Katër apartamente në zonat me luksoze në 4 prej qyteteve më të shtrenjta të Evropës ka Jamarbër Malltezi, por në GJKKO dhëndri i Berishës thotë se s'ka para për të jetuar në Tiranë.

Apartamentet në Munih, Bruksel, Roterdam dhe Budapest, vlera e të cilave kalon miliona euro, Jamarbër dhe Argita Malltezi nuk i kishin deklaruar por u zbuluan vetëm pas hetimeve të SPAK dhe nuk janë të sekuestruara pasi prokuroria u mjaftua me pronat që kapnin vlerën e 5.4 milionë eurove, aq sa dyshohet se ai përfitoi nga afera korruptive e privatizimit të ish klubit Partizani.

Megjithatë në seancën e kësaj të enjteje në GJKKO, ku Malltezi kërkon heqjen e sekuestros së 25 pasurive, avokati i tij Klodian Skënderi tha se klientit të tij po i cenohet jeta familjare, dhe se edhe në llogaritë bankare ka zero para.

Në seancë ishin dy prokurorët, Kraja dhe Millonai, me këtë të fundit që tha se çifti ka disa pasuri të tjera që nuk i janë sekuestruar, dhe jo vetëm ato në Evropë. Edhe për apartamentin super të shtrenjtë ku banon Malltezi në rrugën “Mustafa Matohiti” prokurorja tha se sekuestroja është vetëm masë sigurimi dhe ai vazhdon të jetojë aty.

Për këtë kërkesë GJKKO e shtyu për më 7 prill vendimin, ndërkohë që Report Tv ka zbuluar se në të njëjtën datë, këtë herë në Gjykatë të Lartë do të shqyrtohet tjetër kërkesë e Malltezit për pasuritë. Aty ai kërkon heqje të sekuestros për pasuritë në bashkëpronësi me Argita Malltezin, madje edhe kthimin mbrapsht të qirave që Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ka marrë deri më tani.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:57
Afera ‘Partizani’, Malltezi kërkon Ramën si dëshmitar! SPAK: Ta vendosë gjykata

Në seancën e sotme për dosjen ‘Partizani’, prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai, është shprehur për kërkesat e marrjes në pyetje të kryeministrit Edi Rama, Silva Bellos dhe Ermir Hasës se “duhet të citohet se për çfarë do të thirren dhe çfarë do të cilësojnë”, ndërsa ia ka lënë në dorë gjykatës të vendosë.

Edhe për kërkesën që të thirret si dëshmitar oficeri i Policisë Gjyqësore Besmir Karanxha për të cilin mbrojtja e ka quajtur “aktivist politik”, SPAK është shprehur që të mos pranohet. “Emërimin e ka marrë në vitin 2023”, thotë SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që të mos pranohet as kërkesa për thirrjen e Irena Gjokës duke thënë se nuk kanë lidhje me objekt akuzat dhe të rrëzohet gjithashtu edhe kërkessa për marrjen si provë e deklaratave të Malltezit në portale e emisione.

Seanca është shtyrë për më 15 prill pas gjykata do të marrë kohë për t’u shprehur lidhur me kërkesat për prova.