Nëse çmimi i naftës që aktualisht është caktuar nga bordi 218 lekë do të rritet më tej në 220 lekë e më shumë, qeveria nis zbatimin e uljes së akcizës me 20%. Ministri i Financave Petrit Malaj sqaron në Konferencë për mediat se ulja e akcizës do të jetë pjesë e vendimmarrjes së bordit, i cili do të përllogarisë uljen dhe do ta reflektojë direkt në çmimin final me të cilin do ta tregtojnë kompanitë me pakicë.

“Mekanizmi do jetë i tillë në momentin që bordi do caktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do jetë 221 lekë, në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizë 20%, pra do të jetë 213 lekë. Kjo do bëhet me baza ditore, kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do kemi një reduktim të çmimit me pakicë me 8 lekë. Kur çmimi do jetë nën 220 lekë, do jetë çmimi që ka përcaktuar Bordi”, tha Malaj.

Edhe pse çmimet vetëm po rriten, ende qeveria nuk ka një plan për paketë ndihme për familjet në nevojë.

“Situata është në monitorim, jemi në bashkërendim me ministritë e linjës. Nëse do nevojitet të ketë ndërhyrje, për të prezantuar paketat ndihmëse, do ti marrim të gjitha masat e nevojshme dhe vetë rezultatet na e mundësojnë këtë gjë”, theksoi Malaj.

Ndërkohë tatimet e doganat do vijojnë me kontrollet në sektorin e hidrokarbureve ku vetëm brenda këtij muaj janë vënë 112 masa administrative për shkeljet e gjetura.

Malaj bëri me dije se pas turizmit, ndërtimi dhe tregut të hidrokarbureve, do të nisë kontrolli për formalizimin e sektorit mjekësor dhe atij të kujdesit personal e estetik, të cilët konsiderohen me risk të lartë për evazion.

“Hapi i radhës do jetë kontrolli i sektori mjekësore dhe atij të kujdesit personal dhe estetik. Sektorë që e kemi identifikuar me risk të lartë dhe do jetë objekt i punës së administratës tatimore në muajt në vijim”, tha Petrit Malaj.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha se kontrolli në këtë sektor do të shoqërohet edhe me masa konkrete për deklarimin e pagave dhe duke nisur nga 1 prilli do caktohen pagat dysheme.

“Do të kryejmë kontrolle për tatimpaguesit që do të vijojnë në shërbimin mjekësor, për rreth 10 mijë tatimpagues dhe 45 mijë të punësuar. Më 1 prill do të publikohen pagat indikativë”, theksoi drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj.

Në konferencë për mediat u bë edhe një panoramë e zhvillimeve ekonomike, ku u theksua se në vetëm 2 muaj u mblodhën 1.3 miliardë euro të ardhura nga tatimet dhe doganat, ndërsa rritja ekonomike ka vijuar. Brenda këtij viti pritet të ndryshohen përsëri legjislacionet tatimore dhe doganore për tu përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:35
Binaj: 130 mijë DIVA të dorëzuara, presim që numri të shkojë deri 180 mijë

Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj thotë se deri më tani janë 130 mijë qytetarë që e kanë plotësuar deklaratën e të ardhurave personale (DIVA). Ai tha se presin që ky numër të shkojë deri në 180 mijë.

“Procesi ka qenë pozitiv, me disa probleme të vogla. Numri për deklaratën e të ardhurave personale ka 130 mijë tatim pagues, deri në fund besoj se arrin 180 mijë. Ka pasur pyetje të shumta. Tatimet i kanë i informuar vazhdimisht, nga ana tjetër dhe mediat kanë qenë goxha suportuese në këtë proces”, tha Binaj.

Ora 13:29
Paketa e Paqes Fiskale/ Malaj: Janë hartuar të gjitha aktet, presim ‘ok’ nga KE

Ministri i Financave, Petrit Malaj thotë se janë bërë të aktet nënligjore për paketën e paqes fiskale.

Në një konferencë për mediat, Malaj tha se “duke qenë se janë dy ligje të diskutueshme, aktet i kemi përcjellë të partnerët ndërkombëtare dhe po presim komente. Në momentin që do marrim përgjigje do vijojmë me publikimin dhe implementimin e tyre.”

Ora 13:20
Malaj: Kur çmimi i naftës kalon 220 lekë, Bordi do të ulë me 8 lekë akcizën

Ministri i Financave, Petrit Malaj ka shpjeguar për gazetaren e Report Tv, Eliza Gjediku se si do të funksionojë ulja me 20% e akcizës së naftës, nëse çmimi e kapërcen 220 lekë për litër. Ai thotë se ulja e akcizës, prej 8 lekësh, do të llogaritet nga vetë Bordi i Transparencës në momentin që çmimi kalon 220 lekë për litër dhe bizneseve u komunikohet çmimi i reduktuar i tregtimit me pakicë prej 213 lekësh. 

“Mekanizmi do jetë i tillë në momentin që bordi do caktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do jetë 221 lekë, në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizë 20%, pra do të jetë 213 lekë. Kjo do bëhet me baza ditore, kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do kemi një reduktim të çmimit me pakicë me 8 lekë. Kur çmimi do jetë nën 220 lekë, do jetë çmimi që ka përcaktuar Bordi”, tha Malaj.