TIRANË- Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të konstatuar mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, ka rikthyer akuzat e Sali Berishës për këtë institucion. Berisha tha se Kushtetuesja dje shkelmoi ligjin e saj dhe opinionet e Komisionit të Venecias dhe shpalli ndërprerjen e mandatit të Bejtjas.

Kryedemokrati e lidhi vendimmarrjen për mandatin e Bejtjas me qëndrimet që kjo e fundit ka mbajtur, shumë herë kundër rrymës së vendimeve të padrejta të kësaj gjykate. 

Gjykata kushtetuese dje shkelmoi ligjin e saj. Vendosi të shkelmojë opinionet zyrtare të komisionit të Venecias dhe të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të Bejtjas”, tha Berisha.

Jashtë përgjegjësisë për këtë vendim, nuk lë as Presidentin Begajn, i cili inicioi çështjen në Gjykatë.   

"Gjykata Kushtetuese bëhet notere e një serie veprimesh antikushtetuese, antiligjore të eksponentit më kryesor të mafies në drejtësinë shqiptare, me emër Sokol Sadushi dhe presidentit antikushtetues, presidentit më të padenjë në Shqipëri, në Europë dhe më gjerë. Ju i patë kërcënimet që bëri? Një ditë më para, njeriu që nuk ka ligj, i turrej me tërbim Gjykatës Kushtetuese me fyerje, brutalitet se ato vendosën të anulojnë dekretin e tij për Erion Veliajn dhe natyrisht, duhet të themi këtu, relatore për këtë çështje ishte Sonila Bejtja", tha Berisha. 

Këtij të fundit i përsëriti qëndrimin se duhet të largohet nga karrigia e të parit të shtetit, ndërsa akuzat për dypunësim i shoqëroi edhe me një thirrje.

"Sali Berisha I bëj thirrje Urdhërit të Mjekut, të ja heq diplomën se turpërim më të madh se ky nuk ka. por unë e ftoj prapë të reflektojë, në qoftë se i ka ngelur edhe një kuant i integritetit njerëzor, të largohet menjëherë nga ajo detyrë se e ka turpëruar në mënyrë skandaloze", tha Berisha. 

Kryedemokrati nuk ka ndryshuar argumentet as për mungesën në protestën në mbështetje të UÇK-së.

"Edi Rama u tërhoq, por unë kam këtu dëshmitë që ai ishte parashikuar të fliste mbi 1 orë. E kuptoni ju? Do bëhej patriot njeriu që me aktet e tij është ndaj Kosovës po aq armik sa Aleksandër Vuçiçi", theksoi Berisha. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:19
Bojkotoi protestën për ish-krerët e UÇK-së/ Berisha: Rama do mbante sot 1 orë fjalim! Ai ka bërë takime të fshehta për ndryshimin e kufijve të Kosovës

 

Kryedemokrati Sali Berisha, mos pjesëmarrjen e tij në protestën ‘Liri për Çlirimatët’ e ka argumentuar duke thënë se në atë protestë i pranishëm do të ishte Edi Rama dhe mbi të gjitha, ai kishte planifikuar për të mbajtur një fjalim mbi 1 orë përpara turmës.

Theksojmë që ditën e djeshme Rama tha se nuk do të merrte pjesë, vetëm që portesta të mos politizohej.

Ndër të tjera, Berisha e ka akuzuar si bashkëpunëtor të serbëve dhe se ka kontribuar në ndryshimin e kufijve shqiptare nëpërmjet takimeve të fshehta.

“Përdorimi për qëllime politike i procesit është një makabritet. Edi Rama u tërhoq, por unë kam këtu dëshmitë që ai ishte parashikuar të fliste mbi 1 orë.

E kuptoni ju? Do bëhej patriot njeriu që me aktet e tij është ndaj Kosovës po aq armik sa Aleksandër Vuçiçi. Po, unë u them ju, 36 marrëveshje ishin firmosur gjer në fund të vitit 2013.

Edi Rama mori përsipër projektet e Beogradit për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve me një seri takimesh të fshehta. Edi Rama është në histori i pari që paditi kryeministrin në detyrë të Kosovës se mbronte interesat e qytetarëve të tij.

Edi Rama, bashkë me Vuçiçin, i cili nuk e fshihte se Serbia do bëhej më e madhe me ato që do merrte në Kosovë, punoi me të gjitha forcat për ndarjen dhe shpërbërjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Berisha.

Ora 13:31
Berisha: Urdhri i Mjekut t’i heqë diplomën Bajram Begajt, ligji ia ndalon të punojë në klinika private

 

Ndërsa po sulmonte Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Sonila Bejtjas, Sali Berisha pati edhe një koment për Presidentin Bajram Bregaj, të cilin e akuzon se baskë me Sokol Sadushin përgatit ‘puçin kushtetues’ për anëtaren e Kushtetueses.

Berisha u ndal edhe te shkeljet që PD i ka renditur Begajt, për të cili tashmë ka depozituar kërkesën në Kuvend për shkarkimin. Kreu i PD i bëri thirrje Urdhrit të Mjekut që t’i heqë diplomën Begajt, për të cilin PD kërkon shkarkimin pasi rezulton i punësuar edhe në një klinikë private.

“Tani e vërteta është se zonja Bejtja ka pasur guximin, kurajon, që për të vërtetën të pranojë të mbetet pakicë në mënyrë të përsëritur në atë gjykatë. Pra ajo ka nderuar ligjin, ka dëshmuar integritetin e vet. Por nuk mund të mos thuhet se mbushja e kupës është pikërisht kjo. Kjo i tërboi Edi Ramën dhe Haram Limionin, i cili ka paturpësinë të rrijë në detyrë, pasi neni 89 i Kushtetutës thotë; Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike. Nuk mund të jetë anëtar partie dhe nuk mund të kryejë as veprimtari tjetër private.  As të kryejë veprimtari tjetër private.

A mund të imagjinoni ju, kryetari i shtetit tuaj, për babëzinë e tij të papërmbajtur. Ose nuk ka lexuar 1 faqe e gjysëm që Kushtetuta, disa nene i kushton këtij institucioni, ose i konsideron ato letër e vdekur dhe nuk pyet për to. Nuk ka gjë më të vetëkuptueshme se presidenti nuk mund të kryejë asnjë funksion tjetër. Se presidenti i ka të renditura në Kushtetutë se çfarë mund të bëjë ato që i thotë Kushtetuta, ose të tjerave që në zbërthim të Kushtetutës i jepen me ligj.

Neni 94 thotë; Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht me kushtetutë ose që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.  Por për Bajramin, peng i Limionit dhe aferave të tjera korruptive, është një skllav në duart e Edi Ramës dhe xhepave të tij. Shkon firmos, merr para në bordero private. I bëj thirrje Urdhërit të Mjekut, të ja heq menjëherë diplomën. I bëj thirrje Urdhërit të Mjekut, të ja heq diplomën se turpërim më të madh se ky nuk ka”, tha Berisha.