Minitrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu priti në një takim zyrtar Ministrin Kinez të Shëndetësisë, z. Ma Xiaowei dhe delegacionin që e shoqëronte, ku theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë.
“Është një hap përpara që po ndërmarrim së bashku, për të jetësuar Planin e Veprimit 2018-2020 në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona, që i shërben shkëmbimit të eksperiencave dhe përmirësimit të sistemeve shëndetësore, marrjes së eksperiencave dhe praktikave më të mira”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Duke prezantuar arritjet e deritanishme në fushën e shëndetësisë, Manastirliu theksoi rëndësinë e trajnimit të profesionistëve të shëndetit.
“Pavarësisht investimeve që po realizojmë, është shumë e rëndësishme të kemi profesionistë që i përditësojnë dijet, profesionistë të aftë për të zhvilluar sistemin e kujdesit shëndetësor, në mënyrë që të shkojmë drejt objektivave që ne kemi për sa i përket cilësisë dhe standarteve që duhet të ofrojmë në kujdesin shëndetësor”, tha Manastirliu.
Ndërsa Ministri kinez i Shëndetësië, z. Ma Xiaowei prezantoi zhvillimet në sistemin shëndetësor të Republikës Popullore të Kinës, I cili po fokusohet te mbështetja e spitaleve të zonave rurale nga spitalet e mëdha në zonat urbane. Z. Xiaowei vlerësoi progresin e bërë nga qeveria shqiptare për të siguruar akses në shërbimin shëndetësor afër vendbanimit.
“Jam i impresionar nga arritjet e deritanishme në shëndetësinë shqiptare dhe shpreh angazhimin për të vijuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe dy popujve tanë që kanë një miqësi të thellë”, u shpreh z. Xiaowei.
Takimi i dy Ministrave të Shëndetësisë vjen në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit mes dy vendeve tona, të nënshkruar në Sofie të Bullgarisë, në Korrik 2018, gjatë Samitit 16+1 të vendeve të Europës Juglindore dhe Kinës. Plani i veprimit 2018-2020 në fushën e shëndetësisë synon forcimin e bashkëpunimit në disa fusha. Më konkretisht, Plani i Veprimit parashikon bashkëpunimin në fushën e sistemit shëndetësor, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve kronike, të sëmundjeve ngjitëse, në mjekësinë rehabilituese, në ekzaminimin mjekësor afër vendbabimit, etj. Shkëmbimi i personelit, ekspertëve dhe grupeve studimore do të jetë i vazhdueshëm, në zbatim të këtij plani veprimi. Bashkëpunimi i vendosur mes institucioneve shëndetësore të të dy vendeve, do të konkretizohet me trajnimin afatmesëm të personelit mjekësor. Delegacioni kinez po zhvillon një vizitë zyrtare 3 ditore në Shqipëri, ku do të kenë takime në institucionet kryesore shëndetësore në vendin tonë, me synim forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Komento