Maksim Shuli: Formula e
Albpetrolit, në dëm të vendit

Maksim Shuli: Formula e <br />Albpetrolit, në dëm të vendit
TIRANE- Sapo ka kaluar, me votat e mazhorancës parlamentare, ligji për privatizimin 100% të aseteve të Albpetrolit. Ndër pyetjet kryesore, që dolën normalisht edhe gjatë diskutimit të ligjit, ishte se cila është vlera reale e kësaj ndërmarrjeje? Veç kësaj, a ishte formula e miratuar më e mira e mundshme në të mirë të vendit? Ndërmarrje të tilla, privatizohen me shumicë të thjeshtë apo me shumicë të cilësuar të parlamentit, kur është fjala për investime në sektorë strategjikë?

Sipas ing. Maksim Shulit, zakonisht, privatizime të tilla bëhen, por shteti mban " kuotën e artë ", rreth 30-35 për qind të paketës së aksioneve, të drejtat që rrjedhin nga kjo " kuotë e artë " përcaktohen me ligj dhe pjesëmarrës në aksione duhet të jenë edhe punonjësit.

Eksperti kritikon ligjin e miratuar për shitjen 100% të aksioneve të kompanisë shtetërore të naftës tek privati, si është përvoja e vendeve evropiane.

"Në një llogaritje, të bërë më parë, doli se të ardhurat totale të kompanisë ishin afërsisht 1.6 miliardë dollarë dhe fitimi neto rreth 1.1 miliardë dollarë në vit"- thotë Maksim Shuli, ekspert i fushës së hidrokarbureve, në një shkrim të botuar sot në gazetën Shqiptarja.com. Ai ka qenë dhe  president i kompanive shtetërore Albpetrol dhe Petrolimpeks, si dhe nënkryetar i Agjencisë Kombetare të Energjisë. Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1997-2001. (Në foto: Puset e naftës të kompanisë Albpetrol)

ANALIZA E PLOTE E MAKSIM SHULIT
Me disa kolegë të mi, kemi bërë më parë një vlerësim të aseteve dhe të ardhurave të kompanisë shtetërore Albpetrol. Një ekspert i talentuar financiar, që ishte në përbërje të grupit, por që punonte edhe për kompaninë OMV në Vjenë, u mor më llogaritjet financiare sipas metodave më të përparuara të kohës (US-GAAP), që përdornin kompanitë e naftës. Ai na kërkonte me insistim të dhëna financiare të pesë viteve të mëparshme, që ishte kusht i domosdoshëm. Për një periudhë 16-të vjeçare të shfrytëzimit koncensionar, duke shfrytëzuar vetëm rezervat e njohura dhe të nxjerrshme të naftës, mbi bazën e teknologjive ekzistuese, pra të metodave primare që janë aktualisht, duke patur parasysh edhe planifikimin e investimeve për këtë situatë, që përkon me planin e zhvillimit të Albpetrolit, ne përpunuam me detaje tre variante: variantin pesimist, mesatar dhe optimist.
Sipas variantit mesatar, të ardhurat totale dilnin afërsisht 1.6 miliard dollarë dhe fitimi neto rreth 1.1 miliard dollarë; investimi për këtë do të ishte rreth 500 milionë dollarë. Kam parasysh këtu se, për kohën kur janë bërë llogaritjet, çmimi i naftës bruto shqiptare ka qënë 13-18 dollarë për fuçi, kurse sot çmimi për naftën tonë është 90 dollarë/fuçia, pra më se katër herë më i madh. Sigurisht që edhe kostoja për nxjerjen e tij është më e lartë. Por, një gjë është e qartë: fitimet janë kolosale, mbi 5 miliardë dollarë, edhe pse këtu nuk janë përfshirë të ardhurat nga nënproduktet e naftës pas përpunimit të saj, pasi të ardhurat do të dilnin edhe më të larta.
Kjo pasuri duhet vlerësuar, sepse nuk është vetëm e këtij brezi, por e brezave që do të vijnë. Ka breza të tërë që kanë punuar dhe kanë sakrifikuar për të zbuluar këto rezerva nafte, me të cilat, me të drejtë, duhet të krenohemi sot. Por këto janë vetëm një pjesë fare e vogël e atyre rezervave që ne do të nxjerim nga nëntoka jonë. Zhvillimi i teknologjisë në të ardhmen do të rrisë prodhimin e naftës. Sot janë këto metoda për nxjerjen e naftës nga nëntoka, nesër do të ketë metoda të reja edhe më të avancuara, ndoshta edhe me kosto më të vogël, prandaj le t'ua lëme brezave të mendojnë për të ardhmen.
Formula e privatizimit
Në Lindje, asnjë shtet nuk ka bërë atë që po bëjmë ne, duke kaluar në një privatizim total. Me këtë pasuri madhore ndodhi një absurditet i madh.
Disa nga arësyet pse nuk duhet një privatizim total, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjet konçesionare janë sa më poshtë. Së pari, i gjithë investimi i bërë deri tani në vendburimet ekzistuese rezulton në sasinë e prodhimit të naftës, që, në gjuhën teknike, quhet prodhim paraekzistues. Ky është mijëra ton naftë dhe miliarda dollarë, të cilat i përfiton, pa asnjë të drejtë, kompania që do ta privatizojë. Së dyti, nëse do të vazhdojë shfrytëzimi me marrëveshje konçensionare, gjatë pesë viteve të para të investimit, si rregull, nafta shtesë që do të nxiret do të ndahet: 30% e sasisë së naftës e mer kompania Albpetrol dhe 70% të sasisë së naftës e merr kompania që investon. Mbas mbarimit të periudhës së investimit, sasia e naftës, si rregull, ndahet: 50% e naftës shkon në Albpetrolin dhe 50% të naftës e merr kompania që ka marrëveshjen konçesionare. Kjo është vetëm atëherë kur kompanitë punojnë në mënyrë transparente dhe të ndershme. Për momentin, nëse Albpetroli do të privatizohet totalisht, atëherë e gjithë kjo sasi nafte përfitohet padrejtësisht nga kompania që do ta privatizojë, dhe këtu janë miliona tonë naftë dhe miliarda dollarë që i hiqen kompanisë dhe të ardhurave të shtetit tonë. Së treti, shteti shqiptar, përveç taksave që merr nga kompania Albpetrol dhe kompania konçesionare, merr edhe 30% tatimfitimi në vit. Në rastin e privatizimit total, shteti do të marë vetëm tatimfitimi. Pra, shteti ynë ka një humbje kolosale.
Tatimfitimi, në të tilla raste, nuk tregohet në mënyrë transparente, pra ai do të rezultojë fare minimal. Përfundimi do të jetë që shteti shqiptar nuk do të marë të ardhura nga kjo pasuri kombëtare ose do të marrë të ardhura fare minimale. Dhe, sigurisht, në privatizime të tilla, pa transparencë, gjithmonë fshihen kompani fantazmë, siç edhe gjenden aktualisht të tilla në vëndin tonë. Së katërti, në përgjithësi, kur kemi marrëveshje konçensionare në vendburimet ekzistuese të naftës, shuma e taksave dhe të ardhurat nga sasia e naftës e tatimfitimi shkojnë rreth 60% e të ardhurave të përgjithshme të naftës. Në rastin e privatizimit total, këto të ardhura as që bëhet fjalë të merren nga kompania dhe shteti jonë, sigurisht që do të kemi një humbje të jashtëzakonshme.
Kundërshtimi
Çfarë duhet bërë që shteti të mos humbë këtë pasuri të pallogaritshme ?
Opozita duhet ta kundërshtojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë me insistim pezullimin e privatizimit të Albpetrolit, të paktën për pesë vitet e ardhshme, pasi ky proces po bëhet në mënyrë tepër të fshehtë, pa transparencë dhe mjaft korruptive. Nuk dimë ende vlerën e Albpetrolit. Nuk dimë se cila kompani po bën vlerësimin. Dhe ka shumë probleme të tjera, të cilat kërkojnë kohë dhe vëmendje.
Nga ana tjetër, të kërkohet rishikimi i privatizimit të kompanisë ARMO, duke patur parasysh që kjo kompani, në kohën e privatizimit, ka patur disa kushte ligjore dhe kritere të destinacionit të saj. Privatizimi i saj u bë në kushte jotransparente.
Forma më e mirë do të ishte ajo e konçensioneve dhe jo më shume se 20-25 vjet. Kontratat me ndarje prodhimi janë ende me efektivitet dhe kjo mënyrë duhet të shikohet, sepse vendi ynë paraqet interes më të madh. Duke patur parasysh që Albpetroli, në kushtet aktuale, nuk është një kompani e integruar. Problemi bëhet edhe më i ndërlikuar dhe kërkohet kujdes në privatizimin e tij. Përvoja ka treguar se 20-25 vite për një kompani që investon janë të mjaftueshme, ajo realizon investimin në pesë vitet e para dhe pastaj, po në kaq vite, apo maksimumi në shtatë vitet e para, ajo rimerr të gjithë investimin e bërë, duke përfshirë dhe fitimin e saj, pastaj kompania është totalisht me fitim. Flasim për një kompani, e cila ka seriozitet të madh për të investuar dhe përfituar ndershmërisht. Nuk kam parasysh këtu disa kompani tepër të dyshimta, të cilat, pa investuar, apo me investime fare minimale, duan fitime maksimale. Por, këto lloj kompanish mund t'i gjesh kudo. Dyshoj se edhe tek ne ka sa të duash, edhe në këtë fushë.
Evropa dhe Lindja
Le të shohim çfarë thotë përvoja e vendeve të Lindjes dhe të Perëndimit, e fqinjëve dhe e rajonit tonë.
Polonia ishte shteti i parë që arriti të marrë një mbështetje nga Komuniteti dhe nga FMN në atë kohë dhe që ishte një nga vendet me rezultate shumë të mira në fushën e naftës. Kompania Grupa Lotos, një shoqëri aksionere, është një kompani Holding, me 17 filiale të ndryshme të uzinave të përpunim-marketingut (disa nga uzinat ishin në kushte më të këqia se tonat), ku shteti zotëron 50% të aksioneve, e themeluar në vitin 1975 nën emrin Raffinerie Gdanska S A, ka ndryshuar emrin në vitin 2003 dhe ka dalë në bursë në vitin 2005. Është kompania e dytë më e madhe në Poloni, pas kompanisë PKN Orlen. Kompania Lotos ka rreth 400 stacione shërbimi të furnizimit me naftë, duke ua kaluar kompanive të mëdha, si BP dhe Royal Dutch Shell. PKN Orlen SA është një shoqëri aksionere polake, e themeluar në vitin 1999, me aksioner shtetas polakë dhe bankën e Nju Jorkut. Ajo është shoqëria më e madhe në Poloni, një shumëkombëshe e specializuar në rafinimin e naftës dhe shpërndarjen e nënprodukteve të saj. Kjo shoqëri ka tri rafineri të mëdha në Poloni, në Republikën Çeke dhe Lituani, ka aktivitet në Rusi dhe në rajonin e Uraleve. Kjo kompani është lider i shpërdarjes dhe furnizimit me karburante të shtetit polak, duke kapur rreth 55% të tregut të saj.
Në Rusi, konsorciumi shtetëror Lukoil është themeluar më 1991 nga qeveria sovjetike dhe ishte një bashkim i shumë ndërmarrjeve të nxjerjes, transportit, përpunimit, marketigut dhe petrokimisë. Në nëntor 1992 u krijua një konglomerat holdingu dhe qysh prej 1993-ës Lukoil u transformua në një shoqëri aksionere dhe është privatizuar një pjesë fare e vogël e saj. Në vitin 1997, Lukoil lidhi një kontratë me qeverinë e Irakut për shfrytëzimin dhe përpunimin e vendburimit Kurna-2. Në këtë projekt, Lukoili ftoi, për të ulur rrezikun, kompaninë amerikane ConocoPhillips, me pjesëmarrje 17.5%. Në vitin 2004 kompania i shiti 7.59% të aksioneve, me vlerë 1.99 miliardë dollarë kompanisë amerikane ConocoPhillips. Në vitin 2005, Lukoil bleu, për 2 miliardë dollarë, një kompani në Kazakistan dhe më 2006, së bashku me ConocoPhillips, blenë 376 stacione shërbimi në gjashtë vende të Evropës, si Belgjikë, Finlandë, Çeki, Hungari, Poloni dhe Sllovaki. Vazhdon të jetë një kompani shtetërore dhe me fare pak aksione të shitura.
Kompania Surgutneftegas u krijua në vitin 1993, pas bashkimit të shumë ndërmarrjeve të gazit dhe të naftës, të nxjerjes dhe të shfrytëzimit. Në mars të 1999-ës ajo bleu 21.2% të aksioneve të kompanisë shtetërore Mol të Hungarisë, me vleren 1.4 miliardë euro. Shumë specialistë thonë që kjo do të jetë kompania energjetike që do të influencojë në tregun e energjisë në Evropë.
Kompania Yukos u krijua më 1993 nga grupi MENATEP, me në krye miliarderin Mihail Kodorkovskin dhe shumë biznesmenë të tjerë rusë. Sot kompania drejtohet nga Stewen Theede, ajo prodhon 20% të naftës ruse ose 2% të prodhimit të naftës në botë. Kjo kompani është tërësisht private. Menatep mban 51% të aksioneve, bankë që është në pronësi të Kodorkovskit.
Gazprom është një shoqëri anonime ruse, e njohur kryesisht për përpunimin, trajtimin, transportin e gazit natyral. Qysh prej 1954-ës, ajo ishte kompania më e njohur në botë për prodhimin dhe transportimin e gazit në Evropë dhe në botë. Aktiviteti i kësaj kompanie është energjetika, ajo prodhon gaz natyror dhe naftë. Qeveria ruse ka 51% të aksioneve, Rosneftgaz ka 38.4% dhe 10.7% janë aksionerë të tjerë brenda Rusisë. Kjo kompani kontribuon me më shumë se 20% në buxhetin e shtetit dhe radhitet ndër 20 kompanitë më të mëdha të botës.
Rosneft është një kompani tërësisht shtetërore, e specializuar për përpunimin, nxjerjen dhe transportimin e naftës, njëkohësisht ajo bën edhe shpërndarjen e nënprodukteve dhe të naftës bruto. Rosneft është eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe naftës. Në Francë, kompania Compagne Française du Petrol, e themeluar më 1924, në vitin 1991 mer emrin e thjeshtë TOTAL dhe në vitin 1999 bashkohet me kompaninë belge Petrofina dhe merr emrin TOTALFINA. Në vitin 2000 u bashkua me kompaninë private franceze Elf Aquitaine dhe më pas u quajt kompania TotalFinaElf. Është një nga gjigandët e kompanive të naftës në Evropë. Në vitin 2011, kjo kompani ka të punësuar rreth 100 mijë punonjës, në rreth 130 vende të botës. Shteti francez mban 5% të aksioneve të kësaj kompanie shunmëkombëshe. ENI, shoqëria kombëtare e naftës italiane, e themeluar në vitin 1953, është privatizuar më 1998. Shteti italian mban 30% të aksioneve. Kjo është një shoqëri anonime, aktiviteti i saj është nafta dhe gazi natyror, filialet e saj janë Agip, AGI, Snam Rete Gas. Kjo kompani gjigande ka aktivitet në 70 vende të botës dhe radhitet pas gjigandëve si Exxon Mobil, BP, Royal Dutch Shell, Total FinaElf dhe është para disa kompanive të tjera, si Chevron dhe ConocoPhillips.
BP është një kompani publike, e themeluar që më 1909 me emrin Anglo-Persian Oil Company. Në vitin 1954 ka ndryshuar emrin në British Pertoleum Company, në vitin 1998 ka bërë një bashkim me kompaninë amerikane Amoco dhe është një ndër kompanitë më të mëdha të botës. Ajo ka disa kompani të tjera në brendësi të saj, si BP Petroleum, BP Service Stations, Air BP Aviation Fuels, Castrol Motor Oil, ARCO Gas Stations, Aral Service Stations Solar Panels. Vetëm në vitin 2010 fitimi neto i saj ishte 3.3 miliardë dollarë. Është një kompani shumëkombëshe dhe ka aktivitete në më shumë se 80 vende të botes.
ROMPETROL, kompani rumune, ka mbi pesë vite që privatizoi naftën. Ajo ka shitur 75% të aksioneve, nga të cilat 51% të aksioneve ja bleu OMV-ja, një pjesë tjetër e aksioneve iu shit një kompanie në Kazakistan dhe aksione kanë marë dhe punonjësit dhe kompanitë e shtetit rumun. Shteti monitoron mjaft rreptë kushtet e zbatimit dhe të shfrytëzimit të vendburimeve të naftës, me kërcënimin e heqjes menjëherë të të drejtave të shfrytëzimit, sipas penaliteteve që janë caktuar në kontratë.
Hellenic Petroleum, kompani greke, është themeluar në vitin 1975 dhe në vitin 1998 është kuotuar në bursë si shoqëri anonime, ku shteti grek mban 35.5% të aksioneve dhe 39% të aksioneve i kontrollon Latsis Group. Pjesa tjetër është pothuaj brenda në Greqi, nëpërmjet bizneseve private të këtij shteti. Kjo kompani merret me përpunimin, prodhimin, rafinimin e hidrokarbureve dhe tregtimin e nënprodukteve të tyre. Gjithashtu, merret edhe me prodhimin e energjisë elektrike, duke patur në zotërim edhe TEC-e të fuqisë së lartë me gaz. Kjo kompani është e pranishme me aktivitetin e saj në Shqipëri që prej vitit 1999, në Malin e Zi, në Qipro, Bullgari, Serbi, Maqedoni në 2004. Kryesisht, aktiviteti i saj është ai i shpërndarjes dhe shitjes së nënprodukteve të naftës, si diesel, benzinë dhe vajra. Është e pranishme në Gjeorgji pothuaj në të gjitha aktivitetet, si prodhim, shpërndarje, petrokimi etj.
Absurdi
Pra, po t'i shikojmë të gjitha kompanitë e naftës në rajon, Evropë dhe në botë, këto janë pothuaj të integruara vertikalisht: edhe prodhojnë naftë e gaz, edhe përpunojnë, edhe shesin, pra bëjnë marketingun. Të gjitha kompanitë nuk e kanë privatizuar totalisht naftën, por e kanë mbajtur atë publike në disa vënde, me një paketë për të kontrolluar aksionet. Të gjitha kompanitë janë shumëkombëshe, me aktivitete të ndryshme, madje edhe në prodhimin dhe shitjen e energjisë. Të gjitha kompanitë kanë një sistem kontrolli dhe monitorimi të jashtëzakonshëm në lidhje me aksionet e shitura në vendburimet e gazit dhe të naftës. Për kompaninë e naftës të vëndit tonë, duhet të mësojmë edhe nga përvoja e fqinjëve dhe eksperienca botërore. Konkretisht, nisur nga këto përvoja, në formën që është kompania, pra një kompani prodhuese e naftës pa aktivitete të tjera, më e mira do të ishte vazhimi i formës së konçensioneve me afat maksimal 25-vjeçar. Veprimet e fundit të qeverisë për privatizimin total, edhe me marrëveshjet konçensionare, do të bënin një gabim fatal për fatet e vendit. Asnjë vend në rajon, Evropë apo botë nuk ka bërë një privatizim të tillë. Duhet, me çdo mënyrë, të ndalim këtë veprim abuziv, që dëmton kompaninë dhe interesat e vendit.
Nëse do të mendohej për një privatizim me aksione, më parë duhej të vlerësohet kompania nga një kompani kompetente në këtë fushë dhe, duke bërë transparencën, se cila është vlera e saj. Këtu duhet patur parasysh se cilat janë asetet e kompanisë për vlerësimin, si rezervat e naftës (oil in place), pajisjet, vendburimet e pazhvilluara, si Delvina, etj. Në varësi të vlerës, do të gjykohet dhe të vendoset me ligj për veprimet e mëtejshme, pra se kush do të jenë aksionerët që do te blejnë 70% të aksioneve dhe të tjera probleme, që kanë të bëjnë me të ardhmen e kësaj pasurie.
Përsa i përket privatizimit total, ky është një absurditet për kushtet tona, për gjëndjen, në të cilën ndodhet kompania dhe për shumë arsye të tjera, të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen e kësaj pasurie të madhe të vendit.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!