Adoleshentja pakistaneze Malala Yousafzai, që u godit në kokë nga një taleban në vitin 2010 për mbrojtjen e të drejtave të vajzave për edukim, u bë fituesja më e re e Medaljes së Lirisë.
 
Qendra Kushtetuese e Filadelfias nderoi me medaljen adoleshenten për elasticitetin në tejkalimin e vështirësive. Pionerja më e re në mbrojtjen e të drejtave të grave, e cila ka ngritur zërin për lirinë e vajzave në të gjithë botën për t’u edukuar, bëri thirrje në fjalimin e saj gjatë marrjes së çmimit për lirimin e më shumë se 200 vajzave të marra peng nga grupi i militantëve islamik Boko Haram.
 
“Unë e ngre zërin për motrat e mia në veri të Nigerisë sepse dhe ato kanë të drejtë të jenë të lira dhe të edukohen. Për këtë arsye ato duhet të lirohen. Feja islame, lejon edukimin e çdo vajze dhe djali. Edukimi nuk është vetëm e drejta e çdo personi, por është dhe përgjegjësi. Shumë grupe po keqpërdorin emrin e Islamit për përfitimet e tyre personale, pasi Feja Islame është feja e paqes”.
 
Malala deklaroi gjithashtu se paratë e çmimit të saj prej 100,000 dollarësh do të shkojnë për të rinjtë në nevojë në Pakistan. Vetëm pak javë më parë Malala u nderua gjithashtu me çmimin “Nobel” për Paqen. Pas sulmit në 2012-tën, Malala nuk mund të kthehej sërish në Pakistan, ndaj ajo ka hapur një fondacion në mbrojtje të të drejtës për edukimin e vajzave në Pakistan, Nigeri, Jordani, Siri dhe Kenya.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)