drogës.

Sipas raportimit të medias zvicerane RTS, vetëm gjatë vitit 2025 janë arrestuar 122 persona për trafik droge në Ticino, kundrejt 78 arrestimeve në vitin 2024, një rritje prej 56%. Aktualisht, gjysma e të burgosurve në burgjet e kantonit ndodhen aty për vepra penale që lidhen me narkotikët.

Një pushtim i heshtur

Mafia shqiptare ka pushtuar tregun e drogës në Ticino falë një rrjeti të rinjsh shpërndarës, të njohur si “cavallini”, që do të thotë fjalë për fjalë “kuaj të vegjël”. Shpesh të papunë, këta të rinj mbërrijnë nga Shqipëria në Itali me avion ose tren dhe më pas futen në Ticino, zakonisht me makina me qira.

“‘Cavallini’ janë pjesë e një rrjeti që është krijuar me kalimin e kohës. Është një organizatë e vërtetë kriminale, shumë e strukturuar, duhet pranuar. Ata vijnë dhe largohen. Qëndrojnë këtu pak kohë, vetëm disa muaj. Kështu, nëse policia arreston një shpërndarës, arreston vetëm atë”, shpjegon për RSI një konsumator i hershëm droge, i takuar në parkun Ciani në Lugano.

Ata qëndrojnë në Zvicër vetëm për disa muaj, aq sa për të shpërndarë drogën që u jep organizata, në këmbim të një page mujore nga 500 deri në 1000 franga, të cilat i shpenzojnë ose ua dërgojnë familjeve të tyre. Ndërsa fitimet e mëdha nga trafiku përfundojnë tek organizata kriminale.

Pjesa tjetër mbështetet tek omerta, rregulli i heshtjes që përdor mafia shqiptare. Dhe strategjia po funksionon.

Komisari Paolo Lopa, drejtues i seksionit antidrogë në policinë kantonale, deklaroi se shpërndarësit shqiptarë tashmë operojnë në të gjithë Ticinon, deri në zonën e Locarnos, ku më parë nuk shiheshin. Sipas tij, sekreti i suksesit të tyre është “kokaina me cilësi të lartë, me pastërti nga 60 deri në 80%, e shitur me çmime relativisht të ulëta”.

Receta e suksesit

Cili është sekreti? “Një kokainë me cilësi shumë të lartë, me pastërti nga 60% deri në 80%, e shitur me çmime relativisht të ulëta”, shpjegon Paolo Lopa. “Është ligji i tregut. Sot askush nuk është në gjendje të konkurrojë duke ofruar një produkt të kësaj cilësie me këtë çmim.”

Në Ticino, mafia shqiptare nuk pushton lagje apo territore. Ajo depërton në mënyrë të heshtur në shtëpitë e përdoruesve të drogës, duke shfrytëzuar dobësitë dhe varësinë e tyre.

“Afrimi mes shpërndarësit dhe personit që do ta strehojë ndodh në tre faza”, shpjegon Marcello Cartolano, zv/drejtor i Ingrado, qendra e Ticinos për trajtimin e alkoolizmit dhe varësive të tjera.

“Në fillim, shpërndarësit përfitojnë nga brishtësia dhe izolimi i personave. Më pas kërkojnë strehim në këmbim të drogës falas. Në fund, krijojnë një marrëdhënie varësie totale ndaj substancës. Shpesh janë gra ato që i strehojnë këta shpërndarës në shtëpitë e tyre. Për disa persona, të kesh një djalë të ri në shtëpi përfaqëson edhe një formë lidhjeje emocionale dhe marrëdhënieje”, vëren më tej Marcello Cartolano.

Pasoja dramatike

Në Ticino, bollëku i kokainës ka sjellë edhe rritje të përdorimit të crack-ut, një derivat i kësaj droge. Raporti  për vitin 2025 dokumenton fenomenin: projekti “Pipe crack”, një iniciativë për uljen e rreziqeve, shpërndau 2624 kite për 203 përdorues, një rritje prej 41% krahasuar me një vit më parë.

“Kokaina e tymosur krijon varësi jashtëzakonisht të shpejtë. Pas pesë deri në dhjetë minuta, efektet zhduken, por personi ndien një dëshirë të pakontrollueshme për të vazhduar. Kjo mund të sjellë sjellje shumë të paparashikueshme dhe agresivitet të dhunshëm” thekson Marcello Cartolano.

Kjo mund të ketë pasoja dramatike. Gjatë natës mes 27 dhe 28 janarit në Bellinzona, një i ri i varur nga droga vrau me thikë nënën e tij 46-vjeçare dhe plagosi rëndë partnerin e saj. Ngjarja tronditi opinionin publik.

“Është një sinjal alarmi. Njerëzit humbasin kontrollin dhe përfundojnë totalisht nën ndikimin e substancës,” paralajmëron Cartolano.

Një sistem që ushqen vetveten

Fenomeni është edhe më i vështirë për t’u luftuar sepse, për personat e varur nga droga, shpërndarësit shpesh nuk perceptohen si kriminelë, por si njerëz që mbushin një boshllëk ekzistencial në jetën e tyre.

“Sot janë shqiptarë. Dhe fatmirësisht që janë këtu, edhe pse këta shpërndarës janë bastardë”, përfundon konsumatori i intervistuar.

“Sepse varësitë ekzistojnë, kanë ekzistuar gjithmonë. Ata bëjnë biznesin e tyre. Nëse nuk janë këta, do të jetë dikush tjetër. Ka një mungesë, ka njerëz që vuajnë. Shumë mendojnë se kjo nuk është e vërtetë, por në realitet është pikërisht kështu.”/RTS