Me spektatorët plot, Amfiteatri i Tiranës duket i ngushtë këtë fillim javë... Hiti i ABBA-ve ‘I have a dream’  e zëri i Gerta Mahmutajt ia shtron rrugën me mesazhe dhe energji pozitive komedisë muzikore ‘Mamma mia’...

Regjisori Altin Basha e vendos për herë të parë muzikalin në Tiranë.

Ndërsa Ilirjana Basha ka krijuar një atmosferë dasme në ‘ishullin teatral’ të ideuar pranë Liqenit, një ditar e kthen Sofinë 21 vjet pas. E rritur pa babanë pranë ajo zhytet në sekretet e së kaluarës së nënës së saj, të interpretuar nga Elia Zaharia...

Janë tri histori romantike të Donës, dhe tre baballarë të mundshëm, që Sofia vendos t’i ftojë në ngjarjen e madhe... që mund të marrë tjetër kthesë.

Orkestra, performancat, gjithçka ndodh ‘live’. E madje edhe incidentetet e vogla, që shkaktojnë të qeshura në publik...

Historia rimerret me copëza dashurie, miqësie e humori, që shoqërohen nga këngët e ABBA-ve...

Komedia, e shkruar nga Catherine Johnson, është një nga më të suksesshmet në botë dhe vijon sot në mbrëmje me një kast prej afro 30 artistësh.