Kandidatja për ambasadore, Malo: Duhet të avancohet me hapjen e ambasadës së Kanadasë në Tiranë

Kandidatja për ambasadore, Malo: Duhet të avancohet me hapjen e ambasadës së Kanadasë në Tiranë

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot seancë dëgjimore me kandidaten për ambasadore të Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo, aktualisht zv.ministre për Europën dhe Punët e Jashtme.

Para deputetëve, Malo renditi disa nga prioritetet e programit të saj në rast se do të emërohet në këtë detyrë.

Së pari, ajo theksoi domosdoshmërinë e hapjes së ambasadës së Kanadasë në Shqipëri.

“Jemi në një moment ku duhet të avancohet ideja e hapjes së ambasadës së Kanadasë në vendin tonë. Kjo edhe në përputhje me vizionin për shtimin e pranisë së investimeve kanadeze në vend. Hapja e një ambasade ka disa avantazhe diplomatike si në aspektin gjeopolitik apo gjeostrategjik. Me rritjen e nivelit të përfaqësimit diplomatik të Kanadasë në Shqipëri, Kanadaja do të bëhet një vend që luan një rol të rëndësishëm moderator në rajon, NATO, anëtarësimin tonë në BE, do të rritet bashkëpunimin në fusha si siguria kibernetike, energjia por edhe interesi i kompanive kanadeze në vendin tonë”, u shpreh Malo.

Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Malo u shpreh se ky është një moment për të ngritur nivelin e vizitave zyrtare të të dyja palëve.

“Të dyja vendet tona i kushtojnë rëndësi luftës kundër terrorizmit, ndërsa kanë treguar shembullin e bashkëpunimit të ngushtë për strehimin e refugjatëve afganë. Çështjet e bashkëpunimit dypalësh do të zënë një vend të rëndësishëm në programin e parashikuar, duke u fokusuar në rritjen e investimeve kanadeze në Shqipëri në fusha bashkëpunimi si energjia, siguria e energjisë, minierat, menaxhimi i burimeve ujore, turizmi, bujqësia, infrastruktura, inovacioni, shkenca, arsimi etj”, tha ajo.

Në fushën ekonomike, Malo nënvizoi se niveli i bashkëpunimit ka pasur një dinamikë pozitive dhe vitet e fundit investimet kanadeze në Shqipëri janë rritur ndjeshëm.

“Mes palëve ka një memorandum mirëkuptimi që parashikon forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe. Në veçanti duhet nënvizuar rëndësia e aktivizimit të Fondit Kanadez për Iniciativat Lokale për të mbështetur programe të ndryshme, duke përfshirë ato për të drejtat dhe fuqizimin e grave. Pala kanadeze ka treguar gatishmëri për të ofruar asistencë në fushën e mbrojtjes kibernetike”, tha Malo.

Ajo nënvizoi se kanë filluar negociatat mes ekspertëve për marrëveshjen e shmangies së tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal.

“Marrëveshja e sigurimeve shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë dhe marrëveshja administrative mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë që daton në vitin 2019, përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm sa i përket pasurimit të mëtejshëm të bazës ligjore, por edhe një qasje më të plotë ndaj planit të pensioneve për shtetasit tanë që kanë jetuar në të dy vendet”, shtoi ajo.

Malo theksoi po ashtu se diaspora shqiptare prej afërsisht 70 mijë shqiptarësh është e mirëintegruar në shoqërinë dhe jetën kanadeze dhe përbën një urë të fortë lidhëse dhe faktor të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

“Sektori konsullor është angazhuar për ofrimin në kohë dhe me cilësi të paketës së plotë të shërbimeve konsullore. Gjatë vitit 2023 janë kryer në total 1707 veprime konsullore”, tha ajo.

Duke folur për prioritetet e programit të saj, Malo nënvizoi realizimin e një vizite në nivel kryeministri, angazhimin maksimal me diasporën shqiptare, angazhimin për avancimin e diplomacisë ekonomike në fushën e investimeve dhe bashkëpunimit tregtar.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille